
Përshëndetje nga Brukseli, ku maji ka ardhur me gjithë pompozitetin që Evropa mund të mobilizojë. Kjo sepse maji është muaji kur kontinenti merr një frymë të përbashkët dhe feston atë që, ndoshta, është arritja e tij më e madhe – Bashkimin Evropian, këtë projekt të madh paqeje dhe bashkëpunimi që, në mënyrë të çuditshme, vazhdon të funksionojë pavarësisht gjithçkaje që i është vënë përpara në periudhën e fundit.
Çdo vit më 9 maj, në Ditën e Evropës, institucionet e BE-së hapin dyert e tyre zakonisht të paarritshme dhe i lejojnë qytetarët të enden nëpër korridoret e pafundme.
Është e vetmja ditë kur unë dhe ti mund të kalojmë nëpër ato ndërtesa imponuese dhe, ndoshta, të ndihemi pak më afër mekanizmit që formëson mënyrën e jetesës së evropianëve.
Turmat i japin një ngrohtësi të pazakontë korridoreve zakonisht të ftohta të ndërtesave gjigante të BE-së që shtrihen përgjatë Rue de la Loi në Bruksel – ajo “flluskë” ku të huajt që jetojnë dhe punojnë në këtë lagje rrallë e ndiejnë jetën e përditshme të një belge tipike, që zhvillohet vetëm disa qindra metra më tutje.
Por ky maj ka një peshë të shtuar, veçanërisht për ata që e ndjekin nga Ballkani Perëndimor.
Këtë maj, Mali i Zi shënon dy dekada pavarësi. Dhe çfarë “dhurate” kanë marrë malazezët për këtë përvjetor prej porcelani: shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord të krijojnë një grup pune për të filluar hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Edhe pse një vendim thjesht teknik, ai ka një peshë të madhe simbolike dhe praktike. Kur BE-ja vendos të hartojë tekstin e traktatit, në thelb kjo nënkupton se procesi ka hyrë në fazën përfundimtare.
Të gjitha “nëse”-t zhduken gradualisht nga diskutimi. Pyetjet që mbeten janë “kur” dhe “sa shpejt”. Është një konfirmim procedural, por njëkohësisht një sinjal i qartë se Mali i Zi po shkon drejt anëtarësimit.
Por këtu gjërat bëhen interesante. Qeveria malazeze vazhdon të promovojë publikisht vitin 2028 si vitin e anëtarësimit. A është teknikisht e mundur kjo? Ndoshta po. Por a është realiste? Këtu në Bruksel fillojnë të ngrihen vetullat.
Mali i Zi ka mbyllur deri tani 14 nga 33 kapitujt negociues. Por jemi pothuajse në gjysmën e vitit dhe ora nuk ndalet për askënd.
Burime pranë qeverisë malazeze më thonë se aktualisht po punohet për menaxhimin e pritshmërive publike që ata vetë kanë krijuar. Por edhe nëse 2028 rezulton tepër ambicioz, fundi i kësaj dekade duket realisht i arritshëm për një valë të re zgjerimi të BE-së.
Kjo është periudha më e gjatë në historinë e BE-së pa pranuar asnjë anëtar të ri në bllokun me 27 shtete. Kroacia ende mban titullin e “shtetit më të ri anëtar” – një status që e ka ruajtur për 13 vjet. Ndërkohë, BE-ja madje është tkurrur, kur Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohej, edhe pse së fundmi ka një afrim të ri mes Londrës dhe Brukselit. Disa të tjerë po shohin mundësi rikthimi në procesin e anëtarësimit, si Islanda, e cila dikur e nisi procesin, por më pas e tërhoqi aplikimin.
Duke miratuar këtë hap të hartimit, Mali i Zi tani ndodhet aty ku Kroacia ishte 17 vjet më parë. Grupi i punës për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit me Kroacinë u krijua në dhjetor 2009, ndërsa vendi u bë anëtar i plotë i BE-së në korrik 2013.
Ky është afërsisht afati kohor që shërben si precedent.
Traktati i anëtarësimit të Malit të Zi pritet të vendosë rregulla të reja – për këtë mund të vihet bast. Brukseli ka nxjerrë mësime të kushtueshme nga Hungaria, Polonia dhe Sllovakia për atë që ndodh kur standardet demokratike dobësohen pas anëtarësimit. Ky traktat pritet të përfshijë masa mbrojtëse të forcuara që në fillim, për të parandaluar një prapakthim të tillë.
Reformimi i BE-së në agjendë
Ndërkohë, institucionet e BE-së i kanë kaluar vitet e fundit duke u përpjekur të reformohen nga brenda, duke u përgatitur për të përthithur anëtarë të rinj. Paratë flasin më fort se vetë reformat që supozohet se po i zbatojnë vendet kandidate. Disa draft dokumente që po përgatiten nga Komisioni Evropian theksojnë pasojat e zgjerimit të ri – si për mënyrën se si do të funksiononin institucionet, ashtu edhe për koston e tij financiare.
Funksionaliteti ka rëndësi të madhe, sepse, për të qenë të sinqertë, BE-ja ka vështirësi të funksionojë pa probleme edhe me 27 anëtarët aktualë. Po qarkullojnë ide të ndryshme reformash që nuk do të kërkonin ndryshimin e traktateve ekzistuese – gjë me fat, sepse arritja e një marrëveshjeje mes të gjitha shteteve për ndryshime të traktateve është pothuajse mision i pamundur.
Dokumenti që ka kohë në proces hartimi në Komisionin Evropian, duke marrë parasysh kontekstin gjeopolitik, thekson pse zgjerimi është më i rëndësishëm se kurrë më parë.
“Në historinë e procesit të integrimit evropian”, thuhet në një draft, “zgjerimi nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm sa në mjedisin aktual gjeo-global”.
Komisioni po analizon në detaje të imta se çfarë sfidash do të krijonte zgjerimi për shtetet aktuale dhe për funksionimin institucional.
Ata po shqyrtojnë madhësinë e territorit, numrin e popullsisë, nivelin e zhvillimit dhe potencialin për migrim masiv të punëtorëve drejt shteteve më të vjetra dhe më të pasura anëtare.
Disa llogaritje të brendshme sugjerojnë se nëse do të bashkoheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor plus vendet e Partneritetit Lindor – në total nëntë shtete – popullsia e BE-së do të rritej me rreth 15 për qind, por GDP-ja totale do të rritej vetëm me rreth 4 për qind.
Ekziston një dallim i dukshëm midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë në këto projeksione. Sa i përket kufijve të jashtëm, pranimi i Ukrainës do ta zgjeronte ndjeshëm kufirin me Rusinë, ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor është tashmë i rrethuar kryesisht nga territori i BE-së – me Kosovën si vendi i vetëm në rajon që nuk kufizohet drejtpërdrejt me BE-në.
Megjithatë, disa shtete anëtare të BE-së vazhdojnë të këmbëngulin se reformat e brendshme janë absolutisht të nevojshme. Drafti i Komisionit për ndikimet e zgjerimit sugjeron se procesi i anëtarësimit dhe reformat e brendshme duhet të ecin paralelisht, në të njëjtën kohë.
“BE-ja duhet të thellohet ndërsa zgjerohet”, thuhet në draft, “duke garantuar njëkohësisht mbështetjen e qytetarëve si në shtetet aktuale, ashtu edhe në ato të ardhshme anëtare”. Ky dokument ende nuk është publikuar, ndonëse Komisioni e ka premtuar prej të paktën një viti.
Burokratët e BE-së besojnë se duhet të shfrytëzojnë momentin pozitiv. Sipas Eurobarometrit të fundit – sondazhe publike të kryera rregullisht në emër të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së – 56 për qind e qytetarëve të BE-së mbështesin pranimin e vendeve të reja anëtare, përqindja më e lartë në dy dekadat e fundit. Kjo është një mbështetje reale publike që ata nuk duan ta humbasin.
Megjithatë, problemi më i madh institucional mbetet ndryshimi i sistemit të votimit.
Menjëherë pas zgjedhjeve të fundit në Hungari, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për kalimin nga votimi unanim në votim me shumicë të kualifikuar për shumë çështje më pak të ndjeshme. Ironia është e dukshme: kalimi nga unanimiteti në shumicë të kualifikuar sërish kërkon unanimitet. Dhe ky është një “luks” nga i cili shtetet më të vogla të BE-së nuk janë të gatshme të heqin dorë. Megjithatë, Komisioni Evropian beson se ka hapësirë për ndryshime edhe brenda traktateve ekzistuese.
BE-ja shpesh gjendet e paralizuar nga vetoja e një vendi të vetëm. Maqedonia e Veriut është viktima më e madhe e vetove nga fqinjët e saj, të cilat i bllokojnë përparimin. Ironikisht, ky vend dikur konsiderohej më i avancuari në rajon; ai nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në në vitin 2001, para Kroacisë.
Vendimet për zgjerimin, përfshirë hapjen e kapitujve negociues, përmenden mes burokratëve të BE-së si fusha që duhet të kalojnë në votim me shumicë të kualifikuar, ndërsa unanimiteti do të vazhdonte të aplikohej për vendimet përfundimtare të anëtarësimit dhe mbylljen e procesit.
Meqenëse Mali i Zi është kandidati më i mundshëm për anëtarësimin e radhës, traktati i tij i pranimit bëhet njëkohësisht test dhe model për traktatet e ardhshme.
Përfshirja e Malit të Zi, me pak më shumë se 600,000 banorë, nuk paraqet sfida të mëdha financiare apo institucionale. Por ka peshë të madhe simbolike. Ajo dëshmon se zgjerimi është i mundur dhe realist, nëse vendet aspiruese zbatojnë reformat e nevojshme.
Ndërsa festimet e 9 majit mbushën Brukselin me muzikë, ngjyra dhe turma, zemrat e vendimmarrësve evropianë rrihnin më shpejt për një festë që po ndodhte rreth 1,500 kilometra larg.
Në ditën kur ra fashizmi dhe u ngrit Evropa moderne, një fllad politik vere përshkoi kryeqytetin hungarez, Budapestin, ku pas 16 vitesh, një lidership i ri politik mori pushtetin. Shumë simbole që përkojnë në një ditë të vetme simbolike. Nuk ka nevojë të shpjegohet pse kjo ka rëndësi.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.







