Lajm29 Dec 2016

AMA jep licensën e katërt, por procesi i dixhitalizimit mbetet ende i hapur

Pas ndarjes së tre licensave numerike me vendim gjykate, AMA i jep “Vizion Plus” licensën e katërt, ndërkohë që kompania “ADTN” e zotëruar nga Digit-Alb dështoi të siguronte kuorumin e votave për licensën e fundit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i AMA, Gentian Sala, duke folur gjatë një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Medias në vitin 2014. | Foto nga : LSA

Kryetari i AMA, Gentian Sala, duke folur gjatë një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Medias në vitin 2014. | Foto nga : LSA

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA vendosi të premten që t’i japë televizionit “Vizion Plus” licensën e katërt të transmetimeve numerike, ndërkohë që gara vazhdon të mbetet e hapur për licensën e pestë dhe të fundit. Përmes një njoftimi për shtyp, AMA deklaroi se në mbledhjen e 29 dhjetorit shqyrtoi aplikimet e pesë subjekteve në garë për dy licensa kombëtare private të transmetimit audioviziv dhe vendosi të miratojë vetëm njërën prej tyre.

Sipas njoftimit, AMA vendosi dhënien e licensës kombëtare për shoqërinë “Media Vizion” sha dhe mosdhënien e licensës për shoqërinë “ADTN” sha. Kjo e fundit nuk arriti të siguronte kuorumin e nevojshëm të votave.

“ADTN” sha është një kompani e re e themeluar më 13 shtator 2016 dhe që zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga platforma e transmetimeve me pagesë, Digit-Alb.  Tre shoqëritë e tjera, “ABC News”, “Tring TV” dhe “Ora” sha janë skualifikuar nga gara.

I nisur prej qershorit 2012 si një kusht i Bashkimit Europian, procesi i dixhitalizimit në Shqipëri është shoqëruar me zvarritje të shumta, akuza për favorizime dhe procese të vazhdueshme gjyqësore. Procedura e parë, e cila u njoh me emrin Beauty Contest u rrëzua në gjykatë pas ankesës së operatorëve në garë.

Më 23 prill 2015, AMA shpalli procedurën e dytë të Beauty Contestit përmes dy kritereve; operatorët duhej të kishin licencë kombëtare ose eksperiencë në transmetimet dixhitale.

Të përzgjedhurit e AMA ishin televizionet kombëtare Top Channel dhe TV Klan, dy platformat dixhitale ekzistuese, Digit-Alb dhe Tring TV dhe një kompani e quajtur Supersport, e cila zotërohej gjithashtu 100 për qind nga Digit-Alb. Përfshirja e Supersportit në garë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërkohë që shpërndarja e licensave u bllokua sërish në AMA.

Megjithatë, një vendim i marsit 2016 i Gjykatës Administrative të Tiranës vendosi t’u japë tre prej licensave subjekteve “Top Channel”, “TV Klan” dhe “Digit-Alb”.

Më 3 nëntor 2016, AMA çeli garën për dhënien e dy licensave të fundit numerike për operatorët privatë, por nuk ka mundur sërish ta përmbyllë procesin që duhej të kishte përfunduar më 17 qershor 2015.