
Ylli Pango, ish-ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i qeverisë “Berisha” gjatë periudhës 2007-2009 dëshmoi të hënën në Gjykatën e Posaçme në kuadër të procesit penal ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe disa të pandehurve të tjerë, lidhur me privatizimin e ambienteve të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Që në fillim të fjalës së tij, Pango vërejti se është thirrur për të dëshmuar për një histori të para 18 viteve dhe se është e vështirë të mbahet mend. Megjithatë, ai tha se disa të dhëna apo veprime të tij i janë kujtuar prej nga çfarë ka dëgjuar e lexuar në media. Pango u shpreh se nga sa kishte lexuar, një pjesë e ambjenteve ishin zaptuar. Sipas tij, kishte qenë objektiv i qeverisë, që të mbyllte procesin e privatizimit për të gjithë objektet dhe jo vetëm për ambjentet e ish-klubit “Partizani”.
Kur u pyet lidhur me një memo të drejtoreshës juridike të ministrisë që ai drejtonte, përmes së cilës kishte bërë me dije se do të privatizohej terreni, Pango konstatoi se ambjentet ishin në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë. Ai tha se kishte pyetur atëherë kryeministrin se përse të gjitha asetet shtetërore duhej të ishin në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë.
Pango u pyet nga prokurorët lidhur me kërkesën e tij për ndryshime ligjore, ku ai propozonte që të mos lejohej ndryshimi i destinacionit të terreneve sportive dhe të jepeshin me koncesion. Ai deklaroi se konsecionet janë praktika të zhvilluara në gjithë botën. Sipas tij, koncesionet i bëjnë nder vendit, pasi i jepej edhe mundësi zhvillimit të sportit.
Lidhur me pëlqimin për privatizim dhënë më vonë ish-pronarëve të truallit të ish-klubit sportiv, Pango deklaroi se pëlqimi i tij ishte ‘nul’, pasi prona nuk administrohej nga ministria që ai drejtonte.
Prokurorja Enkeleda Millonai e pyeti Pangon se si kishte dhënë miratimin për privatizimin e terreneve, kur nga ana tjetër kishte propozuar ndryshime ligjore që të jepej vetëm me koncesion. Pango deklaroi se kishte qenë për koncesion dhe për privatizim. Sipas tij, amendimet që kishte kërkuar nuk e përjashtonin privatizimin.
Për ndryshimet ligjore të mëvonshme që përcaktuan lejimin e privatizimit, Pango tha se nuk e kishte marrë ai këtë iniciativë ligjore. “Kjo ka qenë iniciativë qeveritare, për privatizimin”, tha Pango dhe shtoi se nga sa kishte lexuar në media së fundmi, nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë kur ishte trajtuar kjo çështje. “Me logjikë mendoj se ka qenë iniciativë qeveritare, në kuadër të privatizimeve,” pohoi Pango ndër të tjera.
Në përgjigje të pyetjeve të mbrojtësve të të pandehurve, Pango deklaroi se ai dhe vartësja që i kishte dërguar memon, nuk kishin pasur tagër për privatizimin e terreneve, pasi e kishte Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, ai tha se vartësja nuk e kishte bërë për keq memon, pasi ka dashur të ruante terrenet sportive.
Lidhur me ndryshimet ligjore, ai tha se legjislacioni bëhet për diçka të gjerë të përgjithshme dhe jo për raste të veçanta. Pango deklaroi se nuk i kujtohej të kishte diskutuar me Berishën apo Malltezin lidhur me këtë çështje.
Po ashtu, Pango deklaroi, se kishte lexuar së fundmi në media se kishin qenë dakord për privatizimin e këtyre terreneve edhe ish-ministra të qeverisë socialiste para vitit 2005, mes tyre dhe Blendi Klosi. Ai shtoi se ka mësuar nga media së fundmi edhe për vendimet e ish-kreut të atëhershëm të Bashkisë Tiranë, Edi Rama, për ndërrimin e destinacionit të ambjenteve të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Gjatë seancës të hënën u pyet si dëshmitare edhe Tetis Lubonja, ish-përgjegjësja juridike pranë drejtorisë rajonale Tiranë, të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, e cila ka qenë pjesë e komisionit që ka vlerësuar për kalimin e terrenit ish-pronarëve.
Lubonja deklaroi se në cilësinë e juristes beson në të drejtat e njeriut dhe se e drejta e pronës është një prej tyre. “Nëse do duhej të zgjidhja mes dikujt që donte të kryente privatizimin dhe ish-pronarit, do zgjidhja këtë të fundit,” deklaroi ajo, ndërsa shtoi se në atë periudhë kishte qenë një person që kishte ushtruar presion për ta privatizuar, për të cilin tha se nuk i’a mbante mend emrin.
Dëshmitarja deklaroi se aktet e ish-pronarëve kanë qenë të rregullta dhe të konfirmuara nga arkiva e shtetit dhe institucionet e tjera. Prokurorja Millonai e pyeti se përse nuk ishte shprehur në prokurori për presionet që i ishin bërë nga një individ që kërkonte privatizimin, por Lubonja deklaroi se në fakt kishte qenë një interesim i thelluar prej tij dhe se ajo nuk ndikohej nga presioni.
I treti që u pyet të hënën si dëshmitar ishte Altin Ceni, ish-specialist pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave. Ai shpjegoi se dosjet lidhur me kërkesat e ish-pronarëve për kthimin e pronave u shpërndaheshin prej drejtuesve dhe se krijoheshin grupe pune me një jurist dhe një topograf. Sipas tij, vlerësimi bëhej bazuar në përgjigjet që kthenin institucionet.
Ceni deklaroi se nuk kishte pasur asnjë lloj ndërhyrjeje në procedurën e zhvilluar për kthimin ish-pronarëve të terreneve të ish-klubit sportive “Partizani”. Sipas dëshmitarit, për periudhën 2-vjeçare që kishte pranuar pranë agjencisë, ai kishte trajtuar 420 dosje, por nuk mbante mend për sa ishte dhënë vendim.
Seanca e radhës u shty për më datë 6 korrik, në orën 10:00, kur do të pyeten si dëshmitarë ish-ministri i Mbrojtjes për periudhën 2008-2009, Gazmend Oketa, Elvira Lame dhe Paro Laçi.






