Analize17 Aug 2018

Shkarkimi i Tom Ndrecës, për pasuritë e padeklaruara dhe fshehjen e hetimit të kunatit

Dy raportet pozitive të ILDKPKI dhe DSIK për anëtarin e Gjykatës së Lartë u përmbysën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili vendosi shkarkimin e Ndrecës për deklarime të pamjaftueshme dhe të pasakta të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Gjyqtari Tom Ndreca, një ndër më të diskutuarit e sistemit gjyqësor për vendimet e tij u rrëzua në veting për dy kriteret e tjera; deklarime të pamjaftueshme për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Në vendimin e argumentuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton gjithashtu se anëtari i Gjykatës së Lartë nuk justifikoi një vlerë prej 1.3 milionë lekësh, ndërkohë që ngarkohet me përgjegjësinë e fshehjes së procedimit të kunatit të tij për “prodhim dhe shitje narkotikësh”-vepër penale kjo që klasifikohet si krim i organizuar.

Me një karrierë që daton nga viti 1991 si prokuror dhe gjyqtar, Ndreca i kaloi me sukses filtrat e dy institucioneve ndihmëse, ILDKPKI dhe DSIK dhe u konsiderua i përshtatshëm prej tyre. Por trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli përmbysi raportet e këtyre institucioneve dhe vendosi më 17 korrik shkarkimin e gjyqtarit nga detyra.

Hetimi mbi pasurinë e familjes së Tom Ndrecës ndjek kronologjinë e vendosjes së saj përgjatë viteve dhe përfshin tre apartamente, dy prej të cilave në Tiranë dhe një në Golem. Hetimi përfshiu gjithashtu kursime në vlerën e 1.5 milionë lekëve të deklaruara në fund të vitit 2016, një makinë të padeklaruar në emër të djalit të tij si dhe llogari bankare të zotëruara veçmas nga bashkëshortja dhe djemtë, edhe këto të padeklaruara.

Sa i përket pasurive të paluajtshme, KPK arriti në përfundimin se gjyqtari Ndreca dhe familjarët e tij kishin të ardhura të mjaftueshme për blerjen e tyre. Megjithatë, Komisioni u ndal në një aplikim të kundraligjshëm për kredi të butë që gjyqtari kishte bërë, duke e konsideruar atë “cenim të etikës së anëtarit të Gjykatës së Lartë”.

Në korrespondencën me KPK-në, gjyqtari Ndreca ka pretenduar se ka aplikuar për zgjerim të sipërfaqes së banimit për shkak se ka dy djem të rritur, njëri prej të cilëve donte të martohej. Komisioni e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

“Komisioni vlerëson se nevojat e subjektit për strehim për shkaqet që paraqet, nuk mund ta legjitimonin atë për të kërkuar një kredi lehtësuese, në kushtet kur nuk i përmbushte kriteret ligjore për përfitimin e saj,” thuhet në vendim.

Paralelisht me hetimin e Komisionit, gjyqtari Ndreca ka dorëzuar një analizë financiare e cila rezulton me burime të mjaftueshme si dhe ka pretenduar se diferencat nuk përbëjnë dyfishin e pasurisë së ligjshme. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka argumentuar se “kriteri i dyfishit të pasurisë” është vetëm njëri prej shkaqeve që çon në shkarkim.

Në fund të vlerësimit të pasurisë, Komisioni konstaton se gjyqtari Ndreca ka deklarime të pamjaftueshme, të pasakta dhe në mospërputhje me deklaratën “veting” përgjatë viteve, mosdeklarim të pasurive veçmas të bashkëshortes dhe fëmijëve, mungesë burimesh të ligjshme në vlerën e 1.3 milionë lekëve, deklarim të rremë për çmimin e blerjes së një garazhi si dhe fshehjen e një makine në emër të djalit.

Trupi gjykues është ndalur gjithashtu gjatë në arsyetimin e çështjes së kunatit të gjyqtarit Ndreca, duke e cilësuar mosdeklarimin prej tij të këtij fakti si “fshehje dhe plotësim të pasaktë dhe jo me vërtetësi të formularit të pastërtisë së figurës”.

Kunati i gjyqtarit me inicialet N.G u arrestua më 9 nëntor 2011 dhe u lirua më 5 dhjetor 2011. Më mars të vitit 2012, Prokuroria e Shkodrës pushoi hetimin e nisur ndaj tij për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Në korrespondencën me KPK-në dhe në seancën dëgjimore, Ndreca nuk e mohoi dijeninë mbi arrestimin e kunatit të tij në fund të vitit 2011. Ai u justifikua megjithatë me argumentin se nuk ishte në dijeni të rrethanave proceduriale dhe vendimit që kishte marrë më pas organi procedues.

“Nuk mund të mohoj aspak se unë nuk kam qenë në dijeni të faktit të arestimit te shtetasit N.GJ., kunatit tim, në fund të vitit 2011, për shkak se atij i ishte gjetur me vete një sasi lëndësh narkotike për përdorim vetjak… nuk ka qenë qëllim fshehja e këtij fakti…,” mësohet të ketë thënë Ndreca.

KPK argumenton se gjyqtari Ndreca ka pasur detyrimin të plotësonte në mënyrë të detajuar deklaratën e figurës së tij, aq më tepër që pjesa e pestë e kësaj deklarate kërkon posaçërisht që subjekti të deklarojë nëse një nga anëtarët e familjes është përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar.

KPK rrëzon gjithashtu pretendimin e gjyqtarit se e kishte përjashtuar në mënyrë automatike veprën e mbajtjes së lëndëve narkotike nga kategoria e veprave të krimit të organizuar.

“Është pika 15 e nenit 3 të ligjit nr. 84/2016, e cila jep përkufizimin e personave të përfshirë në krimin e organizuar, dhe konsideron si të tillë çdo person të dënuar ose proceduar penalisht për veprat penale të parashikuara nga pika 1 e nenit 3 të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009. Kjo dispozitë ligjore përmban ndër të tjera dhe veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike (neni 283 i K. Penal),” thuhet në vendim.

Ndërkohë, trupi gjykues e pranon pretendimin e subjektit se mbajtja e sasive të vogla për përdorim vetjak përjashtohet nga dënimi, por shton se kunati i tij nuk është proceduar vetëm për sasinë 0.4 gram, por edhe për mbajtjen e një sasie prej 6 kg e 134 gram të lëndës narkotike.

Përveç pretendimeve të mësipërme, gjyqtari Ndreca ka pretenduar se marrëdhëniet e tij me kunatin janë të largëta dhe takimet të rralla. Por Komisioni ka sjellë në vëmendje kontraditën me argumentet e paraqitura prej tij për një borxh që kishte nga vëllezërit dhe motrat e tij; marrëdhënie të cilat ai i quante “të posaçme dhe tejskajshmërisht të mira”.

“Nga parashtrimet e subjektit gjatë procesit të rivlerësimit, por edhe në seancë, ai nuk paraqiti fakte e rrethana që të vërtetojnë se marrëdhëniet midis tij dhe shtetasit N. G., të jenë të largëta dhe të rralla. Përkundrazi, gjatë hetimit administrativ, ka rezultuar se në datën 11.07.2012, rreth katër muaj nga dita që janë pushuar hetimet në ngarkim të shtetasit N. G., ky i fundit ka lidhur një kontratë shitje automjeti me motrën e tij dhe bashkëshorten e subjektit…,” thuhet në vendim.

Me përshtypjen se subjekti i rivlerësimit ka qenë i gatshëm për bashkëpunim, por nuk ka mbajtur qëndrim reflektues ndaj gjetjeve, Komisioni vendosi shkarkimin e gjyqtarit Tom Ndreca nga detyra.

Në konkluzionet përfundimtare, trupi gjykues sqaron se shkak për këtë vendim u bënë deklarimet e pasakta, burimet e pamjaftueshme dhe deklarimet e rreme të pasurisë si dhe deklarimi i pamjaftueshëm dhe pasaktësia në formularin e pastërtisë së figurës.