
Një projektligj i depozituar në Kuvend nga Ministria e Financave parashikon ndryshime dhe shtesa në në ligjin e vitit 2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”, me synim forcimin e integritetit të sistemit parandalues në vend dhe përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare.
Për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë ndërkombëtar, dispozitat e reja bazohen mbi rekomandimet e Financial Action Task Force (FATF), sugjeron relacioni i ministrisë. Ndryshimet ligjore synojnë zvogëlimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve, si dhe parandalimin e hyrjes së produkteve të veprave penale, veprimtarisë kriminale apo fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë të tjerë.
Sipas qeverisë, ndryshimet synojnë të sjellin përcaktime më të qarta ligjore për vlerësimin e rreziqeve dhe zbatimin e një qasjeje të bazuar në rrezik, duke shmangur aplikimin formal apo të përgjithshëm të masave dhe duke mundësuar një mbikëqyrje më efektive.
Nene të posaçme i kushtohen dhe zbulimit dhe raportimit të këtyre veprave penale në organet përgjegjëse.
Dispozitat e reja parashikojnë dhe rastet kur një person përfshihet në veprimtari të përfaqësimit në mbajtjen e aksioneve për llogari të palëve të treta me synim parandalimin e përdorimit të personave të ndërmjetëm për fshehjen e pronarëve përfitues.
Kësisoj, çdo person fizik apo juridik që kryen funksione si aksionarë përfaqësues ose ofron persona të tretë për këtë rol, të jetë subjekt i detyrimeve të parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe armëve të dëmtimit në masë.
Po ashtu përfshihet rregullimi për organizatat jofitimprurëse me synim parandalimin e përdorimit të tyre për financime të paligjshme dhe përcaktime ligjore për të lehtësuar bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare në shkëmbim informacioni në këtë fushë.
Agjencisë së Inteligjencës Financiare i jepen kompetenca shtesë në këtë kuadër, si ajo për urdhërimin e bllokimit ose ngrirjen e përkohshme të transaksioneve financiare për një periudhë 72-orëshe kur “ka arsye të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete për pastrim parash, financim të terrorizmit apo financim të armëve të dëmtimit në masë”.







