
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi të premten më 29 maj deklarimin e pafajshëm të pesë zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, të akuzuar për falsifikim e shpërdorim detyre, së bashku me tre përfaqësuesit e shoqërive që fituan një tender në mars të vitit 2021 për demolimin e mbetjeve të 15 pallateve të prishura më parë për shkak se ishin dëmtuar nga tërmeti.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në tenderin për shkatërrimin e mbetjeve ndërtimore u paraqitën të dhëna të rreme duke u përfshirë edhe punime që ishin kryer disa muaj më parë, nga ku për rrjedhojë është shkaktuar dëm financiar në buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Kjo, për shkak të disbursimit të fondeve publike për punime fiktive.
Prokuroria kërkoi fajësi për të tetë të pandehurit e dërguar për gjykim. Ndërsa gjykata deklaroi fajtorë vetëm dy prej tyre. Aleksandra Muhametllari, mbikëqyrëse e punimeve e cila u dënua me 6 muaj burg; si dhe Shyqyri Malokun, përfaqësuesin e shoqërisë që ka fituar tenderin, ndaj të cilit u caktua masa 9 muaj heqje lirie. Po ashtu u vendos pezullimi i dënimit dhe vendosja në shërbim prove.
Gjykata deklaroi të pafajshëm pesë zyrtarët e Bashkisë Tiranë: Aurel Boriçi, drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile; Aurel Çulo, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile; Eleana Guçe, përgjegjëse e Sektorit të Politikave të Kompensimit nga Fatkeqësitë Natyrore; si dhe Sokol Qehajaj e Rexhina Rakipi, inspektorë të Mbrojtjes së Territorit. I pafajshëm u deklarua dhe përfaqësuesi i një shoqërie, Fatmir Shiri.







