Investigim16 Dec 2014

Dhjetra fëmijë shqiptarë, “pengje” të xhihadistëve në Siri

Disa prej grave dhe fëmijëve të mitur të xhihadistëve shqiptarë, të vrarë në Siri mbahen peng nga grupet radikale islamike për të cilët ata luftonin, që u ndalojnë kthimin në atdhe.

Autor: Aleksandra Bogdani, Flamur Vezaj BIRN Tiranë
Printo

Foto kolazh: Kthimi i Erion Zena dhe bashkimi me nënën e tij Pranvera Abazi në aeroportin e Prishtinës. Në sfond, qyteti i shkatërruar i Kobanit në Siri.

Foto kolazh: Kthimi i Erion Zena dhe bashkimi me nënën e tij Pranvera Abazi në aeroportin e Prishtinës. Në sfond, qyteti i shkatërruar i Kobanit në Siri.

Në kërkim të një atdheu të ri ku sundon ligji i Sheriatit, një numër xhihadistësh shqiptarë morën me vete gratë e fëmijët dhe u shpërngulën në Siri për të luftuar me al-Qaedën dhe Shtetin Islamik.

Dokumente zyrtare të sigurura nga BIRN zbulojnë se 13 gra dhe 31 fëmijë janë shpërnguluar në Siri dhe një pjesë e tyrë kanë mbetur jetimë, pasi baballarët kanë humbur jetën në front.  Nga 31 fëmijët e marrë në Siri nga xhihadistët, 23 janë të mitur.

Këto familje u nisën për në Siri përgjatë viteve 2012-2014, ndërsa kryefamiljarët e tyre konsiderohen si më të devotshmit e 90 qytetarëve shqiptarë që u bënë pjesë luftës civile në Siri, duke luftuar në krah të organizatave radikale islamike.

BIRN ka siguruar dosjen e hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Shqipëri, ku zbulohet se gratë dhe fëmijët e xhihadistëve qëndrojnë në kampet e luftës, ndërsa baballarët luftojnë e vriten për ngritjen e një shteti islamik.

Të paktën në një rast, një xhihadist që ishte në përgjim nga SHISH dhe Prokuroria, ka marrë në Siri fëmijët e tij pa pëlqimin e nënës se tyre, ndërsa dy punonjës policie e kanë ndihmuar atë t’i kalojë ata në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një pjesë e këtyre fëmijëve kanë mbetur jetimë mijëra kilometra larg shtëpisë, ndërkohë që grupet radikale për të cilët prindërit e tyre luftonin u ndalojnë kthimin në atdhe.

Oficeri antiterrorit ndihmoi xhihadistin

Eva dhe Endri Dumani, 9 dhe 7 vjeç janë dy prej 31 fëmijëve shqiptarë, të mbetur mes katër rrugëve në Siri. Babai i tyre, Shkëlzen Dumani u vra në një betejë, teksa luftonte në krah të militantëve të ISIS më 5 nëntor të këtij viti, nëntë muaj pasi mori me mashtrim dhe pa dijeninë e së shoqes fëmijët dhe u nis drejt Sirisë.

Pas udhëtimit në Siri, Dumani i ka ndryshuar emrat e fëmijëve në Sara dhe Talha. Pas vdekjes së Dumanit, megjithë përpjekjet disa mujore të familjarëve dhe autoriteteve shtetërore shqiptare, fëmijët e tij nuk lejohen nga ISIS të kthehen në atdhe.

Në një letër publike, nëna e fëmijëve Mide Dumani, kërkonte dëshpërimisht ndihmë për kthimin e fëmijëve në shtëpi. Pas dështimit të përpjekjeve personale, ajo kërkon nga shteti që t’i bëhet krah në këtë betejë për kthimin e Evës dhe Endrit.

“Unë kam mundur të flas vetëm disa herë me ta, kur babai kthehej nga fronti i luftës, gjithnjë në praninë e njerëzve të armatosur. Eva dhe Endri janë tanimë pa baba dhe të pasigurtë për jetën e tyre. Ata janë pengje të një lufte të pakuptimtë,” bën apel nëna e fëmijëve.

 

Skeda e Interpolit për shpalljen në kërkim të fëmijëve Eva dhe Endri Dumani.

Skeda e Interpolit për shpalljen në kërkim të fëmijëve Eva dhe Endri Dumani.

 

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se autoritetet shqiptare ishin në dijeni të planit të Shkëlzen Dumanit për t’u larguar bashkë me fëmijët drejt Sirisë, e megjithatë nuk ndërhynë për ta penguar.

Pozitat e Policisë shqiptare rëndohen edhe më tej, pas zbulimit se dy punonjës të policisë së Rinasit, njëri prej të cilëve inspektor antiterrori, ndihmuan xhihadistin për të kaluar pa probleme dy fëmijët e mitur përtej kufirit.

Sipas dosjes së siguruar nga BIRN, besimtari me origjinë nga Peshkopia ishte kujdesur gjatë për gjetjen e një mënyre për t’i nxjerrë jashtë vendit fëmijët, pa lejen e nënës së tyre me të cilën sapo kishte përfunduar në divorc.

Ai arriti të largohej bashkë me Evën dhe Endrin më 1 shkurt të vitit 2014, edhe pse në atë kohë ishte nën përgjim nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Pak ditë para nisjes, Dumani është përgjuar teksa fliste me imamin e tij, Bujar Hysa për rrezikun e ndalimit të fëmijëve në Rinas.

Por Hysa, i arrestuar në fillim të vitit si organizator i rekrutimeve për luftën e Sirisë e qetësonte dhe instruktonte se si të sillej.

“Ti për vizitë mjekësore do të ikësh në Turqi,” i sugjeronte të gënjente ai.

Para se të nisej drejt aeroportit të Rinasit, Shkëlzen Dumani kishte marrë edhe masat paraprake. Me ndihmën e një noteri, ai mashtroi ish-bashkëshorten që të firmoste një prokurë për nxjerrjen e fëmijëve jashtë vendit.

“Unë mendova se po firmosja kontratën e shitjes së shtëpisë, por pa e ditur firmosa një pëlqim për largimin e fëmijëve jashtë vendit,” shkruan në letrën publike nëna e fëmijëve, Mide Dumani.

Përveç biletave për veten dhe fëmijët, Shkëlzen Dumani ka financuar udhëtimet Tiranë-Stamboll-Gynej edhe për dy besimtarë të tjerë myslimanë.

Kur ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, ai është ndihmuar nga një punonjës policie për të kaluar pa probleme kontrollin.

Prokuroria ka zbuluar se Shkëlzen Dumani kishte përdorur një lidhje personale më një oficer antieksplozivi në Rinas për t’i nxjerrë fëmijët jashtë vendit.

Ditën e udhëtimit të Dumanit, ky punonjës policie nuk ndodhej me shërbim në Rinas, por arriti të ndërmjetësojë që xhihadistin ta ndihmonte një koleg i tij.

Në aeroport, Dumani ka takuar një koleg të oficerit, i cili e ka marrë mënjanë në dhomën e kontrollit të bagazheve. Me ndihmën e tij, Dumani ka mundur të kalojë bashkë me fëmijët në pikën e kontrollit.

Ndryshe nga Dumani një nga bashkëudharët e tij, Ilir Shala u ndalua në Rinas.

Shala u ndalua pak minuta pasi Shkëlzen Dumani kishte hipur në avion, bashkë me dy fëmijët dhe pohoi para policisë se po udhëtonte drejt Turqisë për të gjetur punë.

Të afërmve ai u kishte thënë se do të ikte në Francë, ndërsa e vërteta është se ai po udhëtonte në drejtim të Sirisë, me biletë të paguar nga Shkëlzen Dumani.

Që prej këtij momenti, Mide Dumani nuk i ka parë më fëmijët e saj. Ajo ka folur shumë rrallë me ta përmes rrjetit Skype, por vrasja e ish-bashkëshortit në Siri e ka shqetësuar edhe më tepër gruan e mbetur vetëm në Tiranë.

Ajo ka denoncuar prej shkurtit 2014 bashkëshortin për zhdukjen e fëmijëve, por shpallja e tyre në kërkim ndërkombëtar prej Interpolit nuk ka ndihmuar për kthimin e Evës dhe Endrit në shtëpi.

Nga ana tjetër, askush nuk është quajtur përgjegjës për neglizhencën dhe ndihmesën që i është dhënë Shkëlzen Dumanit, për t’i çuar fëmijët mijëra kilometra larg së ëmës.

Të kontaktuar nga BIRN, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme refuzuan të japin një përgjigje nëse dy punonjësit e policisë së Rinasit ishin proceduar për këtë episod.

Rasti në Kosovë, shpresë për Mide Dumanin

Erion Zena, fëmija 8-vjeçar nga Kosova arriti të kthehej pak javë më parë në krahët e së ëmës, pas qëndrimit për më shumë se pesë muaj në kampet e luftës në Siri. Erioni ndante të njëjtin fat me Eva dhe Endri Dumanin; ai ishte marrë me vete në Siri nga babai i vet pa lejen e së shoqes.

Lutjet e Pranvera Abazit për kthimin e të birit u përmbushën pas ndërhyrjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Shërbimi sekret arriti të hynte në negociata me xhihadistët kosovarë në Siri dhe pas disa muajsh, arriti ta kthente me sukses të miturin nga Siria.

 

 

Pranvera Abazi përqafon të birin Erion Zena në çastin e ribashkimit në aeroportin e Prishtinës më 15 tetor 2014. (AP Photo/Visar Kryeziu)

Pranvera Abazi përqafon të birin Erion Zena në çastin e ribashkimit në aeroportin e Prishtinës më 15 tetor 2014. (AP Photo/Visar Kryeziu)

 

Erioni kishte shkruar në Siri me babanë e tij, Arben Zena, i cili ashtu si Shkëlzen Dumani luftonte atje përkrah militantëve të Shtetit Islamik. E ndërsa Pranvera Abazi ndjehet me fat, Mide Dumani jeton prej një viti me ankthin e pasigurisë së fëmijëve të saj.

Burime nga Shërbimit Informativ Shtetëtor, SHISH, i thanë BIRN-it se një operacion i dytë negociatash, ku janë përfshirë shërbimet inteligjente Turke, Shqiptare dhe Kosovare, ka filluar për kthimin në Shqipëri të Eva dhe Endri Dumanit.

Por edhe pse kanë kaluar 9 muaj, një ndërmarrje e tillë po rezulton më e vështirë se ç’ishte menduar. Para se të vdiste Shkëlzen Dumani, thuhet se ka lënë si amanet të fundit qëndrimin e fëmijëve në Siri.

Vëllai i tij deklaroi për mediat se Shkëlzeni u ka thënë miqve të tij që nëse vritej, të mos i kthenin fëmijët tek nëna e tyre. “Në Shqipëri nuk kanë mbetur më njerëz,” mësohet të ketë thënë militanti i ISIS-it, në ditët e fundit të jetës së vet.

Nëna e Dumanit udhëtoi pak javë pas të birit drejt Sirisë, për të kthyer nipin dhe mbesën e mitur në Shqipëri, por ky mision ende nuk është realizuar. Gjyshja bashkë me dy fëmijët ndodhen ende në kampet e Shtetit Islamik në Siri, në pritje të lejes për t’u larguar nga vendi.

Fëmijët, pengje në luftë

Eva dhe Endri Dumani nuk janë fëmijët e vetëm shqiptarë që kanë mbetur jetimë në mes të luftës civile siriane. Dhjetë xhihadistë shqiptarë janë vrarë në këtë luftë nga viti 2012, dhe  shumë prej tyre kanë marrë me vete edhe gratë dhe fëmijët e mitur.

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se pesë prej të vrarëve kanë lënë në mes të luftës bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e mitur. Nga të vrarët në Siri, Hamit Myslija iku me katër fëmijët, Bledar Hamza me vajzën 2 vjeçare, Diamant Rasha me gruan dhe dy fëmijët ndërsa Hasan Korvafaj e Sherif Taushani kanë lënë pas nga 3 fëmijë.

Një luftëtar kurd po ecën përmes rrënojave të Kobanit në Siri më 19 nëntor 2014. Kurdët po luftojnë me ashpërsi forcat e Shtetit Islamik, ku militojnë edhe xhihadistët shqiptarë. (AP Photo/Jake Simkin)

Një luftëtar kurd po ecën përmes rrënojave të Kobanit në Siri më 19 nëntor 2014. Kurdët po luftojnë me ashpërsi forcat e Shtetit Islamik, ku militojnë edhe xhihadistët shqiptarë. (AP Photo/Jake Simkin)

Pjesa tjetër e 31 fëmijëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Siri, i kanë të dy prindërit gjallë, edhe pse askush nuk mund t’u japë garanci për sa gjatë. Hetimi ka zbuluar se ata qëndrojnë me fëmijë e gra të xhihadistëve të huaj në kampet e luftës në qytete të ndryshme të Sirisë.

Ato nuk janë të lirë të kthehen në vendin e tyre, edhe pse xhihadistët këmbëngulin për të kundërtën.

Floresha Rasha, gruaja e Diamant Rashës, ka mbetur në Siri prej fillimit të vitit 2014, kohë kur bashkëshorti i saj u vra në luftë.

Në Shqipëri, Diamant Rasha i njohur me emrin Ebu Amar punonte si shpërndarës picash.Në Siri, ai u kthye në luftëtar për ngritjen e Shtetit Islamik, për të cilin u vra nga një snajper në janar të vitit 2014.

Floresha Rasha, e mbetur atje me dy fëmijët e mitur donte të kthehej në Shqipëri, por xhihadistët i nxorrën fillimisht si justifikim një rregull të paqartë, sipas të cilit familjarët e të vrarit nuk mund të largoheshin pa kaluar 4 muaj e 10 ditë nga vdekja e tij.

Por edhe pse ka kaluar thuajse një vit, ajo dhe fëmijët e saj nuk kanë mundur të mbërrijnë në Tiranë. Përgjimet telefonike kanë zbuluar se çështja e Floresha Rashës, e cila donte të largohej nga kampi ka shkaktuar shqetësim tek imamët në Tiranë.

Në një bisedë telefonike, Bujar Hysa i kërkonte një xhihadisti më të cilin ishte i afërt në Siri që t’i mbushte mendjen gruas së ve të mos kthehej. “I kam thënë që nëse do të kthehet, do të përfundojë në burg,” i kthehej xhihadisti nga ana tjetër e telefonit.

Fëmijët e xhihadistëve shqiptare të vrarë që kanë mbetur në Siri
Halit Myslija, i vrarë më 10 tetor në Siri
Vehbije Myslija së bashku me 3 djemtë dhe një vajzë ndodhen ende në kampet siriane
Bledar Hamza, i vrarë në Siri
Ka lënë pas bashkëshorten Resmije Leçini dhe vajzën 2-vjeçare
Diamant Rasha, i vrarë në Janar 2014 në Siri
Floresha Rasha, së bashku me vajzën 11 vjeçare dhe djalin 7 vjeç ndodhen ende në Siri
Hasan Korvafaj, i vrarë në Siri në vitin 2013
Bashkëshortja e tij Jusra dhe tre fëmijët e rritur ndodhen aktualisht në Siri
Sherif Taushani nga Mollasi i Elbasanit, i vrarë në Siri
Bashkëshortja, tre fëmijët e mitur dhe dy prindërit ndodhen në kampet e luftës në Siri

E ndërsa ditët kalonin, kthimi i të vesë së Diamand Rashës dhe fëmijëve të saj u bë edhe më i vështirë. Burime të Prokurorisë i thanë BIRN-it se vjehrrit të saj në Tiranë i ka mbërritur një kërkesë për t’i dhënë leje asaj të martohej me dikë tjetër në Siri.

E ndërsa plaku ia ka lënë në dorë nuses së tij këtë vendim, nuk dihet ende se ç’bëhet me fatin e saj të mëtejshëm. Lajmet që mbërrijnë në Shqipëri për gratë dhe fëmijët janë gjithmonë të pakta dhe të paqarta.

Xhihadistët e huaj u nisën drejt Sirisë me idenë e çlirimit të këtij vendi nga Presidenti Assad dhe krijimin e një shteti islamik të Sheriatit në territoret e tij. Ata morën me vete familjet dhe fëmijët, për të populluar shtetin e ri që synojnë të themelojnë.

Gratë dhe fëmijët kanë mbetur pengje të kësaj aventure të rrezikshme, pa asnjë mundësi zgjedhjeje dhe shpëtimi.

Nëna e dy fëmijëve të mbetur në Siri, Mide Dumani vuan prej një viti mungesën tyre dhe jeton me shpresën se një ditë do t’i përqafojë përsëri.

“Eva dhe Endri janë fëmijët e mi, fëmijë shqiptarë, që kanë këtu shokët dhe shoqet e tyre, shkollën dhe lodrat e tyre. Ata gdhihen e ngrysen në një vend ku vdekja është më afër njeriut se Zotit. Ju lutem, më bashkoni me ta,” shruan ajo në letrën e hapur duke kërkuar ndihmën e autoriteteve shqiptare.

 

Lexo më shumë

Rruga e myslimanëve shqiptarë drejt xhihadit në Siri

Qindra faqe dokumente dhe rrëfimi i një xhihadisti të kthyer në shtëpi hedhin dritë mbi rrugëtimin e dhjetra të rinjve shqiptarë drej luftës në Siri, në krah të al-Qaedës dhe Shtetit Islamik.