Lajm19 Mar 2019

Kundërshtimi i banorëve për HEC-et, “bllokon” Këshillin Bashkiak në Bulqizë

Kundërshtimi i banorëve të Fushë-Bulqizës për të lejuar nxjerrjen e një pjese të pyllit të kësaj zone nga fondi pyjor i Bashkisë Bulqizë për t’i hapur rrugë projekteve për HEC-e, çoi në dështimin për të tretën herë të mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku do shqyrtohej kjo çështje.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Banorë dhe këshilltarë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Bulqizë. Foto:Sami Curri

Kundërshtimi dhe protesta e banorëve të Fushë-Bulqizës për të lejuar nxjerrjen e një pjese të pyllit të kësaj zone nga fondi pyjor i Bashkisë Bulqizë për t’i hapur rrugë projekteve për HEC-e, çoi në dështimin për të tretën herë të mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku do shqyrtohej ky çështje.

Bashkia Bulqizë i kërkoi Këshillit Bashkiak në një projekt-vendim të disa ditëve më parë të miratojë heqjen nga fondi i saj pyjorë e kullosor i disa pyjeve në zonën e Fushë Bulqizës, por mbledhja e Këshillit Bashkiak dështoi të martën, ndërsa një pjesë e mirë e këshilltarëve nuk u paraqitën dhe të tjerë u shprehën kundër vendimit.

Gazmend Kenga, kryetar i Këshillit Bashkiak Bulqizë i tha BIRN se këshilli kishte refuzuar të shprehej pa dëgjuar banorët e zonës. “Transferimi i pronësisë së këtij fondi pyjor dhe kullosor nga pronë e Bashkisë Bulqizë në pronë të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ka dështuar për të tretën herë sepse ne kemi refuzuar që të shprehemi për këtë çështje pa marrë më parë mendimin e banorëve të zonës”, tha Kenga.

Nga 22 anëtarë të Këshillit Bashkiak vetëm 8 ishin të pranishëm në seancë, ndërsa për korumin duhen të paktën 11 këshilltarë.

Por salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Bulqizë ishte mbushur me banorë të fshatrave që e kundërshtojnë vendimin e Bashkisë Bulqizë, i cili sipas tyre i hap rrugë ndërtimit të HEC-ve në këtë zonë. BIRN mësoi se në zonë ishin projektuar 3 HEC-e, që kundërshtohen paraprakisht nga banorët. Këta të fundit shpresojnë se duke ndaluar heqjen e fondit pyjor nga bashkia, do të bllokojnë edhe ndërtimin e HEC-ve në zonë.

Banorët të cilët kundërshtuan për 4 vjet me rradhë dhënien e pyjeve të zonës me koncesion për shfrytëzim dhe ia dolën mes protestave të merrnin një premtim nga ministri i Mjedisit Blendi Klosi për pezullim të koncesionit (Lexo këtu)  ishin të inatosur me përpjekjen e re për të miratuar HEC në zonë, projekt që po ashtu cënon pyjet për të cilat ata protestuan dhe morën mbështetje se nuk do të prekeshin.

Pylli në Sheshe Bulqizë | Foto nga Sami Curri

Një prej banorëve Bajram Disha u shpreh gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se kjo është “prerje në besë” për së dyti herë që i bëhet kësaj zone. “Kemi vujtur shumë me pyjet, tani po doni me ja nis me ujin. Ndaluni sa jeni në kohë. Pyjet dhe uji janë jeta jonë. Nuk do ju lejojmë që ta merrni.”, u shpreh Disha.

Disha ishte një ndër organizatorët e protestave kundër dhënies me koncesion për shfrytëzim të pyjeve në zonën e tij dhe në korrik të vitit që shkoi u shoqërua nga policia në atë që ai e cilësoi përpjekje për t’i bërë presion.

Kreu i Bashkisë Bulqizë Melaim Damzi, i kontaktuar me telefon nga BIRN për këtë çështje refuzoi të fliste. Ndërkohë anëtarë të këshillit të të tre forcave politike shprehën rezerva për vendimin. Kreu i Këshillit Kenga, ndërsa nuk u shpreh kundër kërkoi më shumë informacion. Ai tha se vetëm 8 këshilltarë ishin paraqitur në mbledhjen e rradhës, ndërsa tha se kjo çështje nuk do jetë më në rend dite pa pasur informacion të plotë dhe mendimin e banorëve të zonës.

“Ne do presim një relacion të plotë të kësaj çështje nga Bashkia Bulqizë dhe kompania që kërkon të investojë. Gjithashtu edhe një mendim nga banorët e zonës. Pa marrë një relacion të plotë dhe të detajuar nuk do të futet më në rendin e çështjeve që do të trajtohen nga Këshilli Bashkiak”, tha ai.

Nga ana tjetër ai nuk u shpreh kundër projektit apriori, ndërsa i tha BIRN se çështja ishte shumë sensitive dhe nëse Këshillit Bashkiak do votonte kundër kjo do pengonte procedurat e marrjes së lejes nga kompania për ndërtimin e HEC.

Halil Jakimi, anëtarë i Këshillit Bashkiak nga radhët e Partisë Demokratike u shpreh në një bisedë telefonike për BIRN se ai nuk do të votojë asnjë propozim që bie ndesh me vullnetin e banorëve të zonës, që e kanë treguar edhe më parë ndjeshmërinë ndaj natyrës. “Pa dakordësinë e banorëve, të kryepleqve të fshatrave dhe pushtetit vendor nga ana ime nuk do të ketë votë pro transferimit të pronësisë që i hap rrugë ndërtimit të HEC-ve”, deklaroi për BIRN Jakimi.

Po ashtu Veap Halili, anëtarë i Këshillit Bashkiak nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim po ashtu tha se nuk do të miratonte vendimin. “Do jemi kundër vendimit për transferimin e pronësisë. Ashtu siç bashkë me këshilltarët e tjerë e kundërshtuam edhe në mbledhjen e parë një vendim të tillë për transferimin e pronësisë nga Bashkia Bulqizë tek Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, pa marrë më parë një mendim të banorëve të zonës”, u shpreh Halili për BIRN.