Investigim29 May 2017

Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelekom nën hetim për manipulim çmimesh

Rritja e menjëhershme e tarifave për shërbimet me parapagesë të tri kompanive celulare si dhe unifikimi i ofertave për paketat me parapagesë nga Albtelekom, Telekom Albania dhe Vodafone, e shtyu Autoritetin e Konkurrencës të hapë hetime të thelluara për krijimin e oligopolit në tregun më fitimprurës në Shqipëri.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një qytetare duke folur në celular në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Pavarësisisht se çfarë kompanie zgjedh, kostot e komunikimit janë të njëjtat. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Tre kompanitë celulare kryesore në Shqipëri u vunë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës pas një ankese nga Qendra Konsumatori Shqiptar, një organizatë me bazë në Durrës, si dhe tre ankesave të tjera në lidhje unifikimin e njëkohshëm të tarifave të shërbimeve celulare më herët këtë muaj, bëri të ditur Autoriteti i Konkurrencës.

Të dhënat e disponuara nga shoqata Konsumatori Shqiptar tregojnë se të treja kompanitë i ndryshuan tarifat brenda një jave duke hequr nga paketat bazë të ofruara shërbimin e internetit pa limit ose duke ulur ndjeshëm përmbajtjen e internetit nga këto paketa, dukshëm me synimin për të detyruar konsumatorët të paguajnë ekstra.

“Pas ndryshimit të menjëhershëm të tarifave, ne i dërguam kërkesë për informim AKEP dhe përgjigjja që morëm e përforcoi edhe më shumë bindjen se kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtave të konsumatorëve dhe shkeljen e parimeve të konkurrencës së ndershme mes operatorëve që ofrojnë këtë shërbim,” shpjegoi për BIRN Ersida Teliti, drejtoreshë e qendës “Konsumatori Shqiptar”, e cila bëri një nga katër ankesat pranë Autoritetit të Konkurrencës.

Dyqan i Telekom Albania në Tiranë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Raportimet e kompanive në AKEP tregojnë se brenda një jave mes ditëve të fundit të marsit dhe ditëve të para të prillit 2017, tre kompanitë celulare duket se unifikuan ofertat për të gjitha paketat e komunikimit me parapagesë, unifikim që solli në disa raste uljen e çmimeve dhe në disa të tjera rritjen, për të prodhuar tre paketa bazë, 800, 1,100 dhe 1,400 lekë, të cilat ofrohen në tre kompani të ndryshme por që në thelb janë e njëjta gjë. Në të gjitha paketat është synuar ulja e njëhershme e sasisë së internetit të ofruar, dukshëm me synimin për të detyruar konsumatorët të blejnë gigabit ekstra përveç paketës, ku çmimet e paketave të internetit janë gjithashtu thuajse identike nga kompania në kompani.

Në vendimin e marrë më 23 maj, Komisioni i Konkurrencës urdhëroi “Hapjen e Procedurës së Hetimit Paraprak në Tregun me Pakicë të Shërbimeve Celulare për të hetuar nëse ka, apo jo, shenja të kufizimit të konkurrencës”. [Link vendimi]

“Referuar informacionit të mbledhur gjatë monitorimit, rezulton se tre shoqëri kanë ndryshuar paketat standarde në periudhën 27 mars 2017 ‐ 4 prill 2017 në një sjellje të mundshme të koordinuar,” shkruhet në vendimin e Autoritetit.

“Gjithashtu bazuar në të dhënat e rregullatorit AKEP, rezulton se tregu i telefonisë celulare ka strukturën e një tregu oligopolistik me një operator me pozitë dominuese në tregun përkatës të shërbimeve celulare me pakicë, si dhe dy ndërmarrje të tjera me qëndrueshmëri të pjesëve të tregut”, vijon më tej vendimi.

Dyqan i Eagle Mobile/Albtelekom në Tiranë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Telekom Albania nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga BIRN në lidhje me dyshimet për krijimin e oligopolit në tregun e shërbimeve telefonike me parapagesë. Zyra e shtypit e Vodafone bëri të ditur se zgjidhte të mos prononcohej për këtë ccështje deri në përfundim të hetimit.

Albtelekom hodhi poshtë dyshimet për pjesëmarrje në oligopol duke deklaruar se qe e habitur nga njoftimi i hapjes së hetimeve nga Autoriteti i Konkurrencës. [Link përgjigjja e Albtelekom]

Pyetur për faktin se paketat kryesore të tre operatorëve celularë janë pothuajse identike, Albtelekom tha: “Ne duam të theksojmë se ato nuk janë pothuajse të njëjta si paketat e operatorëve të tjerë, por krejt e kundërta, ato janë pothuajse shumë ndryshe nga paketat e operatorëve të tjerë; dallimi konsiston kryesisht në sasinë e minutave dhe në volumin e internetit.”

Tre kompani, çmime të njëjta

Të dhënat e njoftuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) te Qendra Konsumatori Shqiptar bëjnë të ditur se brenda një periudhe njëjavore nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, të treja kompanitë që tashmë janë subjekt hetimi nga Konkurrenca kanë ulur volumin e internetit të përfshirë në paketën bazë nga 3 GB në vetëm 0.5 GB në paketat e tyre bazë ndërsa kanë kryer ulje të tjera të volumit të internetit në të gjitha paketat jo-bazë. Kjo në total përbën një rritje të njëhershme për të gjithë konsumatorët e këtyre tre kompanive për shkak se trafiku i internetit tarifohet ekstra dhe zakonisht me 200-500 lekë për një ose disa Gigabit. Një konsumator normal mund të shpenzojë tre-pesë GB në muaj nga celulari i tij.

Por më e rëndësishmja duket se është fakti që të treja kompanitë kanë vendosur të njëjtin çmim për paketat e tyre bazë me dallime minimale dhe të parëndësishme në përmbajtje.

Kështu, Vodafone Albania ka një paketë të quajtur Club Basic, e cila kushton 800 lekë, ndërsa Telekom Albania hodhi në treg një paketë të quajtur Standarte S, e cila, sipas konkluzionit të AKEP ka “sasi minutash, SMS dhe Internet të njëjtë me paketën 800 lek të Vodafone”. Eagle Mobile ka një paketë tjetër të shërbimeve bazë e cila gjithashtu kushton 800 lekë. Në praktikë, një konsumator mund të ndryshojë kompaninë duke ikur nga klient i njërës te klient i tjetrës, por pavarësisht kësaj, sërish ka vetëm një paketë bazë në dispozicion.

Vetëm 0.5 GB

Dyqan i Vodafone Albania në Tiranë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Tregu i telekomunikimit ka ndryshuar ndjeshëm me përhapjen gjatë viteve të fundit të smartfonëve, të cilët mundësojnë përdorimin e celularit jo vetëm për telefonata tradicionale dhe sms por edhe për komunikim të gjithëfarëllojshëm e për dëfrim përmes internetit. Sipas të dhënave të raportit vjetor të AKEP, përdorimi i shërbimeve të internetit me bazë të gjerë përmes celularëve në rrjetet 3G dhe 4G si dhe me modemë tradicionalë, është rritur me 30 për qind gjatë vitit 2016 në krahasim me vitin 2015. Përkundrejt kësaj, volumi i telefonatave celulare u ul me 8 për qind.

Në thelb, shqiptarët kanë mësuar të ulin përdorimin e telefonatave konvencionale dhe t’i zëvendësojnë ato me telefonata përmes shërbimeve në internet si Wats App dhe Skype. Kjo gjithsesi nuk ka sjellë rënie të të ardhurave për kompanitë celulare, të cilat përgjatë viteve janë vënë vazhdimisht nën akuza për shkelje të rregullave të konkurrencës dhe zbatimin e praktikave bllokuese për konkurrencën për të ruajtur dhe rritur të ardhurat e veta. Por lëvizja e fundit e të tre operatorëve njëkohësisht ka goditur pikërisht mundësinë e operatorit për të zgjedhur kryerjen e një telefonate përmes internetit dhe jo rrjeteve konvencionale. Të treja paketat bazë të tëë tre operatorëve kanë ulur ofertën për internet nga dy apo tre GB në muaj në vetëm 0.5 GB në muaj. Kjo do të mjaftojë që kostoja shtesë e internetit t’i rrisë tarifat për konsumatorët në masë të konsiderueshme. Dy GB internet shtesë në Telekom Albania kushtojnë 300 lekë sipas reklamës së saj në internet ndërsa në Vodafone Albania 2 GB kushtojnë gjithashtu 300 lekë. Në Albtelekom/Eagle, 2 GB internet me afat konsumimi mujor kushtojnë 400 lekë.

Çmime të njëjta, paketa të njëjta

Ndryshimet e kryera në fund të muajit mars në paketat e niveleve të ndryshme të tre kompanive tregojnë se disa nga kompanitë i kanë ulur çmimet, disa i kanë rritur dhe në thelb, të treja ofrojnëpaketa thuajse identike. Telekom Albania ka hedhur në treg një paketë të re me vlerë 800 lekë, të cilën nuk e kishte më parë, një paketë që rezulton thuajse identike me paketa të ngjashme por me emra të ndryshëm nga dy kompanitë e tjera.

Paketat e nivelit më të lartë se sa bazë për komunikimet me parapagesë janë uniformizuar gjithashtu, ndërsa çmimet e tyre kanë pësuar ulje të lehtë në krahasim me më parë bashkë me uljen e ndjeshme të sasisë së internetit të përfshirë në këto paketa. Kështu, Vodafone ka një ofertë që quhet Club Superior, çmimi i të cilës është ulur nga 1200 në 1100 lekë por sasia e internetit të ofruar në të qe më herët pa limit ndërsa tani është vendosur në limitin 2 GB. Nëse një përdorues kërkon më shumë internet se sa kaq, atëherë atij i duhet të paguajë 300 lekë shtesë ndërsa ka marrë 100 lekë ulje. Por kjo është vetëm një pjesë e problemit. Problemi tjetër është Telekom Albania ka një paketë të quajtur Standarde M, e cila kushton gjithashtu 1100 lekë dhe ka 2 GB internet të përfshirë, në thelb e njëjta ofertë me Vodafone Club Superior. Në krahasim me më parë, Telekom Albania i ka rritur tarifat e kësaj paketë nga 990 lekë që qe më parë në 1100 lekë, duke i barazuar ato me paketën simotër te Vodafone. Albtelekom ka gjithashtu një paketë me emrin Standard 1100 lekë, e cila është shtrenjtuar me 100 lekë nga para ndryshimit të marsit dhe që ndryshon me dy paketat simotra sepse ofron jo 2, por 3 GB internet.

Oferta Ekstra e Vodafone rezulton njëkohësisht shumë e ngjashme me ofertën Standarde L të Telekom dhe Standarde 1400 të Albtelekom. Që të gjitha këto paketa, siç sugjeron emri i ofertës së Albtelekom, kushtojnë 1400 lekë. Për të mbërritur në këtëçmim, Albtelekom dhe Telekom Albania kanë vendosur të rrisin çmimin në krahasim me periudhën para ndryshimit, ndërsa Vodafone e ka ulur çmimin. Me të njëjtat çmime më parë blerësit e këtyre paketave përfitonin internet pa limit ndërsa me ndryshimet e fundit, Vodafone dhe Telekom Albania ofrojnë 4 GB internet e Albtelekom ofron 6 GB internet.

Viti shqiptar ka 13 muaj

Vitin e kaluar në  një mënyrë të ngjashme me lëvizjen e fundit, tre kompanitë kryesore vendosën të masin muajin shqiptar si 28 ditë, nga një muaj që llogaritej më parë, efektivisht duke e bërë vitin kalendarik të ketë 13 muaj dhe jo 12. Aktualisht të treja kompanitë i kanë ofertat për paketa komunikimi mujor 28 ditëshe. Ndryshimi i shënuar vitin e kaluar solli gjithashtu shtrenjtimin e tarifave me rreth 7 për qind pa i ndryshuar paketat, si pasojë e shpikjes së vitit me 13 muaj. Por ndryshimi aktual përmes minimizimit të volumit të internetit në paketat e zakonshme efektivisht i ka rritur çmimet shumë më tepër se sa vitin e kaluar. Ekspertët e kanë të vështirë të llogarisin rritjen reale në përqindje për shkak se minutat e komunikimit brenda rrjetit zakonisht nëpër paketa ofrohen në sasi të pakonsumueshme, ndërsa e vetmja gjë e matshme me lehtësi është sasia e internetit. Heqja e 3 apo 4 GB internet nga paketat efektivisht i ka shtrenjtuar komunikimet me 20-40 për qind nga më parë.

Dyshime për oligopol

Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë konsumatorë me parapagesë të shërbimeve celulare dhe paketa bazëështë oferta me të cilën përballen shumica e konsumatorëve me parapagesë. Që kur hapi operatorin e vet të parë celular, në vitin 1996, Shqipëria është përballur vazhdimisht me praktika monopoliste apo oligopoliste të këtyre kompanive, shumica dërrmuese e të cilave janë të padukshme për konsumatorin.

Autoriteti i Konkurrencës i ka hetuar edhe dy herë të shkuara kompanitë që operojnë në këtë treg duke shpallur fajtorë Vodafone dhe AMC (sot Telekom Albania) për abuzimin me pozitën dominuese në kurriz të konsumatorëve më të varfër të Europës.

Në vitin 2007, Autoriteti gjobiti këto dy kompani me rreth 4 milionë euro gjoba për abuzim me pozitën dominuese, duke vërejtur mes të tjerash se këto dy kompani patën zbatuar përgjatë shumë viteve tarifat më të larta në Europë sa i përket shërbimeve të telefonisë celulare pavarësisht se operonin në tregun më të varfër të Europës. [Link]

Tregu i kompanive celulare qarkullon qindramilionë euro në vit dhe fitimet neto arrijnë në mbi njëqind milionë në vite të ndryshme, pa marrë parasysh këtu transferime të konsiderueshme financiare që kompanitë bija bëjnë te kompanitë e lidhura në Europë.

Në rast se Autoriteti i Konkurrencës i shpall fajtorë këto tre kompani për krijimin e oligopolit, atëherë Autoriteti ka të drejtë t’i gjobisë nga 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Xhiroja totale vjetore e tregut arriti në 47 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar.

Link: Shkresa e AKEP për Qendrën “Konsumatori Shqiptar”

 

Çmime identike për produkte identike
Paketabazë Çmimi GB Minuta kombëtare SMS kombëtare
Vodafone 800 0.5 200 200
Telekom Albania 800 0.5 200 200
Albtelekom 800 0.5 300 300
Burimi: AKEP, përpunuar nga BIRN
Paketa 1100 Çmimi GB Minuta kombëtare SMS kombëtare
Vodafone 1100 2 2000 200
Telekom Albania 1100 2 2000 200
Albtelekom 1100 3 2000 200
Burimi: AKEP, përpunuar nga BIRN
Paketa 1400 Çmimi GB Minuta kombëtare SMS kombëtare
Vodafone 1400 4 2500 300
Telekom Albania 1400 4 2500 300
Albtelekom 1400 6 2500 400
Burimi: AKEP, përpunuar nga BIRN