Lajm28 Dec 2018

Rrëzohet shumica e kabinetit qeveritar

Kryeministri Edi Rama shpalli ndryshime të mëdha në të gjithë kabinetin qeveritar, duke hequr ministrat dhe duke i zëvendësuar me zëvendësministra ose drejtorë ndërsa u përpoq të argumentonte se ndryshimet "nuk janë pasojë e dështimeve".

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama shpalli shkarkimin e shumicës së ministrave të kabinetit të tij qeverisës për t’i zëvendësuar me zëvendësministra apo drejtorë si dhe duke marrë disa nga deputetët e tij në kabinetin qeveritar, ndërsa u përpoq ta prezantojë ndryshimin jo si dështim, por si përmirësim.

“Është e pavërtetë që ndryshimi vjen si pasojë e dështimeve,” deklaroi Rama para se të shpallte të shkarkuar ministrat më jetëgjatë të kabinetit të tij qeveritar në mandatin e kaluar dhe mandatin aktual.

Të gjithë ministrat e shkarkuar morën lavde të mëdha si reformatorë dhe transformues para se të shpalleshin të shkarkuar.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj u shkarkua nga detyra për t’u zëvendësuar me Anila Denaj, një ish-drejtuese banke private dhe drejtoreshë në Ministrinë e Financave gjatë viteve të fundit. Sipas Ramës, sukseset e jashtëzakonshme të Ahmetajt “kanë humbur në vorbullën e kazanit”.

Ministri Damian Gjiknuri, i cili ka drejtuar Ministrinë e Energjisë dhe atë të Transportit, zëvendësohet me Belinda Ballukun, aktualisht drejtoreshë e kompanisë publike të kontrollit të trafikut ajror Albkontroll. Rama deklaroi se Gjiknuri është i pafajshëm në lidhje me skandalin e kompanisë DH Albania dhe shtoi se problemi i hasur me këtë kompani “do të zbardhet deri në fund dhe do të provojë pafajësinë totale të ministrit”.

Ministrja Lindida Nikolla mori lavde si reformatore e madhe e teksteve shkollore dhe e sistemit të maturës shtetërore para se të shkarkohej nga detyra për t’u zëvendësuar nga Besa Shahini, aktualisht zëvendësministre e Arsimit. Në këtë rast Rama deklaroi se nuk ka ndër mend të plotësojë një nga kërkesat e studentëve, atë të shfuqizimit të ligjit të shumëdebatuar të arsimit të lartë.

“Ligji arsimit të lartë është ai që i jep fund tranzicionit në arsimin e lartë. Duhet vetëm ta zbatojmë,” deklaroi ai.

Edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati humbi sot postin që kishte mbajtur që nga viti 2013.  Ai do të zëvendësohet me Gent Cakën, më parë, këshilltar i Ramës dhe së fundmi, zëvendësministër i jashtëm.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shkarkua për t’u zëvendësuar nga Elda Margariti, një tjetër këshilltare e kryeministrit, të cilën Rama e prezantoi si koordinatore e projektit te 100 fshatrave.

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi u shkarkua për t’u zëvendësuar me Blendi Çucin.

Eduart Shalsi zëvendësoi Sonila Qaton si ministre shteti, ndërsa Erjon Braçe u emërua zëvendëskryeministër.

Rama riktheu edhe një post shtesë ministri të cilin e pati hequr më 2017. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin. Elisa Spiropali, ish-drejtoreshë e përgjithshme e doganave, do të marrë këtë post.

Rama në fund i uroi Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste “gëzuar vitin e ri”.

 

Lexo më shumë:

Nën telashe nga protestat, kryeministri shqiptar ndryshon qeverinë