
Ideja e një Bashkimi Evropian të Mbrojtjes po fiton gjithnjë e më shumë terren në mbarë Evropën. Por për sa kohë që NATO-ja vazhdon të dominojë arkitekturën e sigurisë evropiane, perspektiva për ndërtimin e një bashkimi mbrojtës efektiv do të mbetet e paarritshme. Për t’u bërë sovrane në çështjet e mbrojtjes (dhe më gjerë), Evropa duhet ta ndërpresë NATO-n – një perspektivë po aq e pamundur sa edhe e domosdoshme.
Mark Rutte, ish-kryeministri holandez që sot mban postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, së fundmi la të kuptohej një të vërtetë që shkaktoi reagime të forta në mbarë Evropën. Ai e përshkroi aleancën jo thjesht si mburojë mbrojtëse të Evropës, por si “…një platformë për Shtetet e Bashkuara për të projektuar fuqinë në skenën botërore”, dhe se “përdorimi i aseteve kyçe këtu në Evropë” është “thelbësor edhe për suksesin e kësaj fushate amerikano-izraelite” në Iran.
Rutte ka të drejtë. NATO-ja është një bazë e avancuar për luftëra që Evropa nuk i ka zgjedhur, kundër kundërshtarëve që Evropa nuk i ka, në shërbim të ambicieve globale të një fuqie që gjithnjë e më shumë është në kundërshtim me interesat dhe vlerat e Evropës. Udhëheqësit evropianë gjithmonë e kanë ditur se Aleanca e Atlantikut të Veriut ishte një martesë mes të pabarabartësh, por ata e pranuan këtë në këmbim të premtimit të sigurisë.
Tani që angazhimi i SHBA-së për sigurinë evropiane është në dyshim, Rutte po ngjan si një figurë e vetmuar që vazhdon të mbrojë një marrëveshje që e mban Evropën të lidhur pas “perandorisë amerikane”. Edhe mes atlantistëve evropianë, besimi se NATO-ja do të kthehet automatikisht në “normalitetin e saj” pasi Donald Trump të largohet nga pushteti po zbehet (edhe pse shumë ngadalë).
Pranimi i përhershëm i tekave të SHBA-së nuk përbën një strategji evropiane të mbrojtjes. Në të njëjtën kohë, edhe evropianët më konservatorë e pranojnë se NATO-ja pa SHBA-në do të ishte si një biçikletë pa drejtues. Kjo është arsyeja pse thirrjet për një Bashkim Evropian të Mbrojtjes, më së shpeshti një koalicion i shteteve të gatshme i krijuar përmes procedurës së bashkëpunimit të zgjeruar të BE-së dhe që përfshin Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, po shtohen.
Por aty qëndron problemi. Për sa kohë NATO-ja vazhdon të ekzistojë, një alternativë e qëndrueshme evropiane është e pamundur.
Një Bashkim Evropian i Mbrojtjes që funksionon siç duhet kërkon përgjigje të qarta për katër pyetje të vështira: Kush i jep urdhrat për armët e Evropës? Kush emeton borxhin e përbashkët të nevojshëm për t’i paguar ato? Si shpërndahen shpenzimet përkatëse midis “kampionëve kombëtarë” të industrisë së mbrojtjes në shtetet anëtare? Dhe, jo më pak e rëndësishmja, kush do t’u japë urdhër evropianëve me uniformë të vrasin dhe të vriten?
Përgjigje të arsyeshme për këto pyetje nuk mund të jenë ndërqeveritare dhe as NATO-ja nuk mund t’i ofrojë ato. Parakushti që Evropa të ndërtojë një union të saj të mbrojtjes është një bashkim politik, i një lloji që arkitektët e bashkimit monetar e shmangën me vetëdije.
Disa argumentojnë se kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballet Evropa sot, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, mund të krijojnë një moment të ri shtyse drejt bashkimit politik, të cilin as kriza e euros dhe as pandemia nuk arritën ta prodhonin. E drejtë apo e gabuar, një gjë është e qartë: një bashkim funksional mbrojtjeje kërkon bashkim politik, dhe vazhdimësia e NATO-s është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të.
Për brezin e Luftës së Ftohtë, nënshtrimi i mbrojtjes së Evropës ndaj prioriteteve të SHBA-së kishte kuptim. Elitat amerikane dhe ato të Evropës Perëndimore ishin të lidhura nga një frikë reale dhe ekzistenciale ndaj Bashkimit Sovjetik, si dhe nga një mekanizëm financiar që, në vitet 1950 dhe 1960, e ktheu Evropën në ricikluesen e tepricave amerikane. Edhe pasi tepricat amerikane u zëvendësuan nga deficite të mëdha, Evropa vazhdoi t’i rikthente tepricat e saj në dollarë drejt SHBA-së: amerikanët blinin makina gjermane dhe çanta luksoze franceze, ndërsa evropianët i përdornin ato dollarë për të blerë borxh amerikan, aksione dhe pasuri të paluajtshme.
Ndërkohë, Muri i Berlinit ra. Bashkimi Sovjetik u kthye në një relikte muzeale, ndërsa Rusia e Boris Yeltsin nuk kërkonte asgjë më shumë sesa të bëhej pjesë e Perëndimit, përfshirë edhe NATO-n. SHBA-ja nuk e kishte më frikë Rusinë. Ajo që filloi ta frikësonte SHBA-në ishte një afrim i tepruar mes Gjermanisë dhe Rusisë, i cili mund të vinte në pikëpyetje hegjemoninë e saj mbi Evropën.
Industria gjermane funksiononte mbi gazin rus. Por eksportet gjermane mbështeteshin mbi deficitet amerikane, duke i dhënë SHBA-së levën e nevojshme për të garantuar pranimin e Gjermanisë ndaj politikës së saj me dy kahe, që synonte të pengonte integrimin e Rusisë në Evropë. Ajo e varfëroi qëllimisht shoqërinë ruse dhe zgjeroi NATO-n drejt lindjes, duke krijuar kështu kushtet ideale për ngritjen e një figure si Vladimir Putin.
Ndërsa NATO-ja zgjerohej drejt lindjes, elita të reja në pushtet – në vendet baltike, por edhe në Poloni dhe sot në Finlandë – zbuluan se mund të ushtronin një ndikim shumë më të madh brenda BE-së duke u shndërruar në përfaqësuesit më të zellshëm të zgjerimit amerikan. Papritur, Evropa, përveç ndarjes veri-jug (që ndan Gjermaninë dhe Holandën me surplus nga Greqia, Italia dhe Spanja me deficit), shtoi edhe një ndarje të re mes “hiper-aktiviteteve” lindore dhe moderimit perëndimor, ku secila palë e tërhiqte BE-në në drejtime të ndryshme.
Edhe nëse SHBA-ja nuk kishte interes të ndante Evropën për ta sunduar atë, NATO-ja i amplifikoi forcat centrifugale që e bënë të pamundur formësimin e bashkimit politik evropian – dhe, rrjedhimisht, edhe të çdo bashkimi efektiv të mbrojtjes. Prandaj Evropa duhet të largohet nga NATO-ja – jo sepse Rusia është miqësore (nuk është), dhe as sepse Amerika është e ligë (është thjesht perandorake). Por Evropa duhet të largohet nga NATO-ja sepse një aleancë që shërben si platformë që SHBA-ja të rpojektojë fuqinë e saj në skenën botërore do të vazhdojë gjithmonë të favorizojë mjaft aktorë evropianë brenda saj, duke penguar konsolidimin dhe sovranitetin e Evropës.
Njëherë kam dëgjuar shkrimtaren irlandeze Edna O’Brien të thotë se “shkatërrimi i një zemre është një proces i ngadaltë dhe i fshehtë, që maskohet si detyrë.” E njëjta gjë vlen edhe për shkatërrimin e një kontinenti. Sa herë që një lider evropian shkon në Uashington dhe përkulet para Zyrës Ovale, dëmi thellohet – ngadalë, në heshtje, dhe gjithmonë i maskuar si detyrë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. NATO Must Die







