
Deputeti socialist, Taulant Balla, një prej shtatë dëshmitarëve të thirrur për t’u pyetur në seancën e së enjtes, më 30 prill, në procesin penal në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe disa të pandehurve të tjerë, lidhur me privatizimin e ambienteve të ish-klubit sportiv “Partizani”, iu përgjigj pyetjeve të palëve për më shumë se tre orë e gjysmë. Ai u thirr në cilësinë e kallëzuesit.
Çështja ndaj Berishës dhe të pandehurve të tjerë u përmbyll në tetor të vitit 2024, kur SPAK e dërgoi në gjykatë për shqyrtim gjyqësor, me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Berisha dhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat, duke e cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama, i cili është gjithashtu në listën e dëshmitarëve.
Balla u paraqit në sallë me disa akte, por gjykata nuk e lejoi t’i mbante në tavolinë. Ai u betua se do të deklaronte “vetëm të vërtetën” për çdo pyetje që do t’i drejtohej. Fillimisht u pyet nga prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai, se mbi çfarë e kishte mbështetur kallëzimin penal.
Balla deklaroi se kishte ngritur publikisht shqetësimet dhe dyshimet e tij për mënyrën e privatizimit të kompleksit “Partizani” që prej vitit 2012. “Kam vlerësuar se ky proces privatizimi është zhvilluar jo sipas procedurave ligjore. Kam dyshuar se janë shfrytëzuar pozicionet dhe lidhjet familjare”, tha ai, duke shtuar se binte në sy fakti që procesi, nga njohja deri te privatizimi, ishte përmbyllur brenda një periudhe 6-mujore, ndërkohë që procese të tilla zakonisht zgjasin me vite.
Ai tha se kishte kryer verifikime në cilësinë e deputetit të opozitës në atë kohë, pasi kishte dyshime se prona ishte nxjerrë nga plani i përhapjes, si dhe për faktin se godinat ishin shitur për 10 milionë lekë – një vlerë që ai e cilësoi dhjetëra herë më të ulët se ajo reale.
Balla shtoi se kishte ngritur dyshime edhe për fshehje pasurie dhe pastrim parash, pasi Malltezi zotëronte vetëm 1/64-ën pjesë takuese të tokës, ndërkohë që kishte përfituar miliona euro nga shitja e apartamenteve dhe pronave në 17 objektet e ndërtuara.
Po ashtu, ai deklaroi se kishte dyshuar për përfshirjen e Berishës për shkak të pozicionit të tij si kryeministër në kohën kur ishte realizuar procesi dhe ishte favorizuar shitja e objekteve.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurores, Balla tha se kishte të dhëna se përfituesit nga ky privatizim ishin shpronësuar shumë kohë më parë nga qeveria italiane, e cila kishte planifikuar ndërtimin e një aeroporti në atë zonë. Sipas tij, kjo rrethanë ishte bërë e njohur edhe për publikun përmes publikimit të një shkrese nga babai i Malltezit.
Më pas, pyetjet i drejtoi i pandehuri Jamarbër Malltezi, i cili kërkoi të dinte pozicionet politike të Ballës. Ky i fundit shpjegoi se ishte zgjedhur për herë të parë deputet në vitin 2005 dhe renditi një sërë funksionesh që ka mbajtur, përfshirë edhe atë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai theksoi se kallëzimin e kishte bërë si qytetar dhe politikan.
Balla shpjegoi se të dhënat dhe aktet e paraqitura në kallëzim i kishte siguruar përmes kërkesave për informacion, si dhe nga burime të tjera, përfshirë median.
Kur u pyet për provat mbi të cilat ishte bazuar kallëzimi, ai u përgjigj se në 21 vite në politikë nuk kishte parë një aferë më të qartë se kjo, duke theksuar se prona shtetërore ishte marrë brenda 6 muajsh.
Malltezi kundërshtoi këtë pretendim, duke vërejtur se njohja e pronës daton në vitin 1996 dhe pyeti nëse qëndronte afati 6-mujor. Sipas Ballës, nga rreth 200 prona të ngjashme, vetëm kjo ishte nxjerrë nga plani i përhapjes dhe ishte privatizuar në një kohë kaq të shkurtër.
Ai gjithashtu pranoi se çmimi mund të kishte qenë rreth 80 milionë lekë, por theksoi se mbetej sërish shumë më i ulët se vlera e tregut.
Balla u pyet edhe për vendime të KRT-së të viteve 2004 dhe 2006, të firmosura nga kryeministri aktual Edi Rama, lidhur me kthimin e ambienteve sportive në shesh ndërtimi dhe lejen e zhvillimit të pronës. “Përderisa nuk i kam përfshirë në kallëzim, nuk kam dijeni”, tha ai.
Ai shtoi se dyshonte se shoqëria “Homeplan” ishte krijuar për të fshehur pasurinë dhe se i ishte referuar edhe investigimeve mediatike.
Gjatë seancës, prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja vunë re se të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre po bënin komente. Gjykata u tërhoqi disa herë vëmendjen avokatëve që të ishin më të përmbledhur dhe të bënin pyetje direkte, si dhe prokurorëve që të mos ndërhynin. Po ashtu, Ballës iu kërkua të përgjigjej vetëm në cilësinë e dëshmitarit.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, dhe mbrojtës të tjerë e pyetën Ballën nëse kishte prova konkrete për favorizim. Ai përsëriti se shpejtësia e procedurës tregonte favorizim për shkak të lidhjeve familjare. “Në vlerësimin tim, keni bashkëpunuar si grup i strukturuar kriminal”, tha ai.
Në përgjigje të pyetjeve të avokatit Sokol Mëngjesi, Balla e cilësoi rastin si një shembull tipik korrupsioni, ku një person i lidhur me pushtetin përfiton përmes strukturave të ndërtuara për këtë qëllim.
Ai përsëriti se prona ishte shtetëzuar më parë dhe se ish-pronarët ishin kompensuar.
I pyetur nëse kishte prova konkrete, Balla u përgjigj se mbledhja e provave është detyrë e prokurorisë.
Avokatja Klodiana Gjyzari e pyeti se cilat ligje kishte ndryshuar Berisha, por Balla tha se nuk mbante mend vendime konkrete, duke theksuar se ai kishte nënshkruar vendime që favorizonin procesin.
Sipas Ballës, për shkak të konfliktit të interesit, Berisha duhej të ishte tërhequr nga vendimmarrja.
I pyetur nëse kishte diskutuar me Ramën për kallëzimin, Balla e mohoi këtë. “Nuk i kam marrë leje kryetarit të partisë për të bërë kallëzim”, tha ai.
Avokati Sokol Hazizaj vuri në pikëpyetje natyrën e kallëzimit.
“Aristoteli thoshte se njeriu është kafshë politike. E ka në qenësinë e tij”, u përgjigj Balla.
Seanca u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit zyrtar. Prokuroria kundërshtoi një pjesë të vogël të dëshmisë, ndërsa mbrojtja do të paraqesë kundërshtimet në seancën e radhës, të caktuar për 11 maj, ora 13:00. Gjykata vendosi gjithashtu të rinjoftojë gjashtë dëshmitarët e tjerë që nuk u pyetën.







