Lajm28 Jul 2020

Arrestimet e SPAK për vjedhje votash ngrenë pikëpyetje mbi rezultatin e zgjedhjeve 2017

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 me një rezultat historik, duke marrë 48% të votave në rang kombëtar dhe duke siguruar maxhorancën e parë të pastër që nga viti 2001. Por një pjesë e këtij rezultati duket se ka ardhur nga manipulime votash në shkallë të gjerë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama, duke votuar në mjediset e shkollës 9 vjeçare Ymer Lala, në fshatin Surrel, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017.

Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lëshoi 22 masa sigurie për tre grupe komisionerësh, të cilët akuzohen se në zgjedhjet e vitit 2017 në zonën e Shijakut kanë vjedhur 52 vota, të cilat në qendrat përkatëse përbëjnë 5.5% të votave të hedhura.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto tre qendra votimi Partia Socialiste ka marrë 52% të votave.

Sipas Prokurorisë, personat e marrë të pandehur kanë manipuluar rezultatin e votimit duke hedhur vota për personat që në kohën e zgjedhjeve nuk gjendeshin në Shqipëri por jetonin në emigrim.

Hetimet janë pjesë e dosjes tashmë të famshme 339 të vitit 2016, e cila është riemëruar si hetimi penal 29 i vitit 2019.

Sipas SPAK në qendrën e votimit 1508 në fshatin e vogël Shetël në zonën e Shijakut“…shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 22 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”.

Po kështu, në qendrën 1335 “…shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 7(shtatë) persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”.

Dhe në qendrën 1336, “…shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 23 persona të tjerë.”

Në qendrën e votimit 1508 sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në vitin 2017 u hodhën 418 vota, nga të cilat, Partia Socialiste fitoi 167 ose 41%. Por së paku 22 prej këtyre votave janë hedhur për Partinë Socialiste nga ana e komisionerëve.

Në qendrën 1335, në zgjedhjet e vitit 2017 pati 226 vota të gjetura ngë kuti nga të cilat, PS fitoi 143. Shtatë prej tyre ose 3.1% e të gjithë votave të fituara i përkisnin votave të pavërteta të emigrantëve.

Ndërsa në qendrën 1336 pati 302 vota në total nga të cilat, 181 ose 60% u morën nga PS. SPAK zbuloi se 23 vota ose 7.6% të totalit ishin vjedhur.

Në të tri qendrat e hetuara rezulton se është zbuluar manipulimi i së paku 5.5% të të gjitha votave.

Maja e ajsbegut

Dosja 339 nisi si një hetim i Prokurorisë për Krimet e Rënda mbi një organizatë të madhe kriminale të angazhuar në trafikun e drogës me bazë në Shijak. Organizata u përgjua për vite me radhë dhe gjatë hetimeve u zbulua se droga ishte një pjesë e aktivitetit të tyre kriminal ndërsa manipulimet zgjedhore dhe kontaktet me zyrtarë të lartë vendorë ishin pjesa tjetër e aktivitetit.

Në tetor 2018, prokuroria arrestoi 27 persona në lidhje me trafikun e drogës ndërsa dy ish deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko përfunduan në pranga nën akuzën për korrupsion. Hetimet për Çukon u pushuan më vonë pa akuzë.

Në janar 2019, një investigim i BIRN zbuloi atë që u quajt “maja e ajsbergut” në manipulimet zgjedhore, si dhe kontaktet e ngushta mes zyrtarëve socialistë si ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe anëtarëve të bandës kriminale.

Që nga janari i vitit 2019 deri më sot prokurorët janë kritikuar për mbyllje sysh dhe inaktivitet në lidhje me hetimin e krimit elektoral ndërsa Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, produkt i reformës në drejtësi, filloi punë dhjetorin e kaluar dhe mori përsipër dosjen në fjalë pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Tetë muaj më vonë, hetimi i indicieve të nxjerra nga përgjimet dhe kontrolli i regjistrave të firmave të votuesve duket se ka nxjerrë në pah një nga format e shumta të manipulimeve zgjedhore në Shqipëri, atë të votimit në emër të emigrantëve.

Shqipëria ka afërsisht 3.4 milionë persona në listat e votimit por besohet se së paku 1 milionë prej tyre jetojnë prej vitesh në emigrim.

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet në Qarkun e Durrësit me 50% të votave duke marrë 8 nga 14 deputetët e zonës. Një pjesë e këtij rezultati duket se është pasojë e manipulimeve zgjedhore.