
Kryenegociatorja bëri të ditur se qeveria shqiptare ka dorëzuar planet e punës për të plotësuar dhjetra hendeqe në shumicën e kapitujve, ndërsa pritet që vendet anëtare të vendosin kushte të reja për kapitujt themelorë që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë.
Në një raportim me karakter tërësisht teknik, Dhuka tha para deputetëve se synonte të mbyllte 10 nga 33 kapituj brenda këtij viti, ndërkohë që Shqipëria pret një vendim nga vendet anëtare të BE-së për vlerësimin e reformave të deritanishme, një mekanizëm që njihet si Raport i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) ose një lloj ‘provimi i ndërmjetëm’ për ecurinë e negociatave.
Qeveria pretendon se për tre kapituj Shqipëria i ka përmbushur teknikisht të gjitha kushtet dhe pret vlerësimin e Komisionit Europian, ndërsa në shtatë kapituj të tjerë puna është në fazë të avancuar.
“Për përmbushjen e 24 kushteve është punuar për adresimin e 92 hendeqeve kritike të dakordësuar me Komisionin Evropian. Këto hendeqe identifikojnë veprimet dhe masat institucionale të nevojshme për të arritur përafrimin me Acquis-në e BE-së dhe për të demonstruar zbatim efektiv në praktikë në luftën kundër krimit, korrupsionit, konsolidimit të reformës në drejtësi, të drejtave të njeriut, barazisë”- thuhet në raportin e dorëzuar në Kuvend nga kryenegociatorja Dhuka.
Kapitujt 23 dhe 24 që përkojnë me “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe “Drejtësia, Liria dhe Siguria” vlerësohen si më të rëndësishmit në negociata dhe janë kapitujt e hapur të parët që do të mbyllen të fundit.
Dhuka u ndal në mënyrë teknike tek reforma në drejtësi duke rreshtuar aktet ligjore të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Këto akte sipas ministres kanë përmirësuar organizimin e sistemit gjyqësor, standardizimin e vendimeve dhe forcimin e strukturave të shërbimit ligjor në gjykata si dhe kanë vendosur standardet e integritetit, me synimin që procesi i vettingut të mbetet funksional dhe i vazhdueshëm.
Për këto dy kapituj ajo bëri të ditur se Shqipëria është ende në pritje të përcaktimit të kushteve përfundimtare nga vendet anëtare të BE-së, ndërsa lajmëroi dorëzimin e paketave të tjera ligjore, ndër të tjera ndryshime në Kodin Penal që lidhen me direktivat për mashtrimin financiar.
Raportimi i kryenegociatores u prit me kritika nga opozita në komision për mungesë të transparencës për ecurinë e negociatave dhe për shikimin e procesit si thellësisht teknik pa analizuar ndikimin e reformave ligjore.
“Integrimi nuk është listë ligjesh dhe propagandë, por reforma reale,” tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku duke shtuar se raporti i paraqitur kishte më shumë lista aktesh ligjore sesa analiza konkrete mbi ndikimin e reformave.
Sipas saj, ka mungesë transparence në procesin negociues, ndërkohë që opozita dhe shoqëria civile janë përjashtuar nga diskutimet.
Tabaku ngriti shqetësimin për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe shtoi se raporti jepte numra hetimesh dhe akuzash, por ndërkohë nuk ka ka asnjë akuzë në shkallë finale. Ajo po ashtu solli statistika për vonesat e shqyrtimit të dosjeve në sistemin gjyqësor.
Edhe deputetja, Albana Vokshi, ngriti një sërë pyetjesh kritike dhe akuzoi qeverinë për mungesë transparence për ecurinë e procesit. “Pse e mbani procesin e integrimit top sekret dhe pse nuk ndani me publikun dhe opozitën informacion mbi negociatat dhe ecurinë reale të procesit?”iu drejtua ajo ministres përgjegjëse për Integrimin.







