
Gjykata e Posaçme vendosi të hënën të shpallë fajtor ish-kreun e Bashkisë së Finiqit, Leonidha Hristo për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, në procedurat e disa tenderave të zhvilluar në mënyrë fiktive gjatë periudhës 2017-2019. Gjyqtarja Flora Hajredinaj vendosi dënimin e tij me 4 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj. Po ashtu, u vendos dhe dënimi plotësues për ndalimin e tij për të ushtrruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Gjykata vendosi ta dënojë Hriston me një vit më shumë nga kërkesa e Prokurorisë së Posaçme. Sipas SPAK, është provuar se procedura e përpilimit dhe hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga të pandehurit e tjerë për të cilët është ndarë çështja, Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e njësisë së prokurimit apo të komisionit të vlerësimit të ofertave. Ndërkohë, sipas SPAK, Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit. Nga ana tjetër, anëtarët e njësive të prokurorimit dhe të komisioneve të vlerësimit të ofertave kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni që të kenë qenë pjesë e këtyre komisoneve apo njësive, si dhe se nuk kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit. Sipas prokurorisë, ka rezultuar e provuar se vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga shtetasit e caktuar si anëtarë të KVO-së, por është kryer de facto nga i pandehuri Florian Peri duke përdorur IP-në e Bashkisë Tiranë, ku kishte qenë i punësuar më pare, apo të kompanive në pronësi të familjarëve të tij.
Përfaqësuesi ligjor i të pandehurit, avokati Ermal Yzeiraj konstatoi gjatë bisedimeve përfundimtare se shumë prova të akuzës shkojnë në favor të të mbrojturit prej tij, duke e ndryshuar situatën.
Sipas Yzeirajt, ish-kryebashkiaku i Finiqit nuk kishte nga të dinte se i hetuari tjetër për këtë çështje, këshilltar e më vonë përgjegjës i njësisë së prokurimit, kishte zotëruar në atë kohë të dhënat e llogarive të anëtarëve të komisionit dhe I kryente vetë veprimet nga Tirana. Sipas avokatit, Hristo nuk ka pasur asnjë qëllim të pengonte konkurrencën, por synimi tij ishte të përfundoheshin punët publike.
Yzeiraj konstatoi se SPAK nuk shpjegon se përse ndaj Hristos qëndron akuza e shpërdorimit të detyrës dhe pse nuk është situara e shkeljes së barazisë në tendera. Po ashtu, Yzeiraj vërejti se vepra penbale e shkeljes së barazisë në tendera është parashkruar dhe duhet pushuar çështja.
Pasi u tërhoq, gjyqtarja Hajredinaj vendosi deklarimin fajtor të Hristos për shpërdorim detyre në bashkëpunim në disa raste, si dhe caktoi ndaj tij masë dënimi më të rëndë nga sa kishte kërkuar SPAK.







