Lajm5 Aug 2018

Gratë e Bulqizës nisin peticionin kundër koncesionit të pyejeve

Dhjetra gra nga zona e Fushe Bulqizës i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar të zgjidh konfliktin e komunitetit të tyre me një kompani koncesionare që prej vitesh synon shfyrtëzimin e masivit pyjor të njohur si ‘Sheshe Bulqizë.’

Autor: Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Gratë e fshatrave të Bulqizës gjatë takimit me ministrin e Mjedisit Blendi Klosi | Foto nga : Sami Curri

40 gra të fshatit Kodra e Danit në njësinë administrative Fushë Bulqizë, i kanë dërguar një peticion kryeministrit Edi Rama dhe organzimave ndërkombëtar në Shqipëri, ku i kërkojnë kreut të ekzekutivit që të anullojë koncesionin e shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”.

Peticioni vjen pas një takimi të mbajtur me banorët e zonës nga minisitri i Mjedisit, Blendi Klosi, i cili premtoi se do të punonte për anulimin e koncesionit. Megjithatë, banorët mbeten skeptik për premtimin e Klosit.

Farie Xhaferri, njëra nga firmëtaret e këtij peticioni, i tha BIRN se kanë kanë kaluar tashmë disa javë dhe banorët nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare për zotimet e ministrit të Mjedisit.

“Për sa kohë nuk na është komunikuar asgjë zyrtare, e zeza mbi të bardhë, firmosur dhe vulosur nga ministri Klosi për pezullimin e koncesionit, ne jemi dyshues,” tha Xhaferri.

“Kush na jep siguri që nesër, mos x firme na vjen një tjetër. Ajo që tha ministri në takim është një fjalë, e populli e thotë se fjalët i merr era,” shoti ajo, duke nënvizuar se ishte kjo arsyeja që i shtyu t’i drejtoheshin me një peticionin institucioneve shtetërore.

Për gati katër vite banorët e këtyre fshatrave, kanë dalë në rrugë dhe janë përplasur me policinë dhe koncesionarin për të mos lejuar që edhe pylli i fundit i zonës së tyre të kthehet në djerrinë. Protestat kundër koncesionit të dhënë në vitin 2015 u rigjallëruan së fundmi kur kompanitë koncesionare “Almex-Wood” dhe “Lubima sh.p.k” filluan të hapin një rrugë të dytë duke i dalë nga pas fshatrave. Këtyre protestave të fshatrave të vendlindjes iu bashkuan edhe vëllezërit Keta të njohur si kampionë bote në boks e kikboks në Gjermani.

Ministri i Mjedisit Blendi Klosi në takimin e 21 korrikut me banorët e fshatrave Dushaj, Kodra e Danit, Koçaj dhe Kokërdhak u premtoi atyre se për një kontratë koncesionare për shfrytëzimin e pyjeve të zonës, të cilën banorët e kundërshtojnë, do të synohet të pezullohet.

“Me përgjegjësinë e ministrit të linjës, pa çka se pylli është në pronësi të pushtetit lokal dhe kontratën duhet ta implementojë kryetari i bashkisë, unë do të kërkoj, pas inspektimit që ka bërë Inspektoriati i Mjedisit dhe mbas vlerësimit që ka bërë zyra e Prefektit, pezullim të kontratës dhe do të shikojmë se çfarë do të bëhet me atë kontratë. Ne do të duhet ta pezullojmë atë,” deklaroi ai.