Kuvendi votoi me 96 vota kandidaturën e prokurorit Altin Binaj, i cili bëhet anëtari i 5 i Gjykatës Kushtetuese. Binaj ishte e vetmja kandidaturë që u paraqit nga KED para deputetëve.
Kuvendi votoi me 96 vota kandidaturën e prokurorit Altin Binaj, i cili bëhet anëtari i 5 i Gjykatës Kushtetuese. Binaj ishte e vetmja kandidaturë që u paraqit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi para deputetëve, për një mandat tashmë mjaft të kufizuar edhe në kohë.
Pas këtij votimi Binaj duhet të thirret për betim nga Presidenti i Republikës. Me zgjedhjen e Binajt parlamenti ka emëruar të tre anëtarët e tij në gjykatë, e cila nuk është funskionale prej tre vjetësh pasi anëtarët e saj u shkarkuan nga procesi i vetingut.
Gjykata Kushtetuese megjithatë nuk mund të jetë sërish plotësisht funksionale. Për këtë pritet që të zgjidhet nga Presidenti i Republikës edhe një prej dy vakancave që ai duhet të plotësojë. 3 vende vakante që zgjidhen nga Gjykata e Lartë do duhet të presin ngritjen e kësaj të fundit, ndërsa nuk kanë kandidatura dhe as shpallje të hapura. Një prej këtyre vendeve mbahet nga gjyqtarja Vitore Tusha, e cila kryeson edhe gjykatën. Tusha, e cila u konfirmua në procesin e vetingut, do të qëndrojë në detyrë deri në zgjidhjen e zëvendësuesit nga Gjykata e Lartë.
Votimi në Kuvend i kandidaturës së Binajt është përshëndetur nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca. Soreca shkroi se priste që KED t'i dërgonte listën me kandidatura presidentit dhe pas emërimit prej këtij të fundit gjykata të bëhej funksionale. Ai kujtoi se funksionimi normal i saj ishte një nga kushtet për negociatat.
Një përshëndetje të ngjashme shkroi edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim. “Presim që KED t'i dërgojë Presidentit listën e kandidatëve sa më shpejt”, shkroi Kim.
Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve '90 dhe ka qenë prokuror në Vlorë dhe drejtues i prokurorisë atje për disa vite. Në vitin 2013, prokurori Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit. Prej vitit 2016, Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorës.
Në garën e ngjashme të shpallur nga Presidenti i Republikës KED ka lejuar kandidimin dhe pritet të bëjë pikëzimin për tre kandidatë. Në listë është sërish prokurori Binaj, avokati Përparim Kalo dhe drejtori i kabinetit i Gjykatës Kushtetuese Aleksandër Toma. Për vakancën e dytë të shpallur nga Presidenti i Republikës në garë është vetëm juristja Sonila Bejtja.