Investigim5 Mar 2015

Islamikët shqiptarë dërguan italianen e njohur si “Lady Xhihad” drejt Sirisë

Maria Giulia Sergio, vajza italiane e njohur si “Lady Xhihad” udhëtoi drejt Sirisë përkrah burrit të saj shqiptar, Aldo Kobuzi, me ndihmën e radikalëve islamikë të Shqipërisë.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Maria Gulia Sergio, e njohur gjithashtu si Lady Xhihad, duke folur gjatë një emsisionit televizic në Itali

Maria Gulia Sergio, e njohur gjithashtu si Lady Xhihad, duke folur gjatë një emsioni televiziv në Itali

Aldo Kobuzi ishte adoleshenti tipik i një fshati të harruar të Shqipërisë së Mesme, përpara se të ndiqte rrugën e besimit drejt islamit radikal dhe t’i bashkohej militantëve të ISIS.

Në të shkuarën, ai kishte pasion motorët dhe Toni Montanën, personazhin kryesor të filmit aksion të 1983, “Njeriu me shenjë”.

Në anën tjetër të Adriatikut, në Itali, Maria Giulia Sergio ishte një katolike napolitane, që pas konvertimit në Islam në vitin 2007, shfaqej në show televizivë nën emrin fetar Fatima Az Zahra dhe mbronte mbulimin e vajzave me shami.

Gjatë verës së vitit 2013, Kobuzi 23-vjeçar dhe Sergio 25, u takuan në Milano me ndërmjetësinë e njohjeve të përbashkëta dhe vendosën të martoheshin. Fotot e dasmës, të cilat bënë më vonë xhiron e revistave italiane e shfaqin nusen të mbuluar nga koka tek këmbët me hixhabin e bardhë prej satini.

Shtatorin e kaluar, çifti udhëtoi nga Italia në Turqi, prej nga mendohet se ka vazhduar rrugëtimin drejt Sirisë për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, grupit terrorist të militantëve që kontrollojnë hapësira të gjera territori në Siri dhe Irak. Ata synojnë të themelojnë Kalifatin Islamik nën ligjin e Sharia-s.

Sergio ishte gruaja e parë mes 59 rezidentëve italianë, shumë prej të cilëve emigrantë nga Afrika Veriore dhe Ballkani, të cilët kanë udhëtuar nga Italia drejt Sirisë për t’iu bashkuar Kalifatit. Media italiane e ka quajtur atë “Lady Xhihad”.

Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim për udhëtimin e çiftit drejt Sirisë, pas shqetësimit në rritje të autoriteteve italiane mbi aktivitetin rekrutues të celulave radikale islamike.

Në fshatin Gërmenj i Madh pranë qytetit të Lushnjes, daja i Kobuzit, Bledar Çoku thotë se ata ndodhen në një vend të sigurt dhe komunikon me ta në Skype.

“Fola me ta një muaj më parë,” thotë Çoku në kafenenë e vetme të fshatit. “Janë në një vend të sigurt dhe të qetë. Më thanë të mos shqetësohesha,” shton ai.

Autoritetet italiane dyshojnë se celula radikale islamike në Shqipëri, të lidhura me Kobuzin mundësuan udhëtimin e çiftit drejt Sirisë. BIRN zbuloi se lidhje të tilla i kanë rrënjët thellë në familjen e Kobuzit.

Rrugëtimi i tij drejt radikalizimit filloi mesa duket pas braktisjes së familjes nga i ati, në fundin e viteve ’90. E detyruar të linte shtëpinë e të shoqit dhe të kthehej tek prindërit, nëna e Kobuzit, Donika gjeti ngushëllim tek një rrymë e panjohur e Islamit dhe u kthye në besimtare praktikante.

Sipas dajës së Kobuzit, Donika ishte personazhi kryesor që ndikoi në konvertimin e fëmijëve dhe gjithë familjes. “Ajo na fliste vazhdimisht për Zotin,” thotë Çoku, i cili ngjan me nipin nga mjekra e gjatë-është edhe vetë një besimtar mysliman i rrymës së ashpër Salafi.

Fqinjët e familjes së Kobuzit në Gërmenj tregojnë se Donika konvertoi fillimisht të bijën, Serjolën. Në vitin 2011, ajo u mbulua me hixhab  dhe u martua pa mbushur 15 vjeç me Mariglen Dervishllarin, një i ri mysliman nga fshati Rrëmenj i Pogradecit në juglindje të Shqipërisë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, Dervishllari udhëtoi drejt Sirisë në fillim të vitit 2013 dhe iu bashkua frontit Al-Nusra, grupit të militantëve islamikë të lidhur me al-Kaedën.

Shtëpa në Scansano ku kanë jetuar Maria Gulia Sergo dhe Aldo Kobuzi

Shtëpa në Scansano ku kanë jetuar Maria Gulia Sergo dhe Aldo Kobuzi

Serjola dhe e bija foshnjë e ndoqën pas Dervishllarin në Siri në vitin 2014, pak para se ai të vdiste në rrethana ende të paqarta.

Pandi Janko, pronari i servisit të motorëve ku dikur punonte Kobuzi thotë se ai u kthye në një mysliman të betuar gjatë një vizite 3-mujore tek familja e së motrës në Pogradec, në vitin 2012. “Kur u kthye, e kishte mjekrën deri në gjoks,” pohon Janko.

Fatjoni, fqinj dhe shok fëmijërie me Aldon pranon se përpara kësaj periudhe, ai ishte një adoleshent i zakonshëm.

“Bënim xhiro me motor, punonim me raste dhe kthenim ndonjë birrë në lokalin e fshatit,” kujton Fatjoni. Ai tregon se shoku i tij i fëmijërisë ndryshoi 100 për qind, si të ishte një tjetër person.

“Fliste vetëm për vdekjen dhe parajsën,” shton ai. “E përshkruante parajsën si një vend me shtatë kate dhe ku ata që merrnin plumbin në ballë, shkonin drejt e në më të lartin,” thotë Fatjoni.

Janko tregon se Kobuzi u zhvendos drejt Italisë, në fshatin Scansano pranë Grosetos, ku daja i tij i madh kishte emigruar që prej mesit të viteve ’90.

Sipas regjistrit të komunës në Groseto, Kobuzi është regjistruar për herë të parë si banor i vilës së dajës në pranverën e vitit 2012. Kjo procedurë është përsëritur edhe në vitin 2013.

Në një intervistë të sajën për revistën italiane L’espresso, Maria Giulia Sergio tregon se u konvertua në Islam në vitin 2007 dhe u martua me një djalë nga Maroku. Me të u divorcua shpejt, pasi ai “nuk e interpretonte siç duhej fenë”.

Në kohën që Kobuzi u zhvendos në Itali, Sergio me origjinë nga Napoli jetonte me familjen e saj në Inzagi, një zonë mes Milanos dhe Bergamos.

Ajo u takua me Kobuzin në Milano në vitin 2013, përmes njohjeve të përbashkëta të myslimanëve të tjerë. Daja i Kobuzit thotë se ai udhëtoi nga Groseto në Milano për ta parë atë dhe se menjëherë e pëlqyen njëri-tjetrin.

U martuan në një xhami në Milano dhe u rikthyen në Groseto, ku jetuan së bashku deri në shtator 2014. Atë verë, Kobuzi u kthye në fshatin Gërmenj të Lushnjes, më radikal se ç’ishte larguar.

Prokurorët e Milanos besojnë se Kobuzi u kthye në Shqipëri për të riaktivizuar kontaktet me radikalët islamikë, të cilët do t’i mundësonin atij udhëtimin drejt Sirisë.

Emri i kunatit të Kobuzit, Mariglen Dervishllari shfaqet në hetimin e rrjetit shqiptar të rekrutuesve, të drejtuar nga dy imamët e Tiranës me emrin “Haliti nga Pogradeci”.

Policia shqiptare arrestoi dy imamët Bujar Hysa dhe Abdurrahman Balla në mars 2014. Ata sapo janë dërguar në gjykatë, të akuzuar se rekrutuan më shumë se 70 xhihadistë shqiptarë për Al-Nusrën dhe ISIS.

Dervishllari udhëtoi për herë të parë drejt Sirisë në 28 janar 2013, por u rikthye në shtëpi pak muaj më vonë, pasi u plagos në front. Dy shqiptarë të tjerë humbën jetën në të njëjtën ditë që ai u plagos.

Postimi i Aldo Kobuzit në Facebook përpara se të nisej në Siri

Postimi i Aldo Kobuzit në Facebook përpara se të nisej në Siri

Në tetor të vitit 2013, ai udhëtoi sërish drejt Sirisë dhe nuk u kthye më kurrë. Banorë të fshatit Rrëmenj në Pogradec thonë se e shoqja dhe vajza e mitur iu bashkuan atij pak muaj pas udhëtimit të dytë drejt Sirisë.

Data e vdekjes së Dervishllarit nuk është e qartë. Familjarët e tij ngulmojnë se ai vdiq nga leuçemia dhe jo nga lufta përkrah ISIS.

Aldo Kobuzi dhe Maria Giulia udhëtuan drejt Sirisë në shtator 2014, pas vdekjes së Dervishllarit.

Vetëm pak javë pasi iku nga aeroporti i Romës, Kobuzi postoi flamurin e ISIS dhe një fotografi me mesazh në profilin e tij në Facebook.

“Vdekja vjen vërtet një herë në jetë, ndaj le të jetë në rrugën e Allahut”.