Skeda13 May 2016

“Celula” shqiptare në Bruksel, si trafikohej kokaina dhe hashashi në vendet e BE

Dhimitër Poti, drejtuesi i dytë shqiptar i rrjetit të narko-trafikut me bazë në Bruksel trafikoi sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine në vendet e BE-së, ndërsa ishte nën hetim prej vitit 2012 nga Prokuroria shqiptare. 

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Rruga Brixtonlaan në zonën e Zaventemit në Bruksel, ku ndodhet kompania "RDGL Group" dhe magazina e Dhimitër Potit, i akuzuar nga policia greke si drejtues i rrjetit të trafikut nga Belgjika drejt vendeve të BE. Foto: Google Earth

Rruga Brixtonlaan në zonën e Zaventemit në Bruksel, ku ndodhet kompania “RDGL Group” dhe magazina e Dhimitër Potit, i akuzuar nga policia greke si drejtues i rrjetit të trafikut nga Belgjika drejt vendeve të BE. Foto: Google Earth

Më 19 prill 2015, një “shofer” grek u ndalua në Britaninë e Madhe, pasi në kamionin e transportit ndërkombëtar të drejtuar prej tij u gjetën 23 kilogramë kokainë. Hetimet për këtë ngarkesë zbuluan se kokaina po trafikohej për llogari të Dhimitër Potit, një 50 vjeçar shqiptar i lindur në Kukës dhe banues në Bruksel, që sipas policisë greke është njëri prej drejtuesve të organizatës së narko-trafikut mes Shqipërisë dhe Greqisë, me shtrirje thuajse në të gjithë Europën.

Dokumentet e policisë greke, të siguruara nga BIRN tregojnë se Dhimitër Poti kishte një rol kyç në organizatë. Ai kujdesej për trafikimin e drogës në vendet e Europës Perëndimore, organizonte dhe koordinonte marrëveshje me rrjete të tjera të krimit ndërkombëtar dhe lehtësonte aktivitetin përmes magazinimit dhe trafikimin e sigurtë të narkotikëve nga Brukseli.

I shpallur në kërkim nga Greqia, Dhimitër Poti u arrestua të enjten në Bruksel bashkë me vëllanë e tij. Përmes deklaratave për median, policia belge dhe Europol konfirmuan dy arrestimet dhe sekuestrimin e 96.5 kilogramëve hashash si pjesë e këtij operacioni.

Bashkë me dy vëllezërit Poti, numri i shqiptarëve të arrestuar si pjesë e rrjetit të drogës shkon në gjashtë. Klement Balili, biznesmen dhe zyrtar i shkarkuar i administrës në Sarandë është shqiptari i shtatë i shpallur në kërkim nga policia greke, por që nuk është arrestuar ende nga autoritetet shqiptare.

Europol-agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Europian tha përmes një deklarate të premten se rrjeti me bazë në Greqi dyshohet se ka përfituar qindra milionë euro përmes trafikimit të drogës në drejtim të disa shteteve të Europës.

“Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine u transportuan përmes kompanive të transportit rrugor, të regjistruara në Bullgari dhe Austri, të cilat shërbyen si kompani maskimi,” thuhet në deklaratën e Europol.

Dhimitër Poti, i akuzuar nga policia greke si një nga krerët e narko-trafikut zotëronte dy kompani të tilla fasadë dhe një magazinë në zonën Zaventem të Brukselit-një stacion i rëndësishëm i drogës në rrugëtimin e saj drejt Europës Perëndimore.

Personazh në hije në Shqipëri, emri i Potit nuk ka qenë megjithatë i panjohur për autoritetet shqiptare të drejtësisë. Që prej vitit 2012, Dhimitër Poti ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për “pastrim të produkteve të veprës penale”; hetim i cili dështoi të prodhonte një rezultat për drejtuesin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut të drogës.

“Celula belge” e rrjetit

Marijuana e konfiskuar. Foto: Policia e Greqisë

Marijuana e konfiskuar. Foto: Policia e Greqisë

Gjatë vitit 2014, Dhimitër Poti është bërë pronar i dy kompanive të transportit ndërkombëtar me bazë në Bruksel të Belgjikës dhe Blagoevgrad, qytet në jugperëndim të Bullgarisë. Më parë, ai kishte regjistruar kompaninë “Chim Prod” në Shqipëri në mars të vitit 2008, por e kishte likujduar dhe mbyllur dy vjet më pas.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se më 21 janar 2014, Dhimitër dhe Xhevahir Poti themeluan në Bruksel kompaninë “RDGL Group” me adresë në rrugë Brixtonlaam të zonës periferike Zaventem. Sipas regjistrit belg të kompanive, “RDGL Group” kishte një kapital prej 18 600 eurosh.

Nëntë muaj pas themelimit të kompanisë në Bruksel, në shtator 2014,  Poti ka marrë në zotërim paketën e aksioneve të kompanisë bullgare “Friends Trans LTD” me seli në Blagoevrad të Bullgarisë. Sipas dokumenteve të policisë greke, këto kompani përdoreshin si “fasadë” për maskimin e trafikut të drogës.

Kamioni i kapur me 23 kilogram kokainë në Britaninë e Madhe zotërohej nga dy kompani; koka e tij i përkiste shoqërisë greke “Focus International” me pronar Vasilio Thimi, ndërsa rimorkiatori i përshtatur për drogën ishte pronë e “Friends Trans LTD” të Dhimitër Potit.

Kjo është e vetmja sasi kokaine që i është kapur kësaj organizate, pavarësisht se hetimi i përbashkët mes policisë greke, DEA-s amerikane dhe Europolit ka pasur të dhëna për trafik në sasi të mëdha të kokainës në vendet e BE.

Në dokumentet e policisë greke, Dhimitër Poti akuzohet edhe për dy episode të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike me vlerë në mijëra euro. Sipas tyre, mes datave 2 dhe 7 prill 2015, anëtarët e organizatës tentuan të trafikonin me urdhër të Dhimitër Potit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij grekë, Thoma Aleksaki dhe Ksenofonda Anagnostoupolu një sasi të panjohur lëndësh narkotike nga Belgjika drejt Oslos së Norvegjisë, por ngarkesa u anullua.

Sipas policisë greke, transporti do të kryhej përmes një kompanie në pronësi të Marta Dardhës me seli në Bullgari, ndërsa një ngarkesë e ligjshme do të udhëtonte nga Greqia drejt magazinës së Potit në Bruksel ku ndodhej lënda narkotike.

“Transporti i planifikuar u anulua, pasi përfundoi afati i tërheqjes së ngarkesë së ligjshme, por edhe për shkak të çështjeve teknike në lidhje me lartësinë e ngarkesës, që ishte më shumë se e lejuara për kalimin në Norvegji,” thuhet në dokument.

Emri i Potit del në një rast tjetër trafikimi të datës 8 prill 2016, ku anëtarë të organizatës dorëzuan një kamion transporti të modifikuar me vende të fshehta për drogë në magazinën e Potit, ndërsa ngarkesa iu dorëzua bashkëpunëtorëve “të panjohur” të rrjetit në Berlin të Gjermanisë, në zonën e quajtur Konstandinopoja e vogël.

Haralambo Paciavura, njëri prej anëtarëve të rrjetit i tha policisë greke se përmes skemës së mësipërme ka trafikuar sasi të mëdha të kanabisit të papërpunuar në drejtim të Holandës, përmes vendeve të Bashkimit Europian.

“Thuajse 250 kg çdo here, me qëllim lëvizjen e tyre të mëtjeshme në vendin e sipërpërmendur të importit,” ka thënë ai.

Në njërin prej rasteve, në kthim nga Holanda, Paciavura ka transportuar drejt territorit grek një sasi të panjohur kokaine, të cilën ua dorëzoi disa njerëzve me shtetësi shqiptare.

Tre vitet e hetimit shqiptar

Harta e trafikut të drogës nga Saranda për në Greqi me skafe, e publikuar nga policia greke.

Harta e trafikut të drogës nga Saranda për në Greqi me skafe, e publikuar nga policia greke.

Më 14 mars 2008, Dhimitër Poti regjistroi në Shqipëri kompaninë “Chim Prod”, me aktivitet import-eksporti, tregti me shumicë dhe pakicë të mjeteve motorike dhe barnave farmacuetike. Por të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, QKR dhe të një hetimi të mëvonshëm të Prokurorisë shqiptare tregojnë se kjo kompani shërbeu si koperturë për transfertat e dyshimta të parave nga Greqia drejt Shqipërisë, se sa për ndonjë aktivitet real. [Kliko këtu për ekstraktin e Chim Prod]

Në shtator 2015, kur Dhimitër Poti ishte në hetim për trafik droge në Greqi, ministria greke e Drejtësisë i kërkoi autoriteteve shqiptare të dhëna për disa transferta të dyshimta parash që 50 vjeçari i kishte kryer gjatë viteve 2007-2009.

Sipas letër-porosisë së autoriteteve greke, Dhimitër Poti kishte transferuar në llogaritë e kompanisë “Chim Prod” në Tiranë 826 mijë euro, të ndara në: 160 mijë euro të transferuara më 3 gusht 2007, 80 mijë euro më 31 dhjetor 2008, 220 mijë euro më 2 prill 2009, 266 mijë euro më 19 prill 2009 dhe 100 mijë euro të transferuara më 1 shtator 2009.

Përmes letër-porosisë, autoritetet greke kërkojnë informacion nëse Dhimitër Poti është dënuar ose jo nga një gjykatë e Republikës së Shqipërisë për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” për pesë transaksionet e mësipërme të parave.

Lëtër-porosia greke zbulon gjithashtu se Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar një procedim penal kundër Dhimitër Potit në vitin 2012, me numër 5915 për të njëjtën vepër penale, por përfundimi i këtij hetimi ishte i paqartë.

Autoritetet greke u kërkojnë homologëve në Shqipëri nëse hetimi i prokurorisë ka arritur të vërtetojë që Dhimitër Poti ka kryer ose jo pastrim parash apo nëse është zbuluar burimi i parave të transferuara apo nëse tranfertat janë deklaruar pranë zyrës së Tatimeve.

Pasi është përdorur për 5 transaksionet financiare me vlerë 826 mijë euro, kompania “Chim Prod” e Dhimitër Potit ka qenë e padobishme. Të dhënat në QKR tregojnë se më 13 prill 2010, administratori Poti ka emëruar një likujdator për kompaninë në Shqipëri dhe e ka mbyllur atë.

Letër-porosia i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për të kryer veprimet proceduriale të nevojshme, por fati i procedimit me numër 5915 i nisur prej vitit 2012 kundër Dhimitër Potit mbetet i paqartë.

E pyetur nga BIRN për rezultatin e këtij, Prokuroria refuzoi të jepte një përgjigje.