
Kuvendi miratoi të martën jashtë programit zyrtar të punës së tij dhe vetëm me votat e mazhorancës socialiste rezolutën “për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.
Rezoluta argumenton se shpallja e Iranit si shtet terroist lidhet me të dhënat për “financimin, trajnimin, armatosjen dhe drejtimin e grupeve dhe organizatave të armatosura jo-shtetërore të shpallura si entitete terroriste në disa rajone”, si dhe për sjelljen destabilizuese të kësaj republike në Lindjen e Mesme.
Po ashtu dhe për faktin që Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve kibernetike të Iranit në të shkuarën dhe të tashmen, pasi një sulm i ri kibernetik nga grupi i vetëquajtur “Homeland Justice” i lidhur me Iranin goditi infrastrukturën digjitale të Kuvendit.
Pavarësisht se nuk shprehur kundërshtim për përmbajtjen e rezolutës opozita nuk mori pjesë në seancë duke e konsideruar thirrjen e saj në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi të hënën në mbrëmje vendimin me justifikimin se ishte “një seancë e paligjshme”, pa rend dite dhe e thirrur në mënyrë të njëanshme dhe jashtë normalitetit të seancave plenare që mbahen të enjteve.
“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit”- tha Gazment Bardhi, kreu i këtij grupi në një reagim për mediat.
Paraprakisht rendi i ditës kishte dy pika; miratimin e procesverbaleve të seancës paraardhëse dhe njoftimet, ndërsa rezoluta u përfshi në votim nga mazhoranca në nisje të seancës.
Kreu i grupit socialist, Taulant Balla prezantoi rezolutën para deputetëve, ndërsa tha se mungesa e opozitës tregonte ‘papërgjegjshmëri’ nga ana e tyre në një moment që lidhet me interesin kombëtar dhe sigurinë. Sipas Ballës, rezoluta është një deklaratë e fortë politike dhe strategjike që konfirmon pozicionin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve hibride.
Me anë të këtij dokumenti, shteti shqiptar ‘dënon’ mbështetjen nga Irani të akteve të terrorizmit, operacionet hibride dhe aktivitetet destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i Iranit dhe dënon “aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese”.
Me këtë qëndrim, shteti shqiptar i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Holandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat i kanë ndërmarrë këto hapa më herët.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të vendimit të qeverisë shqiptare për të strehuar si refugjatë disa mijëra muxhahedinë, pjesë e organizatës opozitare, MEK. Muxhahedinët u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në verën e vitit 2022, institucionet shqiptare ranë pre e një sulmi masiv kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore. Sipas një qëndrimi zyrtar të qeverisë shqiptare, hetimi i kryer në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital zbuloi që sulmi ishte një agresion shtetëror, i sponsorizuar nga Irani.







