Në arrati që prej vitit 2016, i akuzuari si Eskobari i Ballkanit u vetëdorëzua në polici ndërsa Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e prezantoi dorëzimin si sukses të policisë.
Klemend Balili, 47 vjeç, në arrati nga drejtësia greke që nga maji i vitit 2016 dhe personi që i shpëtoi një dyzine operacionesh policore e që u bë simbol i lidhjeve të politikës me krimin, zgjodhi të vetëdorëzohej në policinë shqiptare të martën.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj konfirmoi lajmin e dorëzimit në një konferencë për shtyp ndërsa u përpoq ta paraqesë dorëzimin si rrjedhojë e presionit policor.
” Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë,” deklaroi Lleshaj para gazetarëve, të cilët nuk e humbën kontradiktën mes faktit që ai u dorëzua vetë, ndërsa Lleshaj e paraqiti ngjarjen si “operacion policor”.
Pyetur mbi këtë kontradiktë, Lleshaj shtoi: “Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e operacioneve të tilla për ndalimin e personave të këtij karakteri, besoj do të jetë e qartë që kurrë nuk mund të ketë një dorëzim vullnetar të një personi të kriminalizuar në këtë nivel drejt stacioneve të policisë.” [Link]
Balili u bë një telash i madh për politikanët shqiptarë përgjatë dy viteve e gjysmë në arrati, pasi institucionet ndërkombëtare ia rikujtuan shpesh atyre mosarrestimin si një tregues i dështimit të luftës kundër krimit.
Kryeministri Edi Rama, të cilit ish-ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu ia përmendi Balilin në korrik të vitit të kaluar si shembull i dështimit të qeverisë, përshëndeti ngjarjen si një sukses ndërsa duket se mohoi që Balili të jetë vetëdorëzuar.
“Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar,” komentoi Rama. “Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH”. Duke iu përgjigjur pikëpyetjeve mbi dorëzimin, Rama shtoi në një mesazh të dytë në Tëitter: “Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij.”
Presidenti Ilir Meta, i cili shfaqet në një video të vitit 2015 në ceremoninë e inaugurimit të hotelit Santa Quaranta, një investim multimilionësh për një hotel luksi në qytetin e Sarandës, pronë e familjes Balili, e përshëndeti arrestimin dhe falënderoi ndërkombëtarët për presionin.
“E përshëndes ndalimin e Klement Balilit, një person me mjaft probleme me ligjin,” tha Meta. “Me këtë rast dua të falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbatuese, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot”, shtoi ai.
Balili u shpall në kërkim në Greqi në maj 2016, pas një operacioni ndërkombëtar ku morën pjesë autoritetet greke, Europol, DEA dhe agjenci të tjera ligjzbatuese për goditjen e një rrjeti të strukturuar kriminal që fillonte aktivitetin në Sarandë dhe shpërndante mariuanë dhe droga të forta në të gjithë Europën. Por ndërsa autoritetet greke e kishin shpallur Balilin në kërkim, policia shqiptare heshti dhe refuzoi të komentonte në atë kohë. Vetë Balili, i cili ndërkohë ishte punësuar si drejtor i Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, dilte në media duke hedhur poshtë akuzat si shpifje të opozitës.
Autoriteteve shqiptare iu deshën rreth tetë muaj deri në dhjetor 2016 për të pranuar se Balili ishte në fakt person në kërkim ndërkombëtar.
Që nga ajo kohë, disa operacione për arrestimin e tij kanë dështuar.
Lexo më shumë:
I dyshuari si ‘baron' droge Klemend Balili shpallet në kërkim në Greqi
“Celula” shqiptare në Bruksel, si trafikohej kokaina dhe hashashi në vendet e BE
Nga Shqipëria në Belgjikë, tonelatat e drogës shqiptare që “mbytën” Europën
Lu i rikujton Balilin, Rama ankohet për gjykatat
Gjyqtari i Apelit, 47 mijë USD pagesë për konsulencë ligjore nga vëllezërit Balili
Konflikti 17-vjeçar; si u tjetërsua ish-kampi i Sarandës në hotelin luksoz të Balilit
Hetimi pasuror ndaj Klement Balilit, sekuestrohet “Santa Quaranta”