
Ish-presidenti i sportklubit “Partizani”, Albert Xhani dëshmoi të hënën më 11 maj në procesin penal në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe disa të pandehurve të tjerë lidhur me privatizimin e ambienteve të ish-klubit sportiv që ai administronte. I thirrur si dëshmitar nga SPAK, ai iu përgjigj edhe pyetjeve të mbrojtësve të të pandehurve.
Hetimi ndaj Berishës dhe të pandehurve të tjerë u përmbyll në tetor të vitit 2024, kur SPAK e dërgoi në gjykatë për shqyrtim gjyqësor, me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas prokurorisë, Malltezi përfitoi të ardhura nga një biznes ndërtim, falë vendimeve të qeverisë të kryesuar nga vjehrri i tij. Berisha dhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat, duke e cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama, i cili është gjithashtu në listën e dëshmitarëve.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurores Enkeleda Millonai, dëshmitari Albert Xhani rrëfeu se në vitin 2000 kishin kryer shndërrimin e shoqërisë dhe kishte pyetur në ministrinë përkatëse se si mund të merrnin ambientet. Sipas tij, i kishin thënë se ambientet mund të merreshin vetëm me kontratë përdorimi, pasi toka ishte vetëm për qëllime publike dhe e tillë do mbetej. Ai shtoi se e kishin sqaruar se në rast privatizimi, ishin të parët ish-pronarët e tokës që u lindte e drejta. Sipas Xhanit, ai fillimisht nuk e kishte ditur se toka kishte pronarë, por më vonë e kishte mësur këtë gjë, si prej institucioneve, ashtu dhe nga pronarët e tokës që i kishin kërkuar t’ua blinte.
Xhani tregoi se kishte pasur një konflikt me zyrën e sinoptikës për një sipërfaqe dhe se i kishte kërkuar ndihmë kryetarit të atëherëshëm të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili kishte nxjerrë lejet për fushat. Sipas Xhanit, kur i kishte thënë Ramës se mos në të ardhmen tokës i dilnin pronarët, ai i kishte thënë se nuk kishte asnjë problem, pasi ato toka do të mbeteshin fusha.
Në vijim, Xhani deklaroi se në vitin 2005, një mik i tij e kishte informuar se terrenit të “Partizanit” i kishte ndryshuar destinacioni. Ai tha se kishte telefonuar ish-kryetarin e Bashkisë Tiranë, Edi Rama, si dhe i kishte dërguar mesazh për ta pyetur se përse ishte ndryshuar destinacioni ambjenteve të sportklubit, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. “Shkaktar që mbetëm pa terrene sportive ishte kryetari i atëhershëm i Bashkisë Tiranë, Edi Rama,” deklaroi Xhani.
Prokuroria dhe përfaqësuesit e të pandehurve pyetën në cilësinë e dëshmitarit edhe ish-drejtorët e klubit shumësportësh “Partizani”, Bujar Labinoti e Afrim Tola, ish-drejtoreshën e Agjencisë së Kompesimit e Kthimit të Pronave në vitet 2006-2007, Dhurata Çela dhe topografin Petrit Kullolli.
Sipas Tolës, ai kishte drejtuar këtë institucion në vitet 2006-2008, kur kishin kryer një vlerësim të objekteve prej nga ishte konkluduar vlera rreth 20 milionë lekë ose 150 mijë euro. Labinoti tha se kishte pozicionin e drejtorit për periudhën 1992-2000. Sipas tij, kishin bashkëpunuar dhe me italianë për administrimin e klubit, por ata ishin larguar pasi e kishin nuhatur se tokën e kishin pronarët.
Ish-drejtoresha e Agjencisë së Kompesimit e Kthimitt ë Pronave, Dhurata Çela deklaroi se vendimarrja e saj lidhur me kthimin e tokave ish-pronarëve ishte plotësim i tre vendimeve të mëparshme.
I pandehuri Jamarbër Malltezi deklaroi në seancë se pretendimi i tyre për përndjekje politike të Berishës dhe familjarëve të tij, vërtetohet nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, të deputetit socialist Taulant Balla dhe personave të tjerë. Sipas tij, Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në vtin 2022, kishte bërë thirrje për hetimin e Berishës. Ai solli në vëmendje një vendimarrje të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që sipas tij, konstaton përndjekje politike lidhur me një deklaratë të bërë nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, por pa emër konkret. Sipas tij, në këtë rast thirrja është bërë nga Rama me emër konkret ndaj Berishës.
Seanca e radhës u shty për më datë 20 maj në orën 15:00, kur do të thirren për t’u pyetur si dëshmitarë ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango dhe ish-punonjësja pranë kësaj ministrie, Violeta Shqevi.







