Lajm10 Jul 2020

KPA largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë Petrit Çenon

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar ankimin e Çenos kundër vendimit të KPK për shkarkimin e tij. Ndërkohë Çeno është në pritje të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me akuzën për korrupsion të ngritur ndaj tij dhe dy gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës së Apelit Durrës. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Anetaret e trupes gjykuese te KPA. Foto Ilustruese/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të enjten të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Petrit Çeno për mosdeklarime dhe deklarime të rreme.

Në shkurt të vitit 2019, KPK vendosi të shkarkojë nga detyra pasi u konstatuar një sërë problemesh për kriterin e deklarimit të pasurisë.

Sipas Komisionit, veç mungesës së të ardhurave të ligjshme për të justifikuar pasurinë, Çeno kishte fshehur të ardhurat vjetore dhe pjesëmarrjen e të birit si aksioner në 5 kompani.

KPK gjeti probleme edhe në blerjen e një apartamenti 98 m2 dhe një garazhi 22 m2, shitjen e një apartamenti në Durrës dhe blerjen e një apartamenti tjetër në Golem. Komisioni e akuzon subjektin për një sërë fshehjesh të pasurisë, përfshi vlerën e një apartamenti 144 m2 të blerë nga bashkëshortja, ndërsa shprehet se Çeno  kishte mashtruar bankën për një kredi të cilës i ishte ndryshuar destinacioni.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore dhe Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Ina Rama anëtarë shqyrtuan në dhomë këshillimi ankimin e Çenos dhe vendosën ta rrëzojnë atë duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Çeno është në të njëjtën kohë në pritje të apelit, pasi u dënuar nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për korrupsion së bashku me dy kolegë.

Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë më 29 tetor 2019 dhe u dënuan nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.

Tre gjyqtarët akuzohen se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar.