Lajm18 Nov 2021

Policia e Shkodrës arreston 8 të rinj të akuzuar për mashtrim kompjuterik

Të rinjtë, kryesisht vajza nga 20 deri në 22 vjeç, u arrestuan me akuzat e mashtrimit kompjuterik. Një shtetas polak dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Policia thotë se ata ishin pjesë e një “Call Centeri” që mashtronte të huajt duke shitur fiktivisht kriptomonedha, aksione burse e të ngjashme.

Autor: Emi Kalaja BIRN Shkodër
Printo

Screenshot nga video e operacionit e Policisë së Shkodrës.

Policia e Shkodrës njoftoi të enjten arrestimin e 6 vajzave dhe 2 djemve,  të akuzuar se kanë mashtruar qytetarë të huaj përmes një rrjeti ‘Call Center’ në të cilin fiktivisht shiteshin kriptomonedha, bëhej shkëmbim valutorë apo shiteshim aksione në bursë.

Të arrestuar janë 6 punonjës të kompanisë kryesisht 20-22 vjeç, dhe dy menaxherë një vajzë nga Durrësi 27 vjeç dhe një i ri nga Shkodra 26 vjeç. Policia tha se kishte shpallur në kërkim një shtetas polak 27 vjeç që akuzohej si themeluesi i kompanisë që akuzohet për mashtrim dhe një të ri nga Durrësi që po ashtu del si drejtues i kompanisë dhe bashkëjetuesen e shtetasit nga Polonia.

Operacioni është koduar  “North Forex”  dhe sipas policisë “ka patur si qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike”.

“Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë”, thuhet në komunikimin e policisë.

Oficerë të policisë që kryen ndalimin i thanë BIRN, duke kërkuar të mos identifikoheshin, se të rinjtë e arrestuar kishin pretenduar se bënin një punë të ligjshme dhe se kompania për të cilën punonin ishte kompani serioze e cila bën kontrata të rregullta me palët.

Sipas policisë aktiviteti në Shkodër kishte filluar rreth 3 muaj më parë dhe se punonjësit kishin qenë të siguruar. Para dy javësh 27 vjeçari nga Polonia kishte mbyllur aktivitetin duke çregjistruar në tatime punonjësit, që kishin ndryshuar mjedis dhe po punonin tashmë për llogari të një të riu nga Durrësi.

“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi polak me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia bëri me dije se po hetonte për verifikimin e të gjitha investimeve në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë bërë personat e përfshirë në ketë veprimtari, në koordinim dhe me autoritetet gjermane, spanjolle dhe polake, me qëllim konfiskimin e te gjitha aseteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *