Analize20 Aug 2021

Mirësevini në shtëpi? Testi i integrimit për të kthyerit e ISIS

Riatdhesimet e fundit të familjarëve të luftëtarëve të ISIS në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut janë një sfidë e vështirë për të tre vendet për t’i riintegruar ata në shoqëri.

Autor: Fjori Sinoruka BIRN Tiranë, Prishtinë dhe Shkup
Printo

Familjarët e fëmijëve dhe grave të mbetura në kampet e Sirisë protestuan para kryeministrisë më 14 shtator 2020, duke kërkuar rikthimin e tyre. Foto: LSA

Më 18 korrik, Maqedonia e Veriut njoftoi se kishte riatdhesuar 23 qytetarë të saj, të cilët i kaluan vitet e fundit në fushë-betejat e Sirisë dhe Irakut dhe ishin dikur anëtarë të Shtetit Islamik, ISIS.

Katër nga 23 të riatdhesuarit ishin në kërkim për terrorizëm dhe do të përballen me gjyqe. Nga të tjerët, pesë ishin gra dhe 14 fëmijë.

Në të njëjtën mënyrë, Kosova fqinje njoftoi riatdhesimin e 11 personave nga Siria, ndërsa deklaroi se mes tyre ishte edhe një grua dhe fëmijët e saj.

Më 1 gusht, edhe Shqipëria riatdhesoi 19 persona nga kampi Al-Hol në Siri, 14 prej të cilëve ishin fëmijë dhe 5 gra.

Ndërsa disa prej vendeve të BE-së kanë refuzuar të pranojnë pas qytetarë të cilët iu bashkuan ISIS, këto tre vende të Ballkanit kanë hartuar strategji integrimi, ndërsa presin edhe më shumë të kthyer.

Megjithatë, ekspertët thonë se rruga është e gjatë nga të pasurit strategji në deradikalizimin dhe integrimin e plotë të ish-anëtarëve të organizatave terroriste të tilla si ISIS.

Pavarësisht rrezikut të mundshëm që shfaq rikthimi i tyre –për të cilin të tre vendet thonë se po e marrin seriozisht, ekspertët paralajmërojnë se këta njerëz nuk mund të riintegrohen vetëm  nga qendra politike; komunitetet lokale ku ata jetojnë duhet të luajnë një rol edhe më të madh.

Fëmijët kanë nevojë për trajtimin e traumës, ndërsa prindërve u nevojitet njëkohësisht trajtim psikologjik dhe monitorim, po aq sa ndihma për të gjetur punë apo një qëllim të ri pas kthimit në shtëpi.

Rreziku i sigurisë në axhendë

Të tre shtetet e Ballkanit thonë se po kryejnë hetime dhe po ndërmarrin kontrolle të sigurisë për të kthyerit, të cilët për momentin po qëndrojnë në qendra të specializuara.

Disa, si katër burrat në kërkim në Maqedoninë e Veriut po qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetuesit po punojnë për të mbledhur prova për procedime të mundshme, tha ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut.

Gratë e kthyera po verifikohen gjithashtu për ndonjë përfshirje të mundshme në inkriminim apo aktivitet terrorist.

Kreu i Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Arben Kraja i tha BIRN se gratë e kthyera në Shqipëri do të merren në pyetje si pjesë e një hetimi në vazhdim.

“Ne kemi një hetim të hapur për luftëtarët që shkuan në Siri dhe si pjesë e këtij hetimi, ato [gratë e kthyera] do të merren në pyetje,”tha ai.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ishte po aq i bindur se të kthyerit nuk do të merrnin një leje-kalim falas. “Ata që kanë kryer krime, këtu apo jashtë do të procedohen,” tha ai.

Përndryshe, qeveria e Kosovës ka thënë se “po i ndihmon ata që të kthehen te familjet e tyre, në mënyrë që të mund të riintegrohen në rajonet e tyre”.

BIRN kontaktoi prokurorinë e Kosovës për akuza të mundshme për terrorizëm ndaj të kthyerve nga Lindja e Mesme, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit.

Asnjë nga tre shtetet nuk e di numrin e saktë të qytetarëve të vet që kanë ngecur në kampet e Sirisë apo gjetkë, dhe që mund të riatdhesohen.

Deri tani, mbi 80 persona, pjesmarrës në luftimet në Irak dhe Siri janë kthyer vetë në Maqedoninë e Veriut.

Në vlerësime të përafërta, kryeministri Zoran Zaev tha javën e kaluar se Maqedonia e Veriut nuk priste më shumë se 50 të tjerë.

Shqipëria, e cila ka riatdhesuar deri tani 24 persona nga fushëbeteja e Lindjes së Mesme beson se diku te 30 të tjerë vazhdojnë të mbeten në Siri.

Përveç 11 të kthyerve të korrikut 2021, Kosova ka riatdhesuar mbi 250 persona nga zonat e konfliktit në Siri.

Ndihmë mjekësore dhe psikologjike

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të cilët kërkojnë rikthimin e fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Të kthyerit në të tre vendet po mbahen në qendra të specializuara për momentin. Vetëm Shqipëria ka bërë publike se ata po qëndrojnë në një qendër në qytetin e Durrësit.

Autoritetet thonë se paralelisht me verifikimet për rriskun mbi sigurinë, po i trajtojnë të kthyerit me ndihmë mjekësore dhe psikologjike.

Në Maqedoninë e Veriut, koordinatori i Komitetit Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës kundër Terrorizmit, Borce Petrevski i tha BIRN: “Nga informacioni ynë fillestar, të kthyerit kanë nevojë për të dyja.  Disa janë të rraskapitur nga qëndrimi në kampe të ndryshme në Siri. Të tjerët, veçanërisht fëmijët janë të traumatizuar nga çfarë kanë parë dhe përjetuar atje, ndaj duhet të jemi të sigurt që kthimi i tyre në shtëpi nuk do të përjetohet si një tjetër traumë”.

Komiteti i tij është një institucion qeveritar, që koordinon përpjekjet e 22 institucioneve të ndryshme që merren me këtë problem.

“Prandaj ne kemi trajnuar punonjësit socialë, psikologët dhe ekspertë të tjerë, të cilët filluan menjëherë të punojnë me ta, duke vlerësuar gjendjen e tyre dhe ofruar mbështetje,” shtoi Petrevski.

Por edhe pse qeveritë thonë se do të sigurojnë privatësi maksimale për të kthyerit, të cilët rrezikojnë të stigmatizohen me kthimin e tyre në shtëpi, kryeministri shqiptar, Edi Rama e ka bërë tashmë një gabim në këtë fushë.

Me mbërritjen e të kthyerve në aeroportin e Tiranës, fotografi të tij u postuan në Facebook ndërsa i priste –duke shfaqur edhe fytyrat e disa prej fëmijëve.

Testimi i planeve të veprimit

Gjatë viteve 2019-2020, tre shtetet e Ballkanit hartuan të ashtuquajturat plane veprimi për të trajtuar problemin e të kthyerve. Të lëvduara vitin e kaluar nga Departamenti amerikan i Shtetit, ato parashikojnë kombinimin e një përpjekjeje aftagjatë si nga shërbimet e sigurisë, ashtu edhe nga ato sociale; për të monitoruar të kthyerit, por edhe për të mundësuar deradikalizimin dhe integrimin e tyre.

Testi i vërtetë i këtyre planeve, megjithatë, fillon në momentin kur këta njerëz do të dalin nga qendrat e specializuara dhe do të kthehen në komunitetet e tyre.

Me mbërritjen e tyre në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë u pyet mbi hapat që institucionet shtetërore do të ndërmarrin për riintegrimin e grave dhe fëmijëve në shoqëri, pas lënies së tyre të lirë.

“Kini parasysh se po flasim për gra dhe fëmijë, çka e bën punën më të lehtë nga këndvështrimi i sigurisë, ndërsa në anën psikologjike dhe sociale padyshim që do të marrë kohë dhe kujdes, por ne jemi të përgatitur, siç kemi qenë edhe më parë,” tha ai.

Kosova ka njëfarë eksperience në këtë detyrë.

Luljeta Berisha Gollopeni, menaxhere projekti në Qendrën për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, KRCT, një organizatë jo-fitimprurëse i tha BIRN se projekti i tyre mbështet riintegrimin dhe rehabilitimin e fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri, të cilët janë kthyer tashmë në sistemin shkollor.

Mes gjërave të tjera, qendra trajnon profesionistët e shëndetit mendor që të përballen me këta fëmijë. Aktualisht, ata po trajnojnë psikologët e shkollave, mjekët e familjes dhe infermieret- të cilët janë zakonisht pika e parë e kontaktit me rikthimin në Kosovë.

Plani është që psikologët e trajnuar t’ia kalojnë njohuritë e tyre edhe mësuesve.

Berisha Gollopeni tha se KRCT ka në plan të diskutojë me ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, për t’i lejuar ata që të fillojnë të trajtojnë edhe të kthyerit rishtaz.

“Edhe pse po flasim për familje… ne duhet të jemi të vetëdijshëm që nevojat e secilit anëtar të familjes janë të ndryshme, kur flasim për riintegrimin e tyre në shoqëri,” theksoi Berisha Gollopeni.

Fëmijët kanë nevojë për ‘një qasje informuese për traumat nga kushdo që i rrethon ata, për të siguruar që ata nuk do të kalojnë trauma të tjera dhe ndjehen të mbështetur dhe të dashur brenda shoqërisë,” shpjegoi ajo.

Përpjekjet me prindërit duhet të përqendrohen te ndihma për të siguruar pavarësinë ekonomike.

“Këto familje, qoftë fëmijët apo prindërit, përballen me stigmë të imponuar nga shoqëria, ndaj nuk është e lehtë të ndërhyhet përpara se paragjykimet ndaj tyre të lehtësohen në komunitet,” paralajmëroi ajo.

Ministria e Brendshme e Kosovës dhe më saktësisht Divizoni për Parandalim dhe Riintegrim udhëheq programet riintegruese. Një studim i vitit 2020 i Qendrës për Studime të Sigurisë në Kosovë, KCSS, paralajmëron se plani i veprimit 2015-2020 nuk është zbatuar plotësisht.

Disa nga mangësitë kryesore të përmendura janë se shumica e njerëzve të caktuar për t’u marrë me këtë çështje nuk ishin as të kualifikuar dhe as me përvojë dhe se disa bashki apo shkolla nuk i kishin trajnuar psikologët apo punonjësit sociale për t’u marrë me të kthyerit dhe për të ofruar ndihmë të vërtetë.

Strategjia e re e Kosovës 2021-2026 përban 101 aktivitete të ndryshme për të parandaluar radikalizimin dhe luftuar terrorizmin.

Megjithatë, pothuajse të gjitha këto aktivitete janë planifikuar të mbështeten me donacione dhe të kryhen nga shoqëria civile, jo përmes linjave të buxhetit të institucioneve qendrore dhe lokale.

Në Maqedoninë e Veriut, ekspertët lokalë kanë shprehur shqetësime të ngjashme rreth kapaciteteve dhe koordinimit mes institucioneve. Vitin e kaluar, vendi adoptoi gjithashtu një plan të ri veprimi dhe shpresat janë tani që gjërat do të përmirësohen.

Petrevski nga Maqedonia e Veriut tha se komiteti i tij po koordinon “punonjësit socialë, forcat e sigurisë, pushtetin lokal, komunitetet fetare, shkollat dhe të tjerë dhe të gjithë ata do të duhet të luajnë rol në këtë përpjekje të gjatë dhe të komplikuar të rehabilitimit në shoqëri”.

Pushteti vendor mund të jetë ‘fill i dobët’

Qyteti i shkatërruar i Homsit në Siri. Foto: UNHCR/Christopher Reardon.

Ndërsa planet e veprimit dhe strategjitë parashikojnë përfshirjen e institucioneve qendrore dhe lokale, ekspertët thonë se pushteti vendor është më pak i përgatitur për të mbajtur peshën, çka mund të bëhet “thembra e Akilit” në të gjithë procesin.

Organizata e Berisha Gollopenit nga Kosova ka bashkëpunuar me Ministritë e Shëndetësisë dhe të Arsimit, po aq sa me organizatat jo-fitimprurëse dhe bashkitë ku jetojnë të kthyerit apo pritet të jetojnë në të ardhmen.

Ajo tha se koordinimi me të gjitha institucionet kishte qenë i vështirë dhe se më shumë duhet të bëhet për të profilizuar rolin e secilit prej tyre.

Afrodita Musliu, drejtuesja e organizatës NEXUS-Civil Concept në Maqedoninë e Veriut dhe koordinatore e një studimi mbi problemin e rehabilitimit dhe riintegrimit të të kthyerve, i botuar në vitin 2020 tha se rezultatet mund të jenë të dobëta nëse autoritetet lokale dhe institucione të tilla si shkollat dhe komunitetet fetare dështojnë të kuptojnë se kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur.

“Analiza jonë tregon rezultate zhgënjyese, kur ne folëm drejtpërdrejt me institucionet dhe bashkitë,” tha ajo.

“Ata nuk e shikojnë si problem të tyrin. Ata mendojnë se kjo është një çështje që duhet zgjidhur në nivel kombëtar dhe jo lokal. Por jo nuk është e vërtetë, pasi që një program rehabilitimi të jetë i suksesshëm, ai duhet të zbatohet në nivel lokal,’ shtoi Musliu.

Ajo tha gjithashtu se si fëmijët dhe nënat, ashtu edhe personat që po fillojnë një dënim me burg, të gjithë do të kthehen në komunitetin e tyre lokal në fund, dhe ku ata kanë më shumë nevojë për t’u pranuar.

Musliu paralajmëron gjithashtu se vendet do të bëjnë gabim nëse do të mendojnë se rehabilitimi fillon vetëm pasi personat e dënuar do të përfundojnë kohën e tyre të burgut.

“Risocializimi duhet të fillojë menjëherë, edhe pas hekurave,’ tha ajo. “Gardianët e burgut dhe personeli tjetër duhet të trajnohen për t’u përballur me këta njerëz dhe madje duhet konsideruar që ata të vendosen në qeli të veçanta”.

Kërcënimi për sigurinë

Kërcënimi nga radikalizimi është ndërkohë real në rajon, siç tregojnë disa raste të fundit nga Maqedonia e Veriut.

Në shtator 2020, autoritetet atje arrestuan tre simpatizantë të dyshuar të ISIS, të kthyer nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kapën eksplozivë dhe armë që dyshohet se mund të përdoreshin në sulme të planifikuara.

Në nëntor të të njëjtit vit, Maqedonia e Veriut u trondit nga zbulimi se njëri nga autorët e sulmit terrorist në Vienë ishte nënshtetas i Maqedonisë së Veriut.

Në raportin e fundit mbi Situatën dhe Trendet e Terrorizmit (TE-SAT), misioni i policisë së Bashkimit Europian, EUROPOL theksoi se gjatë vitit 2020, organizatat terroriste u përpoqën të përdorin pandeminë globale të COVID-19 për të shpërndarë propagandë të urrejtjes, kryesisht në internet.

Në analizën e vet, EUROPOL theksoi se ndonëse nuk pati sulme terroriste në Ballkanin Perëndimor atë vit, ngjarjet në rajon krijuan kërcënime të mundshme që mund të ndikonin në situatën e përgjithshme të terrorizmit në BE.

“Në veçanti, ka ende shqetësime në lidhje me mundësinë e militantëve, përfshirë edhe të kthyerit nga zonat e konfliktit, që të përdorin udhëkalimet nëpër rajon,” thuhet në raport.

Raporti theksoi gjithashtu se Kosova arrestoi tre persona për terrorizëm në vitin 2020, ndërkohë që 21 të kthyer u liruan nga burgu, pasi përfunduan dënimet e tyre.

Shqipëria raportoi nëntë hetime të lidhura me terrorizmin që përfshinin 14 persona gjatë vitit 2020, thuhet në raport. Të dyshuarit nuk ishin pjesë e një grupi, por përfshinin të kthyer, të burgosur të radikalizuar dhe xhihadistë, shtohej në raport.