
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kaloi mëngjesin e të enjtes nëpër korridorin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për të mbërritur në sallën nr.3 ku ishte caktuar të zhvillohej seanca gjyqësore për çështjen penale në ngarkim të tij, lidhur me aferën e sterilizimit, kur ai paraqiti kërkesat paraprake.
Bazuar në vendimin e gjykatës të datës 28 prill, kur u pranua kërkesa e Beqajt për të qëndruar jashtë kabinës së xhamit, ai hyri në sallën e gjyqit nga dera që përdoret nga palët dhe publiku. I shoqëruar nga dy punonjës policie, Beqaj shkoi dhe u ul në tryezën ku gjendej avokati i tij, Ermal Yzeiraj. Punonjësit e policisë i hoqën prangat dhe qëndruan pranë tij gjatë gjithë seancës që, pa përfshirë një pushim, zgjati rreth dy orë e gjysmë.
Sapo Beqaj u lirua nga prangat, filloi të shfletonte qindra faqe në të cilat kishte argumentuar kërkesat e tij paraprake.
Kryesuesja e trupit gjykues, solli në vëmendje për Beqajn dhe avokatin e tij, se gjatë seancës së të enjtes duhej të paraqisnin gjithë kërkesat e tyre paraprake.
Avokati Ermal Yzeiraj, konstatoi se akuza ndaj Beqajt nuk ishte ngritur nga prokuroria, ashtu si e kërkon legjislacioni shqiptar, por nga gjykata. “Vlerësojmë se gjykata nuk mund të jetë burimi i akuzës. Kodi i Procedurës Penale ja njeh ekskluzivisht prokurorisë ngritjen e akuzës. Gjykata në këtë rast, është jo vetëm në rolin e organit që gjykon, por edhe që akuzon”, u shpreh Yzeiraj dhe solli në vëmendje se akuza është përcaktuar nga gjykata e seancws paraprake dhe jo prej prokurorit që e ka kompetencë.
Nisur nga këto rrethana, ai kërkoi që çështja ndaj Beqajt të pushohet, ose të pezullohet dhe të dërgohet për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese përcaktimi ligjor që ka të bëjë me kompetencën e ngritjes së akuzës penale.
Në vijim, i pandehuri Beqaj sqaroi do të parashtronte 16 kërkesa paraprake që i kishte punuar me shkrim në 230 faqe. Megjithatë, në seancën e të enjtes ai paraqiti vetëm 11 kërkesa, pasi seanca u shty për shkak se gjyqtarët e trupit gjykues ishin pjesë e proceseve të tjera që po zhvilloheshin në gjykatë.
Në fillim të fjalës së tij, Beqaj deklaroi se ai gjendet në një situatë të pafavorshme, pasi gjykata ka dëgjuar për 10 vjet për kontratat koncesionare të shëndetësisë, për të cilat thuhet se shkak i çalimit të këtij sektori janë paratë që marrin oligarkët e këtyre kontratave. “E vështirë që ju të zhvisheni nga çfarë keni dëgjuar”, tha ai, por gjykata e ndërpreu duke i sjellë në vëmendje se nuk është momenti për këto deklarata.
Beqaj renditi në mënyrë të përmbledhur kërkesat e tij, duke pretenduar se i janë krijuar pengesa për të kryer një mbrojtje efektive gjatë hetimit, pasi nuk i është dhënë mundësia të njihet me dosjen. Po ashtu, ngriti pretendime mbi procesin e rregullt ligjor gjatë kryerjes së hetimeve paraprake, duke konstatuar mangësi të disa akteve të prokurorisë dhe pavlefshmëri të tyre, e për rrjedhojë pushimin e çështjes.
Sipas Beqajt, SPAK i kishte caktuar një vlerë monetare për t’u njohur me aktet dhe se një i pandehur nuk duhet të detyrohet me shtrëngesë financiare. Ai ngriti si pretendim edhe mospraninë e Avokaturës së Shtetit. Sipas Beqajt, megjithëse Kodi i Procedurës Penale nuk e kërkon një gjë të tillë, kjo përcaktohet në ligjin për Avokaturën e Shtetit për të proceduarit për shpërdorim detyre apo korrupsion. Ai kërkoi që Avokatura e Shtetit të jetë pjesë e procesit.
Beqaj e cilësoi kallëzimin e kryer nga “Nisma Thurje” me supozime, pyetje e shqetësime, por pa të dhëna të verifikuara. Sipas tij, hetimi nuk mund të kryhet pa pasur dyshime të arsyeshme dhe kërkoi shpalljen e pavlefshëm të regjistrimit të procedimit penal, e për rrjedhojë pushimin e gjykimit.
Ai kërkoi pushimin e gjykimit, duke pretenduar se çështja ndaj tij është e gjykuar, pasi hetime të mëparshme me të njëjtin objekt janë pushuar dhe nuk ka pasur ankime. Beqaj solli si argument faktin se tre prokurorët që kanë pushuar çështjet ndaj tij për kontratën e sterilizimit, e kanë kaluar vetingun dhe se nuk janë konstatuar të paaftë profesionalisht gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tyre.
Në vijim, Beqaj pretendoi se ndaj tij janë kryer veprime hetimore prej dhjetorit të vitit 2020, duke u verifikuar të dhënat bankare, përfshi dhe ato të familjarëve. Ai konstatoi se prokuroria e ka regjistruar si person nën hetim në tetor të vitit 2023, tre vjet pasi ishin kryer veprime hetimore aktive nga ana e SPAK.
Beqaj kundërshtoi si të pabazuar një vendim gjykate të kryer gjatë hetimit paraprak, në të cilin gjykata ka vlerësuar se mund të helmonte provat. Sipas tij, kjo nuk mund të ndodhte pasi kontrata ishte e vitit 2015 dhe se ishte larguar nga pozicioni i ministrit të Shëndetësisë në 2017-ën.
Beqaj argumentoi se në ministri ka dualitet kompetencash. Sipas tij, ministri ka përgjegjshmërinë, ndërsa sekretari i përgjithshëm, përgjegjësinë. Po ashtu, ai vërejti se në atë periudhë ka ndryshuar legjislacioni për koncesionet, duke u përcaktuar që ankimi të mos kryhet pranë autoritetit kontraktor, por direkt në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Ai pretendoi se nuk është njoftuar për shtyrje të afateve të hetimit, duke iu mohuar e drejta e ankimit. Sipas Beqajt, gjithë hetimet e kryera pas periudhës së zgjatjeve të hetimit që nuk i është njoftuar është e paligjshme e për rrjedhojë, çështja duhet të pushohet.
Beqaj paraqiti si shkak për mungesë të procesit të rregullt ligjor gjatë hetimeve, edhe refuzimin e gjithë memove të depozituara në SPAK. Ai e cilësoi njoftimin e akuzës si një akt të papërfunduar, me argumentin se vetë SPAK është shprehur “deri në këtë fazë të hetimit”, në momentin kur ia kanë komunikuar. Sipas tij, edhe gjatë njoftimit, është shënuar se gjykata çmon dhe jo prokuroria. “’Gjykata çmon’, thotë prokurori kur më njofton akuzën. E korrigjon më vonë, por mua më është njoftuar ajo akuzë”, tha Beqaj duke pretenduar se prokuroria nuk ka qenë e pavarur në procedurën e njoftimit të akuzës ndaj tij.
Duke e cilësuar jo përfundimtar aktin e komunikimit të akuzës, Beqaj kërkoi pavlefshmëri të tij dhe për rrjedhojë të gjitha aktet e mëvonshme.
Në vijim, Beqaj pretendoi se, ndarja e çështjes nga prokuroria lidhur me zbatimin e kontratës, rrëzon akuzat e vjedhjes e të shpërdorimit të detyrës, së ngritura ndaj tij. Ai këmbënguli se këto akuza lidhen me zbatimin e kontratës koncesionare.
Për të gjithë kërkesat e paraqitura në të cilat Beqaj konstatoi mangësi hetimore dhe shkelje procedurale, kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes.
Për shkak se kishin mbetur rreth 100 faqe të tjera për t’u lexuar, rreth orës 12:30, gjykata e ndëpreu seancën dhe e shtyu për më datë 9 qershor, në orën 11:00.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Veç për aferën e sterilizimit, Beqaj është dërguar për gjykim edhe për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur ai drejtonte SASPAC.







