
Gjykata e Posaçme e Apelit shpalli të mërkurën më 20 maj vendimin lidhur me dy akuzat për korrupsion pasiv ndaj ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, duke e rrëzuar njërën prej akuzave. Po ashtu, u vendos pezullimi i dënimit dhe kalimi në shërbim prove.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Bllako u dënua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me katër vjet burg për korrupsion në dy raste. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Hetimet për Bllakon në këtë çështje lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë, të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Sipas Prokurorisë, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë. Gjithashtu, Bllako u akuzua se i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit. Për këtë shërbim, Bllako u akuzua se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta puinësonte fiktivisht Bezhanin, prej nga ky i fundit ka siguruar një përfitim në vlerën 7. 5 milionë lekësh.
Trupi gjykues i Apelit të Posaçëm i kryesuar nga gjyqtarjua Igerta Hysi, me anëtarë gjyqtarët Engert Pëllumbi dhe Daniela Shirka vendosi të mërkurën lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë ndaj Bllakos për disponimin lidhur me fajësinë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 euro, si dhe për disponimet lidhur me aplikimin e dënimit plotësues për mosmbajtjen e funksioneve publike për pesë vjet.
Ndërkohë, Bllako u deklarua i pafajshëm për përfitimin e parregullt të vlerës 7.5 milionë lekë për shtetasin Vladimir Bezhani.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga ulet 1/3-ta e masës së dënimit, gjykata vendosi dënimin e Bllakos me 2 vjet burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e tij në shërbim prove.







