
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të mërkurën shpalljen fajtorë të tre prej pesë të pandehurve, të akuzuar si pjesë e një rrjeti trafikantësh të qënieve njerëzore, të cilët akuzohen se mundësuan trafikimin e të paktën 25 shtetasve shqiptarë drejt SHBA-së, kundrejt vlerave monetare 40 mijë deri në 45 mijë dollarë.
Luc Melaj, i akuzuar si drejtues i grupit u deklarua fajtor për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve për qëllime përfitime” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar criminal; “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit. Ndërkohë, ju pushua akuza “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në përfundim, ndaj tij u caktua dënimi me 12 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfitohet ulja e 1/3-ës së masës, u pakësua në 8 vjet.
Fajtorë u deklaruan dhe dy të pandehurit e tjerë që kërkuan gjykim me procedurë të skurtuar, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj, të cilët u dënuan me nga 4 vjet burg. Por, gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimeve të tyre dhe i vendosi në shërbim prove për 3 vjet.
SPAK pretendon se trafikantët kryenin fillimisht takime në Shqipëri, me personat që kanë kërkuar të udhëtojnë jashtë apo me familjarë të tyre, kur sqarohej itinerari i udhëtimit dhe pagesat që duhej të kryheshin, të cilat varjonin nga 40 mijë deri në 45 mijë dollarë për secilin. Kërkuesit për të udhëtuar drejt SHBA-së kanë qenë kryesisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, persona që kishin familjarë në SHBA.
Përmes ndihmës të pandehurve Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, punonjës policie, të punësuar pranë pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit, është mundësuar mosregjistrimi në sisteme për shtetasit që kanë pasur probleme të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe për të tjerë që janë azilkërkues në Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e SHBA.
Organizatorët e trafikut siguronin dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht franceze, që u jepeshin të interesuarve, pasi ata mbërrinin në Spanjë. Më pas, udhëtonin drejt Meksikës nëpërmjet rrugëve ajrore dhe pasi priteshin e akomodoheshin atje, transportoheshin në rrugë tokësore deri në SHBA.







