Një aventurë me biçikletë drejt fshatit Zall Bastar pas malit të Dajtit përbën një arratisje të këndshme, por edhe sfiduese nga kryeqyteti për të pasionuarit e dyrrotakëve.
20 kilometra nga Tirana, Zall Bastari ofron panoramën tipike të qendrës së fshatit shqiptar, me një postë, një xhami, dy dyqane të vogla që kanë produkte me marka të lira që nuk i gjen në qendra qytetesh, si dhe një bar kafe restorant që e punon kryefamiljari dhe që si meny ofron vetëm meze.
Pavarësisht se shumë pranë kryeqytetit, fshati i Zall Bastarit, tashmë njësi administrative e Tiranës do të paktën një orë e gjysmë rrugëtim me makinë nëpër rrugën e shtruar me çakull të Arbrit, një investim miliona euro finalizimi i të cilit zvarritet prej vitesh.
Megjithatë, kjo rrugë sfiduese, shumë pak e rrahur nga makina të tjera veç furgonëve që transportojnë banorë të fshatrave përreth dhe kamionëve të guroreve aty pranë, përbën një tundim për aventurierët kryeqytetas të biçikletave.
Rreth 400 metra ngjitje nëpër rrugën malore për të parë një pamje të pazakontë të malit të Dajtit nga pas dhe për të shijuar një arratisje nga qyteti, tingëllojnë të përballueshme për një ditë fundjave me miq të pasionuar pas dyrrotakëve.
Nga Tirana, duke ndjekur deri në fund rrugën “Myslym Keta” pranë Kinostudios asfalti mbaron për t’i lënë vend rërës, rrugës me gropa dhe pastaj guriçkave që ngadalë të lakojnë për lart drejt Brarit, Shkallës së Tujanit dhe më pas Zall Bastarit.
Kalimi nga 100 metra mbi nivelin e detit të Tiranës në maksimumin 500 metra mbi nivelin e detit që të çon rruga e Arbrit është një mundim fizik që çakulli nuk e lehtëson dhe që në segementet më të vështira mund të kalohet edhe me biçikletë në dorë për ata që nuk mund ta përballojnë.
Një biçikletë mali me marshe, frena të rregullta dhe një helmtë janë një domosdoshmëri për të siguruar mbarëvajtjen e aventurës, që terreni i vështirë e vë herë pas here në provë për shkak të gurëve që lëvizin timonin befas.
Lumi i Tiranës i cili rrjedh përgjatë kanioneve është një shoqërues i herëpashershëm i rrugëtimit.
Pas kilometrit të 15 me kalimin e tunelit ngjitja mbaron përkohësisht për ta shpërblyer lodhjen me një zbritje të lehtë dhe për të ofruar një ndalesë të shkurtër te një lokal i zonës.
Me të kaluar urën mbi lumin e Tiranës, vështirësia e malores shtohet për dy kilometra, ndërsa rruga vazhdon të jetë po aq e keqe dhe me gurë të mesëm e të vegjël.
Megjithatë në vajtje, për më të guximshmit janë të dukshme shtigje këmbësorësh të kalueshme me vështirësi me biçikletë, të cilat mund t’ju kursejnë kohë dhe lodhje nëpër kthesat në ngjitje të rrugës drejt Zall Bastarit.
Më në fund, tre kthesa që gjarpërojnë me një zbritje të fortë për biçikletën paralajmërojnë kilometrat e fundit drejt fshatit pas Dajtit.
Shirat e mesit të majit e bëjnë edhe më sfiduese për biçikletat rrugën ku makineri të rënda kanë hedhur rërë ndërsa punojnë për një segment që të lidh me destinacionin përfundimtar. Gjithsesi, tingulli i baltës së shtypur nën rrota është kolona e duhur zanore për aventurat jashtë asfaltit.
Një pushim më i gjatë në Zall Bastar dhe një shëtitje e shkurtër e qendrës së vogël të fshatit për të konsumuar një pije të freskët e një vakt modest janë shpërblimi ideal i aventurës suaj sfiduese me biçikletë.
Ndonëse zbritja e fortë e kilometrave të fundit drejt destinacionit tuaj përfundimtar do të përkthehet më pas një një ngjitje të lodhshme në një terren të vështirë, sigurohuni që të keni me vete sasi të mjaftueshme uji dhe ushqimesh energjike.
Këshilla më e mirë dhe më e rëndësishme e kësaj aventure është që të tregoni kujdes të veçantë në përmbajtjen e entuziazmit për të lëshuar frenat në kilometrat e zbritjes nga tuneli.
Pjerrtësia, guriçkat në rrugën e pashtruar me asfalt dhe mjetet e tjera të transportit mund t’ju vënë në vështirësi të ruajtjes së balancës së biçikletës dhe të bëhen shkas për një rrëzim të dhimbshëm dhe të rrezikshëm nga biçikleta.
Përtej mundimit, udhëtimi mbi dy rrota drejt Zall Bastarit është një aventurë e shkurtër në distancë që merr një kohë të gjatë, të cilën çdokush mund ta shijojë me doza kujdesi.
Klikoni këtu për hartën e udhëtimit: Harta
Të ngjashme: Zall Bastari, mirësevini në lagjen më të re të Tiranës