
Gjykata e Posaçme e Apelit miratoi të martën vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për vijimin e masës së sigurimit personal “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, caktuar ndaj ish zv.kryeministres dhe ish ministres së Energjisë e Infrastrukturës, Belinda Balluku më 19 nëntor të vitit të kaluar, pasi u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.
Kryeministri Rama udhëhoqi një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërkohë që mazhoranca e tij në Kuvend mbajti peng prej rreth dy muaj kërkesën e SPAK për autorizimin e masës së arrestit ndaj ish zv.kryeministres. Ai e shkarkoi Ballukun nga detyrat si zv.kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës më 26 shkurt.
Më datë 12 mars, mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, që sipas prokurorëve është e nevojshme pasi provat tregojnë qartë se persona të fortë e anëtarë të kabinetit të ish-ministres kanë kontaktuar dhe intimiduar dëshmitarët përmes shantazhit, kërcënimit për shkarkim nga detyra apo ofertave në para. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e mbrojti Ballukun me pretendimin se rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Ata i cilësuan parashtrimet e prokurorëve të Posaçëm si konsiderata, që në themel të tyre kishin ish-funksionin e ministrit që mbante Balluku.
Ndaj Ballukut është caktuar dhe masa tjetër e ndalimit për daljen jashtë shtetit. Ajo po hetohet për shkelje të barazisë në tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Tiranës, projekte ku janë investuar vlerë qindramilionë euro nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, SPAK ka regjistruar dhe një tjetër procedim penal bazuar në një kallëzim të kryer nga Adriana Kalaja, e cila pretendon se ministrja Balluku dhe ish-zëvendësi i saj, Ceno Klosi kanë përfituar nga tenderat e institucionit që drejtonin.







