Shtimi i masave ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit u prit me skepticizëm, por në fund u votua nga opozita. Deputetët e PD-së akuzuan qeverinë si “lavatriçe” të pastrimit të parave në vend.
Shumica e deputetëve të opozitës votuan të enjten pro projekligjit të qeverisë për disa ndryshime në ligjin e vitit 2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, edhe pse shprehën mosbesim për zbatimin e tij. Ata akuzuan qeverisjen socialiste si “mekanizëm” e pastrimit të parave nëpërmjet koncensioneve dhe lejeve të ndërtimit.
Ndryshimet në ligjin aktual synojnë të forcojnë masat mbrojtëse të sistemit financiar nga kërcënimet për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Masat që parashikohen, sipas relacionit shoqërues, synojnë zvogëlimin e rreziqeve të pastrimit të parave, parandalimin e hyrjes së produkteve të veprave penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe zbulimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si një kërkesë e BE-së për përafrimin e legjislacionit, ligji u mbështet nga deputetët e opozitës, por ata u shprehën skeptik për zbatimin e tij nga qeverisja aktuale.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në fjalën e tij se “lufta kundër pastrimit të parave duhet të nisë nga salla e Parlamentit”. Sipas tij skemat e pastrimit të parave në vend i zbaton qeverisja socialiste qendore dhe lokale. “Për tre vjet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 mln euro”- tha ai duke i ftuar deputetët që mjafton të dilnin nga salla e parlamentit për të parë ndërtimet që po bëhen në Tiranë.
“Përballë fakteve që ju rendita, dhe që lehtësisht mund t’i verifikoni nëpërmjet dokumenteve zyrtare, nga ato të SHISH, tek ato ndërkombëtare, që tregojnë sa serioz dhe alarmant është fenomeni i pastrimit të parave, është e qartë se ai nuk mund të zgjidhet me ndryshime estetike, kinse për të përafruar legjislacionin tonë me atë të BE-së”- tha ai. Ai i kërkoi mazhorancës që të pranojë propozimin e PD-së për vetingun e politikës si një mjet për të parandaluar këtë fenomen.
Oerd Bylykbashi solli në vëmendje publikimin e disa përgjimeve të institucioneve italiane për “Ndraghetta”-n, ku flitej për politikanë e zyrtarë shqiptarë të lidhur me bosët e mafias për pastrimin e parave në Shqipëri. “Planet rregulluese, duke nisur nga Tirana, janë tepsia e bakllavasë për pastrimin e parave”- tha ai, “njësoj siç janë dhe projektet e mëdha, apo PPP-të”.
“Ky ligj është një shtesë në manualin e lavatriçes së parave, që është vetë qeveria”- theksoi Bylykbashi duke shtuar se “ligjin duhet ta miratojmë, po mos besojë njeri që një qeveri që përdor paratë për të blerë vota do të luftojë pastrimin e parave”.
Ndërsa Jorida Tabaku deklaroi votën e saj kundër duke e cilësuar një ligj “estetik”. “Ka disa kolegë që edhe mund ta votojnë. Por, përderisa mua ky ligj nuk më sqaron nëse Klodian Zoto quhet person i ekspozuar politikisht, i lidhur me qeverinë, nuk e votoj dot. Sepse jam duke drejtuar një komision hetimor dhe nuk kam asnjë informacion se ku kanë shkuar paratë”- tha ajo.
Kritika për zbatimin e ligjit në fuqi rezervoi dhe kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pasi sipas tij qeveria nuk ka nxjerrë në kohë vendimet dhe aktet nënligjore për zbatimin e ligjit. “Kemi thënë 6 muaj, kanë kaluar 2 vite”- tha ai duke kërkuar që të rritet kapaciteti monitorues i Kuvendit ndaj qeverisë.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cilësoi ndryshimet në ligj si një instrument që do të ndalonte veprimtaritë e paligjshme dhe do të nxirrte Shqipërinë nga lista e vendeve në monitorim të shtuar. “Ne garantojmë çdo operator të tregut sepse me këto rregullime qartësohen dhe ngushtohen hapësirat për transaksione të dyshimta ligjore”- tha ai.
Në votim ligji mori 106 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim. Po ashtu Kuvendi miratoi me konsensus politik me 111 vota pro ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit që i mundësojnë grupeve parlamentare shtimin e numrit të këshilltarëve.