Skeda7 Feb 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Elsa Toska-kandidate për Gjykatën Kushtetuese

Këshilltare ligjore prej 12 vitesh në Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Elsa Toska, këshilltare ligjore prej 12 vitesh dhe kandidate për anëtare të Gjykatës Kushtetuese do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i rivlerësimit për të po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.

Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo ka punuar gjithashtu si pedagoge në disa universitete në vend si dhe ka bashkëpunuar në rolin e ekspertet me një sërë organizatash ndërkombëtare.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e funksionarëve të drejtësisë që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të këshilltares ligjore Elsa Toska nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë e kandidates për Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska për vitet 2003-2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Toska zotëronte pasuri familjare me vlerë 655 mijë lekë në vitin 2003. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj kap vlerën e 8.7 milionë lekëve.

Të dhënat e analizuara tregojnë se Toska dhe bashkëshorti i saj zotërojnë një apartament 70 m2 të përfituar nga privatizimet. Ajo deklaron gjithashtu 3.8 milionë lekë likujditete bankare, automjete me vlerë 2 milionë lekë si dhe rreth 117 mijë lekë kursime në cash.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 41.2 milionë lekë. Mbi 70% e të ardhurave kanë si burim pagën dhe të ardhurat nga mësimdhënia të Znj. Toska. Rreth 9% e të ardhurave burojnë nga paga e bashkëshortit dhe 5.3% të tjera nga fitimi i bashkëshortit nga biznesi i agjencisë së udhëtimit, e cila ka pezulluar aktivitetin në vitin 2013.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.

Megjithatë, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” në këtë analizë një hua prej 15 mijë eurosh nga të afërmit, marrë nga bashkëshorti i Znj. Toska për t’i paguar si garanci për biznesin e tij ndaj një kompanie ndërkombëtare ajrore.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al