
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi të premten më 13 mars rrëzimin e kërkesës së ish zv.kryeministres dhe ish-ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, për revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i caktuar ndaj saj më 19 nëntor 2025, pasi u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë. Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtari Erjon Çela ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Ballukut, ndërkohë që kjo e fundit ka afat pesë ditë për të ushtruar ankim.
Kryeministri Rama udhëhoqi një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërkohë që mazhoranca e tij në Kuvend mbajti peng prej dy muajsh kërkesën e SPAK për autorizimin e masës së arrestit ndaj ish zv.kryeministres. Ai e shkarkoi Ballukun nga detyrat si zv.kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës më 26 shkurt.
Gjykata Kushtetuese nuk doli dot me vendim shumice për kërkesën e depozituar nga Balluku kundër masës së pezullimit të saj nga detyra. Me një vendim të datës 6 shkurt, katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese argumentuan kundër kërkesës së Këshillit të Ministrave, që do të përbënte sipas tyre një zgjerim arbitrar të imunitetit të përcaktuar në Kushtetutë, ndërsa gjysma tjetër vlerësoi se kërkesa për pezullim duhej të kalonte nga parlamenti.
Një ditë më parë, mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, që sipas prokurorëve është e nevojshme pasi provat tregojnë qartë se persona të fortë e anëtarë të kabinetit të ish-ministres kanë kontaktuar dhe intimiduar dëshmitarët përmes shantazhit, kërcënimit për shkarkim nga detyra apo ofertave në para.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e mbrojti Ballukun me pretendimin se rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Ata i cilësuan parashtrimet e prokurorëve të Posaçëm si konsiderata, që në themel të tyre kishin ish-funksionin e ministrit që mbante Balluku.
Ndaj Ballukut është caktuar dhe masa tjetër e ndalimit për daljen jashtë shtetit. Ajo po hetohet për shkelje të barazisë në tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Tiranës, projekte ku janë investuar vlerë qindramilionë euro nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, SPAK ka regjistruar dhe një tjetër procedim penal bazuar në një kallëzim të kryer nga Adriana Kalaja, e cila pretendon se ministrja Balluku dhe ish-zëvendësi i saj, Ceno Klosi kanë përfituar tenderat e institucionit që drejtonin.







