
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të premten të lërë në fuqi dënimin ndaj ish- deputetit socialist, Jurgis Çyrbja dhe dy të pandehurve të tjerë, Altin Hajri e Ahmet Masha, për akuzat e korrupsionit në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Vendimi u nor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Daniela Shirka dhe anëtarë Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj.
Çyrbja u dënua në shkallë të parë me 3 vjet burg për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 2 vjet burg dhe u lirua më 21 shkurt të këtij viti, pasi u përllogarit se ishte përfunduar vuajtja e dënimit.
Apeli la në fuqi dhe dënimin e me 2 vjet burg të Altin Hajrit për veprat penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” e “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim në një rast, si dhe masën me 1 vit e 8 muaj heqje lirie për Ahmet Mashën për “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim në një rast dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet ndaj Çyrbjas zbuluan lidhje të thella dhe bashkëpunim mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja përdori funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat i vinte në dispozicion të anëtarëve të grupeve kriminale.
Të pandehurit u akuzuan se në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021 janë vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga të pandehurit te personat në kërkim, të cilët për shkak të kësaj ndihme kanë shmangur arrestimin.
Në kohën kur Çyrbja ka kryer këto vepra penale, ai ishte deputet i Partisë Socialiste. Ai u rizgjodh deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, funksion që e mbajti deri më 9 tetor 2024, kur dorëzoi mandatin pak ditë para arrestimit.







