Lajm10 Jul 2018

Pushimi i hetimit për gjyqtarin Admir Thanza rëndon mbi prokurorin Beluri

Ndërsa kaloi pa probleme testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri u përball me pikëpyetje të shumta mbi mënyrën se si i mbylli hetimet për korrupsion për gjyqtarin Thanza dhe një notere në vitin 2016.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA

Prokurori Kostaq Beluri kaloi pa probleme testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës të martën, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti një sërë pikëpyetjesh mbi vendimin e tij për të pushuar hetimin për korrupsion ndaj gjyqtarit Admir Thanza dhe një notereje në vitin 2016.

Beluri, i cili u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit vetëm në pak orë distancë me Thanzën, iu nënshtrua procesit të vetingut me përparësi për të tria kriteret e rivlerësimit.

Megjithatë, vëmendjen e trupës gjykuese e tërhoqi procedimi penal i regjistruar në mars 2016 ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza dhe një notereje me inicialet L.H si dhe vendimi i Belurit për t’i çliruar ata nga akuzat.

Sipas relatores Bekteshi, çështja nis me hetimin dhe vendosjen nën masë sigurie për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “kallëzimit të rremë” të drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër.  Bashkëshortja e këtij të fundit, noterja me inicialet L.H shfrytëzoi lidhjet e saj me njerëz të sistemit të drejtësisë për të shmangur arrestimin e të shoqit.

Duke iu referuar materialeve të dosjes, relatorja Bekteshi shpjegoi se noterja L.H ishte mbajtur nën vëzhgim dhe filmuar nga Forca Operacionale e Policisë së Shtetit teksa takohej me shtetasin G.B dhe gjyqtarin Admir Thanza. Në të dyja rastet, noterja është parë të shkëmbejë para.  Prokuroria ka përgjuar gjithashtu një bisedë të dyshimtë telefonike pas takimit të noteres me gjyqtarin Thanza.

Biseda e kryer mes një personi të vetëquajtur Maurizio dhe një numri telefonik me 11 në fund-që u la të kuptohej se i përkiste ish-drejtorit nën akuzë të Hipotekës rrotullohej rreth shprehjes: Pallati bënte 50 mijë euro!

Në kushtet kur një anëtar i Gjykatës së Lartë dyshohej për korrupsion, Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Përgjithshme. Prokurori Beluri e regjistroi procedimin nr.3 më 3 mars 2016 dhe pas disa veprimesh hetimore vendosi pushimin e çështjes.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se në rastin e mësipërm nuk ka pasur hetime të thelluara…,” tha relatorja Bekteshi, e cila renditi disa prej veprimeve hetimore që duhej të ishin kryer.

“Nuk ka pasur asnjë ballafaqim mes deklarimeve të noteres me inicialet L.H me personat e tjerë. Në këto kushte, biseda telefonike se vlera e pallatit ishte 50 mijë euro del e pakuptueshme,” shtoi ajo, duke mirëpritur shpjegimet e subjektit mbi këto konstatime.

Prokurori Kostaq Beluri shpjegoi para Komisionit se dosjen e kishte marrë dy muaj pas ndjekjes së të dyshuarve në terren dhe se hetimet ishin kryer në shumicën e tyre nga Prokuroria e Shkodrës. Ai shtoi se në kushtet e pamundësisë së hetimeve proaktive, ai vlerësoi provat që ndodheshin në dosje.

“Elementi kryesor për sigurimin e provës në rastet e korrupsionit është hetimi proaktiv. Prokuroria e Shkodrës është përpjekur të bëjë hetim proaktiv, por në fund ajo dhe Policia kanë vendosur të mos ndërhyjnë në kushtet e flagrancës,” tha Beluri.

“Në kushtet kur nuk mund të bëhej më hetim proaktiv pasi kishin kaluar dy muaj, unë kam bërë vlerësimin e atyre provave që kisha në dosje dhe gjykoj se kam bërë një vlerësim objektiv,” shtoi ai.

Shpjegimet e Belurit nuk e bindën anëtarin Lulzim Hamitaj, i cili adresoi tre pyetje që lidheshin me hetimet proaktive, me dyshimet që binin mbi gjyqtarin Thanza dhe me mosadministrimin e një CD-je për këqyrje.

I pyetur indirekt nëse shprehja “Pallati bën 50 mijë euro” kishte lidhje me Thanzën, Beluri u përgjigj se:  “Ajo telefonatë është përgjuar si pjesë e procedimit penal ndaj Sh.B [ish-kreu i Hipotekës Shkodër], kishte lidhje me atë shtetas dhe kam gjykuar se ishte pjesë e procedimit që prokuroria e Shkodrës po kryente kundër tij”.

Një tjetër çështje e ngritur nga Hamitaj lidhej me CD-në me pamjet e takimit mes noteres dhe shtetasit G.B si dhe shumën e parave të shkëmbyera mes tyre. Sipas gjyqtarit, subjekti ishte mjaftuar vetëm me fotot e nxjerra nga CD-ja për të arritur në përfundime, ndërkohë që Beluri u përgjigj se kjo kishte qenë e panevojshme në kushtet kur të dy personazhet e kishin pranuar takimin dhe shkëmbimin e parave.

Gjykatësi Hamitaj e shoqëroi këtë përgjigje me komentin: “Mosmarrja e filmimit nga ana juaj lë për të dëshiruar”.

Beluri u pyet edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar se pse nuk kishte ndërmarrë përgjime telefonike apo vëzhgime në terren për rastin. Ai u përgjigj se dy muaj pas episodit kjo ishte  gjykuar e panevojshme, pasi nuk kishte më pritshmëri për korrupsion.

Më herët, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit çertifikoi si të mjaftueshme shpjegimet dhe provat e prokurorit Beluri për pasurinë e tij si dhe konstatoi përshtatshmërinë e tij me detyrën, sipas raportit të dorëzuar nga DSIK.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Beluri shprehu dakordësi me konstatimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë që vlerësoi edhe debatin e zhvilluar në sallë. Ai kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Trupa gjykuese e ndërpreu seancën për t’u shprehur me vendim në datën 12 korrik.