Lajm17 Dec 2019

Arrestimet pas tërmetit, gjykata lë në burg të dyshuarit për ndërtimet e shembura

Gjykata e Durrësit la në burg 9 personat e arrestuar si përgjegjës për shembjen e ndërtesave që shkaktuan viktima pas tërmetit në Durrës. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, “ndërtim të paligjshëm” dhe “vrasje me dashje”. Të arrestuarit mohuan akuzat.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Gjatë seancës për masë sigurie ndaj të akuzuarve për ndërtesat që u rrëzuan pas tërmetit. Foto:Geri Emiri

Gjykata e Durrësit la në burg të martën 9 personat e arrestuar si përgjegjës për shembjen e ndërtesave që shkaktuan viktima pas tërmetit në Durrës. Të akuzuarit, disa zyrtarë dhe ndërtues të godinave që u shembën, akuzohen për “shpërdorim detyre”, “ndërtim të paligjshëm”, “falsifikim” dhe “vrasje me dashje”.

Prokuroria, që u përfaqësua nga tre prokurorë, kërkoi në gjykatë masën e sigurisë duke parashtruar si argument mundësinë e arratisjes, ndërsa po ashtu tha se hetime të ngjashme bëheshin për herë të parë.

Të arrestuarit ndërkohë mohuan akuzat dhe kërkuan masë sigurie më të lehtë. Të mbështetur me brohërima dhe thirrje prej të afërmve që ndodheshin në sallë, mbrojtësit e të akuzuarve sulmuan prokurorinë se nuk kishte bërë lidhjen “shkak-pasojë”, ndërsa një prej tyre pretendoi se arrestimet ishin “mediatike dhe politike”. Avokatët pretenduan po ashtu se prokurorët ishin në presion. Përparim Noka, i cili mbronte në seance Dëfrim Celamin, i akuzuar për shpërdorim detyre në përpilimin e një akti ekspertimi për një objekt 6-katësh që u shemb duke vrarë dy gra, tha se “Duhej të ishin të tjerë të akuzuar këtu”.

Gjykatësi Paulin Çera që shqyrtoi masat e sigurisë u kërkoi avokatëve të tërhiqnin akuzat ndaj prokurorëve, ndërsa pasi vlerësoi pretendimet e palëve vendosi të lërë me masë sigurie në burg të gjithë të arrestuarit.

Nga këta, 7 ishin të pranishëm në sallë ndër ta: Arben Isaku, ish-drejtor i ALUIZNI-it në Durrës, Klajdi Lame, inspektor i IKMT-së, Albrend Qetka, specialist i ALUIZNI-it, Kujtim Hasa, drejtues i shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, Ahmet Doda, drejtor në këtë shtëpi pushimi, Rruzhdi Xheka, ndërtuesi i hotelit Mira-Mare dhe Defrim Celami, specialist.  Ndëërsa dy prej tyre, arkitektja Nevjana Isufi dhe pronari i njërit prej hoteleve të shembura Avdulla Osmani nuk u paraqitën në seancë për arsye shëndetësore.

Tërmeti 6.4 i shkallës Rihter i 26 nëntorit, shkaktoi 51 viktima në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë, shkaktoi  900 të plagosur, ndërsa la të pastrehë mbi 4 mijë banorë të qytetit bregdetar.

Sipas Prokurorisë së qytetit bregdetar nga veprimet e para  hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e disa godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve në Durrës, kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.

Organi i akuzës ka dyshime se këto pasoja, kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo mos kryerjes së detyrës nga inxhinieret projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorët e këtyre ndërtimeve, si dhe nga veprimet e kryera ne kundërshtim me ligjin nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin dhe mbikëqyrjen e tyre.

Sipas Prokurorisë ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se personat e arrestuar dhe ato të shpallur në kërkim kanë konsumuar veprat penale të “Vrasjes me dashje, Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, Shpërdorimit te detyrës, dhe Falsifikimit të dokumenteve.”

Në kërkesën drejtuar Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës për vleftësimin e masës së sigurisë ndaj 9 të ndaluarve, prokuroria shprehet se nga ndërtimet formale dhe informale në kundërshtim me ligjin të të akuzuarve ka ardhur si pasojë vdekja e disa personave, banorë të ndërtesave të shembura nga tërmeti në Durrës.

Në një rast tjetër nga ana e  nëpunësit  publik te ngarkuar me detyrën e administrimit dhe  mirëmbajtjes të një objekti  është lejuar strehimin në këtë objekt i një punonjësi te Ministrisë së Brendshme, pavarësisht  se objekti ishte deklaruar si i pa shfrytëzueshëm nga ana e ekspertëve të fushës, duke sjellë si pasojë vdekjen e këtij të fundit.

Funksionarët publikë të zyrës së Aluizni-t Durrës  akuzohen se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në lidhje me legalizimin e objekteve pa u plotësuar kushtet tekniko-ligjore duke sjelle pasoja ne jetën e  njerëzve.  Ndërkohë funksionarët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit akuzohen se kanë lejuar ndërtimin e këtyre objekteve.

Gjithashtu objekt i hetimeve  kanë qenë edhe veprimet e kryera nga ana  e subjekteve private, projektues, mbikëqyrës punimesh, kolaudues  të ndërtimeve me leje dhe pa leje  të cilët dyshohen  se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fushën e ndërtimit.