
Të hënën më 9 mars ishte afati i fundit për operatorin e vetëm të kualifikuar në fazën finale të garës për të paraqitur ofertën për ndërtimin e “Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I”, një projekt 400 milionë eurosh i qeverisë shqiptare.
Por të mërkurën, qeveria pranoi se nuk kishte marrë asnjë ofertë dhe se operatori ishte tërhequr nga gara, duke dështuar kështu procedurën e prokurimit për ndërtimin e kësaj vepre, dy vjet pas hapjes së saj.
Ministri i ri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enea Karakaçi e justifikoi dështimin me tërheqjen e ofertuesit të vetëm “për shkak të rritjes së kostove të ndërtimit”.
Sipas Karakaçit, qeveria do të ndërtojë një skenar të ri për ndërtimin e këtij porti, ndërsa duke përdorur fjalët e kryeministrit Rama, ai shtoi se “çdo aktor tjetër apo faktor nuk do mundet ta frenojë këtë projekt”.
Qeveria shqiptare hapi harën për ndërtimin e portit të ri në korrik të vitit 2024, pasi vendosi më parë që ta jepte portin ekzistues përmes një procedurë kontroverse për një kompleks turistik të integruar.
Në procedurën e tenderit konkurruan disa kompani të mëdha ndërkombëtare, por qeveria i skualifikoi ato, duke lënë në garë si operator të vetëm kompaninë greke Archirodon Construction dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ndërtimi i Portit të ri është parashikuar në dy faza nga qeveria shqiptare, por vonesat dhe kontestimet në procesin e konkurrimit e rrezikojnë projektin edhe për disa vite të tjera.
Kryeministri Edi Rama gjatë një dalje publike të hënën foli për vende të tjera që po luftonin kundër këtij projekti.
“Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi,” tha Rama, ndërsa paralajmëroi se kishte një plan B për ndërtimin e tij.







