Lajm10 Jul 2018

Vetingu zbulon dënimin në Itali të anëtarit të Gjykatës së Lartë

Hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka zbuluar se përveç fshehjes së pasurisë dhe kontakteve të papërshtatshme me krimin e organizuar, anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka dështuar të jetë i sinqertë për një dënim për vjedhje në bashkëpunim në Itali dhe një hetim për korrupsion në Tiranë – dy fakte për të cilat mund të ndiqet penalisht.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nnga : LSA

Të martën në mëngjes gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza u përball me gjetjet e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimi si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Trupa e KPK-së përbëhej nga Olsi Komici si kryesues, Luan Hamiti relator dhe Brunilda Bekteshi antërare, ndërsa Thanza asistohej nga avokati Theodhori Sollaku. Sipas relatorit të çështjes Luan Hamiti, Thanza është hetuar për të tre kriteret e rivlerësimit, ku përfshihet pasuria, integriteti i figurës dhe profesionalizmi.

Si pjesë e hetimit të pasurisë së gjyqtarit, KPK ka administruar raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, sipas të cilit gjyqtari Thanza ka bërë deklarim të pasaktë, deklarim të rremë dhe ka mungesë burimesh financiare të ligjshme.

KPK gjithashtu ka ndërmarrë një hetim administrativ të pavarur të pasurisë së gjyqtarit dhe të personave të lidhur. Si pjesë e këtij hetimi janë hetuar origjina dhe ligjshmëria e burimeve financiare e disa pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Shkodër.

Sipas KPK-së në deklaratën periodike të vitit 2003 në ILDKPKI, gjyqtari Thanza ka deklaruar blerjen e një apartamenti në vitin 2000 prej 136 m2 në qytetin e Shkodrës me vlerë 3 milion lekë. Megjithatë, sipas KPK-së kontrata e shitjes së këtij apartamenti ka vlerën 1.2 milionë lekë. Komisioni ka vënë re se në dosjen e ILDKPKI-së ka pasur dy fletë deklarimi të ndryshme për këtë aset, ku në njerin vlera e asetit përshkrushet si 3 milion lekë dhe në tjetrin si 1.2 milionë lekë plus rikonstruksion prej 1.8 milionë lekë. Si burim të adhurash për blerjen e apartamentit gjyqtari Thanza ka deklaruar shitjen e dy apartamenteve të tjerë (1+1 dhe 2+1), por sipas KPK-së këto apartamente nuk ishin shitur në momentin që është bërë blerja e apartamentit të tretë. KPK pretendon gjithashtu se të dhënat e marra nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajthshme në Shkodër, tregojnë që vlera prej 1.2 milionë lekë është jo reale dhe nën çmimin mesatar për Shkodrën për vitin 2000.

Aseti i dytë i hetuar nga KPK është një apartament pre 113 m2 te lagja Komuna e Parisit në Tiranë, i cili në deklaratën e vitit 2003 është deklaruar nga bashkëshortja e subjektit si i blerë në vlerën 4 milion lekë, ndërkohë kontrata e shitblerjes me ndërtuesin ka qenë për vlerën 1.95 milion lekë. Mospërputhje janë shënuar edhe për një apartament dupleks në gjirin e Lalzit, të cilin gjyqtari Thanza në vitin 2012 ka deklaruar një sipërfaqe prej 99.55 m2, ndërsa në deklaratën veting një sipërfaqe prej 38 m2. Gjithashtu në vitin 2007, subjekti nuk ka deklaruar blerjen e një garazhi te Komuna e Parisit në vlerë 400 mijë lekë, i cili është deklaruar në deklaratën veting.

Analiza financiare e të adhurave dhe shpenzimeve e kryer nga ekspertët e Komisionit gjithashtu ka zbuluar mospërputhje, duke sinjalizuar mungesë burimesh financiare gjatë viteve 1992 -2003 në vlerë 2.7 milion lekë, gjatë vitit 2003 në vlerë 6.2 milion lekë, në vitin 2004 në vlerë 369 mijë lekë dhe në vitin 2005 në vlerë 842 mijë lekë. Një bilanc negativ është raportuar nga Komision edhe për vitiet 2008 dhe 2009, respektivisht në vlerat 389 mijë lekë dhe 2.79 milion lekë.

“Famija Thanza nuk pasur të ardhura të mjaftueshme për shpenzimet jetike dhe investimet e deklaruara,” u shpreh relatori Komici.

Për kriterin e dytë të rivlerësimit, atë të integritetit të figurës, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimi ka administruar raportin e Departamentit të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sipas të cilit subjekti nuk ka deklaruar në deklaratën e dekriminalizimit procedim penal për korrupsion aktiv, i cili është pushuar në vitin 2016. Sipas DSIK-së gjyqtari Thanza ose familjarë të tij kanë pasur kontakte me anëtarë të krimit të organizuar, dhe si rrjedhim është vlerësuar si i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Gjithashtu, sipas informacioneve të sjella Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. ONM, gjyqtari i Thanza është dënuar më 40 ditë burg në vitin 1999 në Itali për vjedhje në bashkëpunim, një informacion që gjithashtu nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Sipas KPK-së gjyqtari Thanza ka pasur dijeni për këtë vendim sepse është ndaluar në flagrancë.

Edhe për sa i përket vlerësimit të kriterit profesional gjyqtari Thanza ka pasur probleme. Në 5 dosjet e zgjedhura me short dhe të vlerësuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë janë konstatuar mungesa e 3 procesverbale të dhomës së këshillimit dhe mangësi të tjera. Por megjithë problemet e konstatuara, KLD ka dhënë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë.

Në KPK kundër gjyqtarit Thanza kanë ardhur 13 denoncime, të cilat përtej indicjeve nuk janë marrë në konsideratë. Por duke u fokusuar tek çështja e etikës profesionale dhe integriteti, relatori Komici saktësoi se gjyqtari Thanza nuk kishte deklaruar në vitin 2017, dhuratën e një garazhi nga kompania Curri Sh.p.k, e cila kishte qenë palë në një çështje në Gjykatën e Lartë në shkurt 2018 ku Thanza ka qenë relator. Sipas KPK-së gjyqtari Thanza nuk e ka përmendur këtë dhuratë, e cila është konfirmuar edhe nga dëshmia e noterit.

Në përgjigjen e tij ndaj gjetjeve të hetimit administrativ, gjyqtari Thanza u ndalua tek kriteri i pasurisë ku kontestoi disa nga llogaritjet e bëra nga eksperti financiar i KPK-së në lidhje me shpenzimet e tij jetike, si për shembull për vitin 1993-1994 kur ai nuk kishte qenë i martuar.

“Nuk njoh bashkjetesën por vetëm martesën ligjore sepse jam konservator,” i tha Thanza komisionit.

Gjyqtari kontestoi gjithashtu metodologjin e përdorur nga eksperti financiar për të llogaritur fitimin e biznesit të noterisë të së shoqes për disa vite duke u shprehur se kostot e aktiviteti kishin qenë ndjeshëm më të ulta kur ata jetonin në Shkodër; shpenzimet jetike mesatare të llogaritura nga KPK për vitet 1994-2003, si dhe kontestoi differncat negative për vitin 2009 dhe 2016.

Më tej gjyqtari insistoi se përtej kontratës së shitjes, banesa në Shkodër e blerë në vitin 2000 kishte kushtuar 3 milionë lekë dhe jo 1.2 milionë lekë, sepse e kishte blerë karabina dhe kishtë bërë 1.8 milionë lekë investime. Për mospërputhjen e metrave të hyrjes dupleks në gjirin e Lalzit ai u shpreh se ishte diferenca midis kontratës së sipërmarrjes dhe certifikatës së pronësisë, ndërkohë për garazhin e padeklaruar në Tiranë pretendoi se e kishte harruar.

Thanza gjithashtu hodhi poshtë në fjalën e tij vlerësimin profesional të bërë nga KLD, duke arsyetuar se “nuk është bazuar në argumenta ligjorë.” Ai argumentoi se firma Curri Sh.p.k i kishte transferuar në vitin 2017 një garazh që ai kishte në pronësi që nga viti 2000, por që nuk ishte regjistruar në emër të tij për shkak të një gabimi administrativ të ZVRPP  Shkodër, ndërkohë që çësthja në Gjykatën e Lartë kishte qëllim të rregullonte një problem juridiksioni gjykatash.

Më tej për sa i përket gjetjeve për integritetin e figurës fjalën e mori avokati Theodhori Sollaku, i cili kontestoi raportin e DSIK-së, duke argumentuar se Z. Thanza nuk kishte pasur kontakt me antarë të krimit të organizuar gjatë çështjes hetimore, por me një mik të tij që e njihte prej 20 vitesh. Më tej Sollaku shtoi se personi në fjalë ishte shpallur i pafajshëm. Ndërkohë, Sollaku në emër të klientit pranoi dënimin në Itali të viti 2001 në Piza, por u shpreh se Thanza kishte dhënë shpjegime në përgjigjet me shkrim dhe nuk mund të thellohej më tej për shkak se çështja përfshinte të mitur dhe të dhëna personale.

Në argumentet përfundimtare gjyqtari Thanza, me ton melodramatik shpjegoi dhe incidentin në Itali, ku sipas tij ai kishte marrë përsipër një vjedhje të bërë nga e kunata, për shkak se nipi i tij ishte i sëmurë dhe rrezikonte kurimin nëse nëse e ëma dënohej.

“Me sinqeritet e kam vlerësuar trupën gjykuese dhe përfaqësuesen e ONM. Ajo që më shqetëson vërtet është procedimi penal. Kam tentuar ta shpjegoj me sinqeritet. Te jeni koshient kurrë në jetën time unë s’mund ta bëja nje veprim të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur, është djali i vëllait tim. Vjedhjen e ka bërë ish kunata. Kurrë nuk e dija,” tha Thanza.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk dha shpjegime pse dënimin në Itali hetimin për korrupsion në Shqipëri nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit të vitit 2016-të. Sipas ligjit mosdeklarimi i përplasjeve të shkaura me ligjin për zyrtarët e lartë si Thanza përbën vepër penale.