Reportazh16 Apr 2021

Ndërsa konflikti në Ukrainë intensifikohet, vullnetarët serbë bëhen gati për luftë

Serbët që luftuan për milicitë e mbështetura nga Moska në konfliktin në Ukrainën lindore thonë se ata janë gati të marrin përsëri armët pasi një grumbullim masiv ushtarak rus në kufi shton frikën për më shumë dhunë.

Autor: Mladen Obrenovic BIRN Feniks
Printo

Foto nga lufta në Ukrainë. Foto: ivbogdan.com/Flickr.

Ndërsa konflikti në Ukrainë nxehet përsëri, ka pasur indikacione se luftëtarë vullnetarë nga Ballkani janë drejtuar përsëri në rajonin Donbas të Ukrainës lindore për të luftuar për forcat separatiste të mbështetura nga Rusia.

Mes tensioneve në rritje, vullnetari serb Dejan Beriç, i cili shërbeu me forcat e mbështetura nga rusët në Republikën Popullore të vetëshpallur të Donetskut si snajperist disa vjet më parë, tha se ai do të kthehet në Ukrainën lindore.

“Kam një pasaportë të Republikës Popullore Donetsk – nuk është thjesht një copë letër, por edhe një detyrim. Kjo është republika ime dhe unë jam i detyruar ta mbroj atë”, tha Beriç për faqen e internetit të Donbas Today.

Që nga mesi i marsit, ka pasur raporte të shumta për një grumbullim masiv ushtarak rus pranë kufirit lindor të Ukrainës dhe në gadishullin e pushtuar rus të Krimesë, duke shkaktuar paralajmërime për një përshkallëzim të mundshëm në konfliktin shtatë-vjeçar në Donbas midis forcave të qeverisë ukrainase dhe luftëtarëve të ndihmuar nga Rusia.

Si përgjigje, ministria ukrainase e mbrojtjes u ka bërë thirrje ushtarëve rezervistë të marrin pjesë në seanca stërvitore dhe ka kryer stërvitje ushtarake mbrojtëse pranë Krimesë. Kyiv thotë se 28 ushtarë të tij tashmë janë vrarë këtë vit.

Beriç pretendoi se shumë vullnetarë ballkanas po drejtohen në të ashtuquajturat Republika Popullore Donetsk dhe Luhansk – zona të Donbasit të cilat kanë qenë jashtë kontrollit të qeverisë ukrainase që nga fillimi i konfliktit në 2014.

“Nëse fillon një ofensivë, pres një numër të madh viktimash. Do të jetë më keq sesa në 2014”, parashikoi ai.

Bashkimi i Vullnetarëve të Donbasit, një organizatë që operon në Ukrainën Lindore të kontrolluar nga separatistët që është e përfshirë në rekrutimin e luftëtarëve, ka thënë gjithashtu se po bëhet gati për një përshkallëzim të mundshëm.

Dhjetëra vullnetarë ushtarakë pro-rusë të cilët erdhën në Ukrainë nga Serbia dhe Republika Srpska kanë luftuar tashmë nën ombrellën e saj në Ukrainën lindore.

Kreu i Bashkimit, Alexander Borodai, i cili ishte gjithashtu kryeministri i parë i Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut, parashikoi se nëse situata nxehet më tej, “do të vijnë vullnetarë rusë”.

“Pandëshkueshmëri për luftëtarët ballkanas në Ukrainë”

Luftëtari serb Dejan Beriç me pasaportën e Republikës Popullore të Donetskut. Foto: Facebook/Dejan Beric.

Bratislav Zivkoviç, i cili e përshkruan veten si një komandant çetnik dhe pretendon se ai ishte një nga vullnetarët e parë serbë që shkoi në Krime kur ajo u aneksua nga Rusia në 2014, tha gjithashtu se ai besonte se palët ndërluftuese në Ukrainën lindore “janë me të vërtetë në prag të ripërtëritjes së konfliktit të tyre”.

“Njerëzit këtu janë absolutisht kundër luftës, jo vetëm në Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donetskut, por edhe në anën tjetër, veçanërisht në zonën kufitare. Njerëzit të afërmit e të cilëve qëndruan në anën ukrainase po flasin për këtë”, tha Zivkoviç për BIRN nga Ukraina lindore.

Legjislacioni në Bosnjë dhe Serbi ndalon shkuarjen për të luftuar jashtë vendit dhe Zivkoviç është hetuar më parë në Serbi për marrjen e vullnetarëve nacionalistë çetnikë serbë në Ukrainë. Megjithatë, hetimi u ndërpre.

Ai pretendoi se ka pasur lëvizje të trupave në të dy anët e “vijës së kontaktit” midis territorit të kontrolluar nga qeveria ukrainase dhe zonave të kontrolluara nga rebelët dhe se “granatimet janë rritur gjithashtu”.

Zivkoviç citoi pretendimet se një dron i armatosur ukrainas vrau një djalë pesëvjeçar në fshatin Alexandrovskoye të kontrolluar nga separatistët më herët këtë muaj. Vrasja është mohuar nga qeveria e Kievit. Zivkoviç pohoi se pas kësaj, “shumë njerëz kanë bërë përpara dhe kanë shprehur interes për situatën në front”.

“Tani ka një interes të shtuar në këtë rajon, jo vetëm në Serbi dhe Republikën Srpska, por edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut  dhe madje Bullgari”, shtoi ai.

Gjyqet që janë mbajtur deri më tani mund të mos kenë vepruar si një parandalues. Nga shumë vullnetarë serbë që kanë luftuar për forcat e mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore, pak janë ndëshkuar ashpër. Serbia ka dënuar një total prej 29 individësh për luftime jashtë vendit, por shumica e tyre morën dënime me kusht pasi pranuan fajësinë.

Sipas një raporti nga Ministria e Sigurisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, gjatë shtatë viteve të fundit, 11 shtetas boshnjakë kanë marrë pjesë në aktivitete luftarake në Ukrainë.

“Aktualisht një qytetar boshnjak është larg në zonën e luftës në Ukrainë”, deklaroi raporti, i cili u bazua në të dhëna nga policia, shërbimi i inteligjencës dhe institucione të tjera të tilla.

Nga 11 vullnetarët që thuhet të kenë shkuar për të luftuar në Ukrainë nga Bosnja dhe Hercegovina, vetëm një, një burrë i quajtur Gavrilo Steviç, është gjykuar. Megjithatë, ai u lirua nga akuzat në apel vitin e kaluar.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Penale, Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Sarajevës, Jasmin Ahiç, tha se lirimi nga akuzat, si dhe dështimi për të ndjekur penalisht dhjetë vullnetarët e mbetur, treguan se kishte pandëshkueshmëri për ata që shkuan të luftonin në Ukrainë, ndërsa boshnjakët e tjerë që shkuan të luftojnë për Shtetin Islamik në Siri janë dënuar me burg.

“Kjo nënkupton një dallim midis atyre që luftuan në Siri dhe atyre që luftuan në Ukrainë. Kjo thjesht tregon se qytetarët boshnjakë nuk janë të barabartë para ligjit dhe se nuk ka drejtësi”, tha Ahiç.

Gjyqi i Steviç tregoi megjithatë se si disa vullnetarë nga Ballkani morën rrugën për në zonën e konfliktit në Ukrainën lindore. Ata udhëtuan përmes Beogradit për në Moskë, nga ku u transferuan në Rostov-on-Don në Rusinë jugore, pranë kufirit ukrainas, pastaj përtej territorit të kontrolluar nga separatistët në Donbas.

Aktakuza pretendonte se Steviç mori ndihmë nga një shoqatë çetnike e quajtur Lëvizja Ravna Gora dhe se Bratislav Zivkoviç udhëtoi nga Beogradi me të dhe një grup vullnetarësh të tjerë. Në Rostov-on-Don, ata u takuan me vullnetarë ushtarakë rusë të cilët rekrutonin njerëz për të luftuar në Donetsk dhe Luhansk, si dhe një togë private që po kërkonte roje për një “autokolonë humanitare” në Ukrainën lindore, pretendoi gjithashtu aktakuza.

Prokuroria shtetërore e Bosnjës tha për BIRN se është ende duke punuar me policinë dhe agjencitë e sigurisë në disa raste shtetasish boshnjakë që shkojnë të luftojnë jashtë, në vende përfshirë Ukrainën, por nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme për arsye operacionale.

Ukraina paralajmëron luftëtarët serbë

Tanke në Donetsk, Ukraina lindore, maj 2015. Foto: Wikipedia.

Ukraina merr një qëndrim shumë të ashpër ndaj luftëtarëve të huaj që mbërrijnë për t’iu bashkuar konfliktit në territorin e saj dhe ka paralajmëruar që ata mund të përballen me burg ose vdekje.

Ambasadori ukrainas në Beograd, Oleksandr Alexandrovych, tha se ky “nuk është një konflikt i brendshëm në Ukrainë, është një luftë e zhvilluar nga Federata Ruse kundër Ukrainës. Gjykata Penale Ndërkombëtare në vitin 2016 e përcaktoi atë qartë si një konflikt të armatosur midis Federatës Ruse dhe Ukrainës”.

“Pra, kushdo, përfshirë mercenarët serbë, që do të hyjë në Ukrainë në mënyrë të paligjshme dhe me armë me qëllim për të qëlluar mbi ukrainasit, mund dhe do të vritet ose kapet, në përputhje të plotë me ligjin ukrainas dhe ndërkombëtar”, paralajmëroi Alexandrovych.

“Është e kotë t’i drejtohesh ndërgjegjes së atyre mercenarëve, por unë u bëj thirrje të afërmve dhe të dashurve të tyre këtu në Serbi. Ju lutem, ndalojini, përndryshe mund t’i humbni”, shtoi ai.

Ukraina është ankuar në mënyrë të përsëritur se serbët që shkuan në Donbas për të luftuar dhe u arrestuan gjatë kthimit në shtëpi nuk ishin ndëshkuar në mënyrë adekuate.

“Si ambasador i Ukrainës, unë nuk jam i kënaqur me përpjekjet e Beogradit për të ndjekur penalisht ata kriminelë. Ka mjaft prej tyre – disa qindra që nga fillimi i luftës. Ata shpesh shërbejnë si snajperistë dhe përbëjnë një rrezik të madh për ushtrinë dhe popullsinë civile të Ukrainës”, tha Alexandrovych.

Ai këmbënguli që autoritetet ukrainase i sigurojnë “Serbisë informacione të rregullta në lidhje me identitetet e tyre”, por tha se nuk e dinte se si janë përdorur këto informacione.

“Deri më tani, nuk jam në dijeni të një personi të vetëm që të jetë gjykuar dhe të jetë dënuar me burg. Dënimet me kusht nuk janë padyshim një dënim adekuat, sepse shumë prej tyre kthehen në Ukrainë për të përsëritur krimet e tyre. Ndonjëherë, ata mburren haptazi për këtë në rrjetet sociale. Kjo është e papranueshme”, tha ai.

“Paraja nuk është motivi kryesor”

Luftëtari çentik serb Bratislav Zivkoviç. Foto: Shërbimi i Inteligjencës Rumani.

Gazetarja ruse Julia Petrovskaya, e cila raporton mbi ndikimin e Rusisë në Ballkan, tha se më shumë vullnetarë të mundshëm mund të pritet të tregojnë interes që të shkojnë të luftojnë r në Ukrainën lindore për shkak të tensioneve të rritura midis Moskës dhe Kievit.

Petrovskaya kujtoi se pas fillimit të konfliktit të armatosur, pas okupimit dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tha se kishte informacione se kishte disa qindra luftëtarë nga Ballkani, “kryesisht serbë (nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi), të cilët luftonin në Donbas”.

“Disa prej tyre silleshin si të donin atje dhe madje kërkonin lavdi mediatike, si ish-zëdhënësi i policisë serbe anti-terroriste Radomir Pocuca, i cili më vonë u dënua për aktivitetet e tij mercenare, ose Dejan Beriç, i cili botoi një libër, punoi për një stacion i vogël televiziv dhe madje u shfaq në një konferencë shtypi në Moskë, e cila u mbajt nga zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova”, tha Petrovskaya.

Ajo tha se vullnetarët serbë “zakonisht rekrutohen përmes organizatave që zakonisht prezantohen si organizata humanitare, fetare ose veterane”.

“Ka shumë organizata të tilla të dyshimta, edhe pse ka edhe disa të njohura, si Fronti i Kosovës ose Ushtria Kozake Ballkanase, të cilat kanë propagandë të fortë anti-perëndimore dhe pro-Kremlinit dhe retorikë konservatore anti-ukrainase dhe nacionaliste. Mekanizmat e tyre të financimit janë të paqarta, por duke gjykuar nga shumë tregues, financat e kanë origjinën nga Rusia”, tha Petrovskaya.

Maria Kucherenko, një analiste në Qendrën për Studime të Shoqërisë Civile me qendër në Kiev, tha se paratë nuk janë motivi kryesor për luftëtarët serbë që shkojnë në Donbas.

“Një serb i zakonshëm ose ndonjë mercenar tjetër i huaj nuk paguhet shumë”, tha Kucherenko.

“Një mundësi për të krijuar një biografi krejtësisht të re, por edhe atmosferën e një ‘heroi dhe martiri për botën ruse’, është një motiv shumë më i rëndësishëm”, argumentoi ajo.

Luftëtarët e huaj gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e mitit nëpër mediat ruse, shtoi Kucherenko.

“Rusia ka nevojë për njerëz si ata, si heronj për histori propagandistike në televizionet e saj, sepse gjasme ‘e gjithë bota’, e përfaqësuar nga ata luftëtarë të huaj, ‘mbështet rusët’ dhe vjen për të ‘luftuar kundër fashizmit’,” shpjegoi ajo.

Megjithatë, ajo tha se interesi për të luftuar në Ukrainën lindore mund të ndikohej nga rasti i Slavisa Mitrovic, një serb të cilit nuk iu dha shtetësia ruse pavarësisht nga fakti se ai shkoi për të luftuar në Donbas dhe më pas mori ‘shtetësinë’ e vetë Republikës Popullore të Luhanskut, “e cila teorikisht do t’i jepte atij të drejtën për të marrë një pasaportë ruse”.

Mitroviç i tha gazetës ruse Komsomolskaya Pravda muajin e kaluar se kur ai po luftonte në luftën e Bosnjës në vitet 1990, ai takoi një rus i cili ishte bërë vullnetar në anën serbe. Vullnetari e pyeti Mitroviçin se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte një konflikt të ngjashëm në zonën nga vinte rusi. Mitroviç tha opër gazetën: “I premtova se do të vija edhe unë për të luftuar.”

Gazeta e kontrastoi rastin e Mitroviçit, të cilin e përshkroi si një nga “mbrojtësit e vërtetë të botës ruse”, me atë të Milos Bikoviç, një aktor serb i cili është shfaqur në filma komedi dhe i është dhënë nënshtetësia ruse. Titulli i saj shtronte pyetjen: “Çfarë lloj serbi i duhet më shumë Rusisë – një komedian apo një vullnetar nga Donbasi?”

Kucherenko tha se historia hyn në “vijën e propagandës ruse” rreth serbëve që u vijnë në ndihmë vëllezërve të tyre sllavë në vijën e frontit në Donbas.

Pasaportat janë një çështje thelbësore në zhvillimin e konfliktit në Ukrainën lindore. Moska u ka dhënë pasaporta ruse qindra mijëra banorëve të zonave të kontrolluara nga separatistët dhe Dmitry Kozak, zëvendës shefi i shtabit i administratës së presidentit Vladimir Putin, tha më 8 prill se Rusia mund të ndërhynte për “të mbrojtur” qytetarët e saj atje.

Kozak e krahasoi situatën në zonat separatiste me qytetin boshnjak të Srebrenicës, më shumë se 7,000 banorë boshnjakë të të cilit u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995 në masakra që janë klasifikuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

“Nëse, siç thotë presidenti ynë, ka një Srebrenicë në Donbas, ne ndoshta do të duhet të vijmë në mbrojtje të tyre”, tha ai.

Putin fillimisht bëri krahasimin me Srebrenicën në dhjetor 2019, megjithëse nuk ka pasur prova spastrimi etnik ose të masakrave të planifikuara nga forcat e qeverisë ukrainase.

Ndërkohë Moska ka mohuar se po përdor lëvizjet e saj të kohëve të fundit në shkallë të gjerë për të kërcënuar Ukrainën, me zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov që thotë se Rusia “është e lirë të lëvizë forcat e saj në të gjithë territorin e saj”.

Konflikti Ukrainë-Rusi shkurtimisht

Në nëntor 2013, ukrainasit filluan protestat masive të Euromaidanit në Kiev, duke kërkuar integrim më të afërt me Bashkimin Evropian, pasi presidenti Viktor Yanukovych braktisi një Marrëveshje Asociimi me BE-në dhe vendosi të forcojë lidhjet me Rusinë në vend.

Pas sulmeve nga forcat e sigurisë ku mbetën të vrarë shumë protestues të Euromaidanit, Yanukovych u largua nga vendi për në Moskë në shkurt 2014. Në të njëjtin muaj, Rusia vendosi trupa në gadishullin jugor të Ukrainës, Krime, dhe më pas e aneksoi zyrtarisht atë në mars 2014 pas një referendumi të diskutueshëm.

Konflikti shpërtheu gjithashtu në shkurt 2014 në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia luftuan forcat e qeverisë ukrainase dhe krijuan të ashtuquajturat Republika Popullore e Donetskut dhe Luhanskut, me mbështetjen ushtarake ruse. Shumë vullnetarë nga Ballkani raportohet se i janë bashkuar milicive separatiste.

Dy marrëveshje armëpushimi u nënshkruan në shtator 2014 dhe shkurt 2015, por dhuna sporadike ka vazhduar që nga ajo kohë dhe në vijën e frontit vriten rregullisht ushtarë. Më shumë se 13,000 njerëz kanë vdekur në konfliktin e Ukrainës me Rusinë deri më tani.

Sasa Dragojlo, korrespondenti i Serbisë për Balkan Insight, dha gjithashtu kontributin e tij për këtë artikull.