Korçarët hodhën rreth 800 vota më pak për Partinë Socialiste, por Partia Demokratike u ndëshkua me 5 mijë vota më pak. Rritja e votave të LSI-së nuk mjaftoi për t’i dhënë asaj dy mandate deputetësh në qarkun e Korçës.
Korçarët hodhën rreth 16 mijë vota më pak në zgjedhjet e së dielës, në krahasim me vitin 2013 ndërkohë që lista e votuesve në këtë qark u zgjerua me mbi 7 mijë vetë. Megjithatë, votat e munguara duket se dënuan më shumë Partinë Demokratike se sa rivalët e saj. Demokratët morën 5 mijë vota më pak nga sa kishin marrë më 2013, ndërsa socialistët morën 800 vota më pak. Lëvizja Socialiste për Integrim mori 5 mijë vota më shumë se sa më 2013, me synimin për të siguruar dy mandate nga 11 që ka ky qark, por të 19 mijë votat e tyre nuk mjaftuan për të marrë mandatin e dytë.
Qarku i Korçës zgjodhi të dielën 11 deputetë nga 12 që pati zgjedhur në vitin 2013. Për shkak të rënies së numrit të deputetëve si pasojë e ndryshimeve demografike, beteja për Korçën mes partive politike garuese qe në thelb një betejë për të mos humbur një mandat nga sa kishin më 2013 dhe jo aq shumë për të fituar një mandat të ri, megjithëse LSI dukshëm shënjestroi mundësinë për mandat shtesë. Në fund, mandati i hequr në Korçë u humb nga Partia Demokratike, jo për shkak të rritjes së socialistëve, por për shkak të rënies së PD-së.
Korça ka qenë edhe përfituesi më i madh i projekteve të qeverisë të njohura si Rilindja Urbane ku rreth 23 milionë euro u shpenzuan për projekte restaurimesh dhe zbukurimesh urbane, por vetëkorçarët duket se nuk u joshën nga këto investime dhe nuk dhanë vota shtesë për socialistët. Përkundrazi, nëse llogarisim edhe votat që më 2013 i morën partitë e vogla aleate me socialistët, korçarët duket se i dhanë socialistëve rreth 11 mijë vota më pak. Por te votat e së djathtës, gropa në krahasim me 2013 është rreth 14 mijë vota ndërkohë që vetëm LSI pësoi rritje.
Me votat e së dielës, banorët e Korçës dërguan në kuvend si të parin në listën e socialistëve Niko Peleshin, [CV link], një inxhinier elektronik që ka punuar më parë si kryetar bashkie në Korçë dhe si zëvendëskryeministër. Në vend të dytë është Eduart Shalsi, i diplomuar në biokimi dhe që ka punuar si mësues, si punonjës banke, si zëvendëkryetar i Bashkisë Tiranë dhe si deputet. [CV Link].
Në Kuvend do të hyjë gjithashtu edhe Elisa Spiropali, e diplomuar në SHBA për Ekonomi dhe Politikë, e cila aktualisht është Kandidate për Doktore Shkencash në Universitetin e Tiranës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në CV-në e saj, ajo rendit si eksperiencë pune postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave tetor 2013-mars 2015.
Në vend të katërt gjendet Ilirian Pendavinji, i diplomuar në mjekësi, i cili rendit si eksperiencë në punë në CV-në e tij postet e mjekut të familjes në Vithkuq e Pirg, si dhe postin e shefit të kabinetit të kryebashkiakut të Korçës. Ai u zgjodh deputet fillimisht në vitin 2013.
Në vend të pestë gjendet Ilir Xhakolli, një ish-punonjës doganash e tatimesh në periudhën 1992-2005 që rendit punë “në sektor privat” për periudhën 2005-2013 dhe që nga viti 2013 është deputet i Partisë Socialiste si kryetar i degës së Pogradecit të Partisë Socialiste. [CV link]
E gjashta dhe e fundit në listën e socialistëve është Edlira Bode, mjeke që në vitin 2016 u bë drejtoreshë e spitalit rajonal të Korçës. [CV Link].
Në listën e demokratëve, e para gjendet Valentina Duka, profesore e historisë dhe dekane e Fakultetit të Historisë në Tiranë, [CV link] pasuar nga Ervin Salianji, i diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës, i cili si eksperiencë pune ka renditur në CV postin e Avokatit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës gjatë kohës kur kjo bashki drejtohej nga Lulzim Basha.
I treti në listën e Demokratëve është Hekuran Hoxhalli, i diplomuar si inxhinier ndërtimi dhe që ka punuar në INUK, (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar). [CV Link].
I katërti dhe i fundit është Klevis Balliu, 28 vjeç, i cili në CV-në e tij shkruan se është diplomuar në Londër dhe ka punuar si drejtor i Shtëpisë Botuese 55 dhe si këshilltar i presidentit Bujar Nishani, por që njihet më së shumti si djali i Fahri Balliut.
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë u zgjodh nga Korça Edmond Panariti, i diplomuar në mjekësi veterinare dhe që gjatë katër viteve të fundit ka qenë Ministër i Bujqësisë. [CV Link].