Lajm10 Apr 2019

Policia pengon gazetaren në raportimin e lajmit nga Bregu i Lumit

Një gazetare që po raportonte nga vendngjarja e dëbimeve të Bregut të Lumit të martën i tha BIRN se u kërcënua me shoqërim në komisariat nga policia nëse këmbëngulte të raportonte lajmin pavarësisht se gjendej 500 metra larg nga protesta e banorëve.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Policë të bashkisë Tiranë duke bllokuar pamjen e kameras në Tiranë më 9 prill 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Gazetarja e News24, Dorjana Bezat u përball të martën me presion nga policia bashkiake dhe ajo e shtetit për të mos raportuar nga vendngjarja e protestave të Bregut të Lumit. Policët bashkiakë shfaqen në një video duke bllokuar kamerën e operatorit të televizionit informativ, pavarësisht se ndodheshin rreth 500 metra nga vendngjarja.

Bezat i tha BIRN se policia kishte bllokuar të gjithë perimetrin e zonës, duke mos lejuar raportimin nga afër të protestës së banorëve që po përballeshin me forcat e rendit dhe makineritë e rënda të martën në mëngjes. Të hasur përballë kësaj pengese, shumica e gazetarëve të televizioneve kishin gjetur oborrin e një lokali si vendin e vetëm ku policia nuk mund t’i ndalonte raportimin e ngjarjes.

Një foto e kapur nga fotografi Malton Dibra tregon dy policë duke i bllokuar kameras pamjen nga shembjet ndërsa gazetarja proteston.

Ndërsa përpiqej të raportonte drejtpërdrejt nga një hapësirë aty pranë e bulevardit përgjatë Bregut të Lumit, Bezat tha se policët bashkiakë dhe më pas ata të shtetit i thanë se kishin urdhra të mos lejonin gazetarët të transmetonin nga aty.

“Pas disa këmbënguljeve të mia, erdhi policia e shtetit dhe më tha se nëse do të vazhdoja të bëja rezistencë do të më shoqëronin në komisariat,” tha gazetarja për BIRN, duke sqaruar se pozicioni që ajo kishte zgjedhur nuk pengonte punimet dhe as nuk cënonte ‘skenën e krimit’ të policisë.

“Pranë meje kishte civilë që më xhironin gjithashtu,” shtoi ajo.

Prej të hënës paradite, forca të shumëta policore u përleshën me banorët e shtëpive të ndodhura përgjatë hapësirës së projektuar për zgjatimin e Bulevardit të Ri pranë Bregut të Lumit. Duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre, banorët rezistuan me forcë ditën e parë ndaj shembjes së shtëpive, por të martën policia rrethoi zonën dhe përdori gazlotsjellës ndaj banorëve për t’i dëbuar ata nga shtëpitë. Shtatë banesat e para u shembën po atë ditë.

Sipas gazetares Dorjana Bezat, rastet e censurimit të gazetarëve janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

“Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Ka edhe shumë të tjera, sidomos në vitin e fundit, kur media është parë si kundërshtare dhe jo bashkëpunëtore nga autoritetet,” shpjegoi ajo.

“Ne gazetarët e terrenit jemi në presion të vazhdueshëm psikologjik për të mos raportuar,” përfundoi gazetarja.

Përgjatë viteve të fundit, qeveria shqiptare është kritikuar gjerësisht për praktikat e ndjekura në zhvendosjen e banorëve për t’i hapur rrugë projekteve zhvillimore të kryeqytetit. Raportet e Komisionit Europian kanë vërejtur se në shumë raste të drejtat e personave të prekur nga këto projekte janë shkelur dhe procedurat nuk janë respektuar.

Raporti i Freedom House për vitin 2018 e renditi Shqipërinë si vend pjesërisht të lirë lidhur me lirinë e medias. Raporti i përvitshëm theksoi se liria e medias po përballet me sfida të mëdha në shkallë globale, e kërcënuar nga autoritarizmi, ndërsa e cilësoi sulmin ndaj saj si sulm ndaj demokracisë.