Ndërsa BE-ja organizon konferencën e dytë mbi lirinë e medias më 20 qershor, juria është përqendruar në analizën nëse Brukseli ka ndikuar pozitivisht në gjendjen e mediave në rajon, pavarësisht se ajo sa vjen dhe përkeqësohet.
Nga Ana Petruseva dhe ekipi i BIRN-it
BIRN në Beograd, Zagreb, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup dhe Tiranë
Dy vjet më parë kur u hap “Speak Up”-i i parë në Bruksel, zyrtarë të lartë, ekspertë të mediave, gazetarë dhe redaktorë nga Ballkani e Turqia kishin pritshmëri të mëdha për rolin që BE-ja mund të luante në përpjekjet për një shtyp vërtet të pavarur në rajon.
Dy vjet më vonë, këto pritshmëri janë zbehur. Disa kanë lavdëruar BE-në për shtytjen që ajo i ka dhënë miratimit të legjislacionit që përmbush standardet e BE-së. Megjithatë, të tjerë janë shprehur të zhgënjyer, duke thënë se BE-ja duhet të ishte shumë më proaktive në luftën kundër presioneve politike në rritje ndaj mediave të pavarura.
Gordana Viloviq, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Zagrebit, ka refuzuar të shkojë në konferencën e vitit 2011, duke e cilësuar atë si ” të shtrenjtë dhe pa rezultate”.
“Do të kishte qenë më mirë sikur këto para të ishin dhënë për gazetarët e papunë, numri i të cilëve rritet çdo ditë,” tha ajo.
Ekspertë e redaktorë kanë cilësuar se në rastin e Maqedonisë Brukseli ka mbyllur njërin sy, përderisa shumë media janë mbyllur dhe qeveria ka ushtruar censurë dhe autocensurë. “Duhej ta kishin emëruar këtë konferencë “Shut Up” (Mbylle) dhe jo “Speak Up” (Ngri Zërin), tha Roberto Belicanec, nga Qendra për Zhvillimin e Mediave të Maqedonisë.
Zëra të tjerë nga rajoni ishin më pak kritikë. Remzi Lani, nga Instituti Shqiptar i Medias, tha se “Speak Up” i vitit 2011 ishte i dobishëm në artikulimin e një fokusi më të gjerë për rajonin. Konferenca “ofroi një shans për t’u marrë me çështjet e medias …dhe mbuloi problemet e të gjithë rajonit, nga Mali i Zi deri në Turqi,” tha ai.
Me këtë pajtohet edhe gazetari kroat Gordan Maliç. “Speak Up i vitit 2011 kishte identifikuar saktësisht problemet”, thotë ai. Megjithatë, “që atëherë recesioni ka përkeqësuar statusin e gazetarëve dhe konferenca nuk është përpjekur të gjejë zgjidhje për këtë problem, prandaj pres që në konferencën e ardhshme të diskutohet kjo çështje më tepër”.
Keq e më keq?
Sipas indeksit botëror për lirinë e shtypit të organizatës ‘Reporterë pa kufij’, liria e shtypit për vitin 2012 në shumicën e vendeve të rajonit u paraqit më keq se në vitin 2011. Ky barometër thotë se mediat në Ballkan, në përgjithësi kanë mbetur peng i një game praktikash shtypëse.
Në raportin e vitit 2012 Serbia u rendit më lart se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit lidhur me lirinë e shtypit, duke zënë vendin e 63-të nga 179 vendet e përfshira në këtë raport. Në vitin 2011, ajo renditej në pozitën e 80-të.
Kroacia është renditur pas Serbisë, në vendin e 64, nga 68 sa ishte në raportin e vitit 2011. Të gjitha vendet e tjera të rajonit, përveç Kosovës, kanë shënuar rënie në vitin 2012, krahasuar me vitin 2011.
Bosnje dhe Hercegovina u rendit e 68-ta, nga vendi i 58-të sa ishte më parë, Shqipëria ra nga vendi i 96-të në vendin e 102-të dhe Mali i Zi ra nga vendi 107 në vendin e 113-të. Maqedonia ka shënuar rënie të dukshme, nga vendi 94-të në vendin 116, duke u renditur në fund të listës së vendeve të Ballkanit. Kosova ka shënuar një lëvizje të lehtë nga vendi i 86-të në të 85-in.
“Shqipëria, Mali i Zi dhe sidomos Maqedonia kanë përkeqësuar indeksin për Ballkanin,” thotë raporti, “Të dhëna të ngjashme janë edhe ato që lidhen me shqetësimet mbi çështjet gjyqësore të cilat shpesh bazohen në legjislacion jo adekuat, mungesën e qasjes në dokumente publike, dhunën fizike dhe psikologjike ndaj atyre që punojnë me lajme dhe informacione, tregjet zyrtare dhe private të reklamimit që përdoren si mjete presioni, dhe ruajtjen e një ekonomie joformale në pjesët vitale të medias.”
Profesionistë të mediave nga i gjithë rajoni pajtohen se sfida më e madhe, së bashku me krizën financiare, është presioni politik në rritje. Ata thonë se hapësira e mediave të pavarura është duke u zvogëluar, pasi mediat e afërta me qeveritë përdorin fondet shtetërore, përmes reklamimit selektiv, duke ushtruar kështu kontroll editorial.
Paditë penale ende përdoren për të frikësuar gazetarët. Sulmet fizike ndaj gazetarëve ndodhin ende dhe nuk marrin përgjigjen e duhur nga gjykatat.
Legjislacioni mbi mediat është projektuar për t’iu përshtatur nevojave të qeverisë, e cila de facto ushtron censurë. Në disa raste ajo është kopjuar nga legjislacioni i BE-së, por është zbatuar keq. Gjersa tabloidët po e marrin pjesën e mbetur të tregut, gazetaria investigative po bëhet gjithnjë dhe më e rrallë, edhe pse kjo nuk po ndodh vetëm në rajonin e Ballkanit.
Mes lëvdatave dhe fajësimeve
Komisioni Europian mund të ushtrojë presion mbi qeveritë që janë të etura për të përshpejtuar integrimin e tyre në BE, sidomos kur bëhet fjalë për harmonizimin e legjislacionit sipas standardeve të BE-së.
Brukseli në fakt ka tentuar në disa vende për t’i dhënë më shumë rëndësi çështjes së lirisë së shtypit duke i bërë ato pjesë të kritereve bazë. Ka pasur diskutime rreth vendosjes së lirisë së medias nën kriterin e sundimit të ligjit, gjë që do t’i detyronte qeveritë t’i qaseshin më seriozisht kësaj çështjeje.
Ekspertët dhe gazetarët e mediave në Serbi dhe Shqipëri njohin ndikimin pozitiv që BE-ja ka luajtur në nxitjen e legjislacionit për të siguruar standardet e lirisë së medias, si dhe në ofrimin e mbështetjes financiare.
Lutfi Dervishi, ish redaktori i lajmeve në televizionin publik të Shqipërisë, RTSH, thotë se Komisioni ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e legjislacionit për të forcuar kornizën ligjore për mediat.
“Parlamenti shqiptar me ndihmën e BE-së kohët e fundit miratoi një ligj mbi mediat dixhitale, i cila ka shtatë vjet që po përgatitet,” shton ai.
“Megjithatë, kemi nevojë për një zë më të fuqishëm të Europës për krijimin e një transmetuesi publik shembull, duke marrë gjithashtu parasysh krijimin e një fondi për gazetarinë investigative,” shton ai.
Veran Matiq, nga B92 në Serbi, thotë se strategjia e shumëpritur e medias në Serbi mori dritën e gjelbër nga qeveria, pasi Brukseli kërkoi që adoptimi i ligjeve të mediave të jetë prioritet në procesin e anëtarësimit në BE.
Megjithatë, Ministria e Kulturës që atëherë ka ndryshuar në momentin e fundit projektligjin për informim, duke ngritur shqetësime rreth faktit se cili version i këtij ligji do të miratohet.
Ivan Cvejiç, kryedaktor i agjencisë së lajmeve Beta, përmend ndihmën financiare të BE-së për mediat.
“Ne nuk duhet të injorojmë mbështetjen financiare të BE-së dhe shteteve anëtare të saj për mediat serbe përmes tenderave dhe projekteve, çka bëri që mediat në njëfarë mase të mos harrojnë çështjet e rëndësishme sociale”, thotë Cvejiç.
Por në Kroaci, kushtëzimi për mediat ishte më i dobët dhe për rrjedhojë Kroacia do i bashkohet BE-së gjatë muajit korrik me një sektor mediatik që duket të jetë i pareformuar.
Në Mal të Zi, ku kritikët e qeverisë kërkojnë ndihmën e BE-së, ka pritshmëri të mëdha, por rezultatet e prekshme ende pritet të shihen.
Zdenko Duka, president i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë, HND, thotë se negociatat për pranimin e Kroacisë në BE nuk kanë pasur ndikim të madh në pozitën e mediave, edhe pse e pranon se BE-ja ka afirmuar “një orientimin të përgjithshme ndaj të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit në mediat kroate”.
Gordan Malic pajtohet me këtë vlerësim. “Negociatat afirmuan vlerat themelore, të cilat pastaj u bënë pjesë e standardeve politike në Kroaci,” thotë ai.
Megjithatë, Jelena Berkovic, një ish gazetare dhe aktiviste e shoqërisë civile, thotë se negociatat e BE-së kishin pak ose fare ndikim mbi mediat.
Ata nuk e ndaluan ish-kryeministrin, Ivo Sanader, nga organizimi i aferës “Fimi media”, cilëson ai, aferë e cila përfshinte kanalizimin e miliona eurove nga fondet qeveritare përmes një agjencie mediatike marketingu.
“Pronësia mbi mediat është ende e paqartë dhe nuk është hetuar asnjëherë; shumica e mediave ende nuk kanë statut, ndërsa shpifja është futur si vepër penale,” shton ajo.
Berkoviq kritikon delegacionin e BE-së në Kroaci, për “mosrritjen e bashkëpunimit të saj me gazetarët rreth problemeve të tyre, ose me shoqatën e gazetarëve kroatë, HND”.
Në Kosovë, BE-ja ka kompetenca ekzekutive përmes misionit të sundimit të ligjit, EULEX, dhe është përpjekur të kënaqë ty dyja palët, si ata që luftojnë për lirinë e medieve, ashtu dhe politikanët, gjë që ka rezultuar me një mbështetje të dobët ndaj mediave, thonë ekspertë ligjorë dhe profesionistë të mediave.
Në Kosovë është e nevojshme një prani më e fortë e BE-së në fushën e mediave, thotë Flutura Kusari, eksperte ligjore e BIRN-it për media dhe anëtare e bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
“Kemi nevojë për një BE të fortë e cila do të bënte presion te kuvendi që të mos aprovojë ligje që kufizojnë lirinë e medias. Mirëpo ata nuk ndërhyjnë,” thotë ajo.
“Mediat nuk janë lart në listën e prioriteteve të tyre, kështu që në rastet e dhunës ndaj gazetarëve ata lëshojnë vetëm deklarata publike duke u bërë thirrje organeve shtetërore t’i hetojnë këto raste,” shton ajo.
“Megjithatë, kur ata e shohin se diçka është me të vërtetë e rëndësishme nuk hezitojnë të ndërhyjnë,” pranon.
Një rast i tillë ishte kur BE-ja reagoi dhe parandaloi ligjin e propozuar nga qeveria mbi përgjimet.
Në Mal të Zi, ku zyrtarët e qeverisë haptazi favorizojnë disa media dhe ku sulmet ndaj pjesëtarëve të mediave opozitare shpesh kalojnë pandëshkuar, Daliborka Uljarevic, drejtoreshë e Qendrës së Malit të Zi për Arsimim Civil, thotë se shpreson që procesi i integrimit në BE do të detyrojë qeverinë të ndryshojë marrëdhënien e saj me mediat. Mali i Zi ka hapur negociatat për anëtarësim në BE vitin e kaluar.
Milka Tadiq, drejtoreshë e së përjavshmes “Monitor” nga Podgorica, beson se BE-ja e ka marrë seriozisht lirinë e medias, ndërsa thotë se raportet mbi këtë çështje priren të jenë sipërfaqësore, ndërsa ndihma financiare nuk vihet në dispozicion.
“Nuk e kuptoj pse ata nuk përfshihen më tepër në këtë çështje. A është kjo për shkak të mungesës së kapaciteteve të brendshme, ose sepse kanë nevojë të paraqesin Malin e Zi si një histori suksesi në rrugën drejt BE-së”, pyet ajo.
Mbyllja e njërit sy
Profesionistët e mediave nga Bosnja dhe Maqedonia janë shumë pak të kënaqur me rolin e BE-së në mbrojtjen e lirisë së mediave.
Dushka Jurisiç, nga televizioni i entitetit në Federatën e Bosnjës (njëri nga dy entitetet në vend), thotë se Brukseli ka neglizhuar problemet e mediave në vend.
“Institucioni si PSBE-së [Përfaqësuesi Special i BE-së] mund të ndihmojë në ruajtjen e pavarësinë, dhe nëse nuk mund të eliminojë, atëherë të lehtësojë presionet direkte dhe indirekte të udhëheqësve politikë mbi mediat private,” thotë ajo.
BE-ja gjithashtu mund të insistojë që reformat në mediat publike, të jenë si një nga detyrat e Bosnjës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, shton ajo.
Mirsad Fazliç, nga e përjavshmja sarajevase “Slobodna Bosna”, thotë se BE-ja kishte ndihmuar mediat e Bosnjës në të kaluarën, por kjo ndihmë erdhi duke u zvogëluar pikërisht në kohën kur situata në media po përkeqësohet.
“Nuk jam në dijeni nëse BE-ja po merr masa konkrete në promovimin dhe mbështetjen e medias së lirë,” thotë Fazliç.
“Ashtu si i gjithë vendi edhe mediat kanë shpresa të mëdha në BE,” thotë Urosh Vukiq, reporter i gazetës “Nezavisne novine” me qendër në Banjallukë.
“Ka pasur shumë pak para nga BE-ja për mediat … të cilat pritën nga BE-ja që pjesërisht të aplikonte standardet që ajo aplikon në vendet e BE-së.”
Edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë të mediave kanë kritikuar përpjekjet e pacipa të qeverisë për të bërë të heshtin mediat kritike në Maqedoni, BE-ja ka dështuar ta marrë këtë situatë seriozisht, thonë gazetarët vendas.
Ata thonë se shumë media janë mbyllur në dy vjetët e fundit, ndërsa gazetarët kanë humbur punën e tyre për shkak se nuk kanë ndjekur linjën e qeverisë.
Ndërkohë, BE-ja ka lavdëruar qeverinë maqedonase për heqjen e shpifjes si vepër penale.
Disa gazetarë kanë frikë se çështja e lirisë së mediave është duke u sakrifikuar në mënyrë të qëllimshme për hir të përpjekjeve të BE-së për të bindur Maqedoninë që të jetë më bashkëpunuese rreth mosmarrëveshjes së saj me Greqinë mbi emrin e vendit.
“Situata është përkeqësuar sa i përket lirisë së medias, dhe nuk shoh ndonjë arsye në organizimin e një konference të dytë për sa kohë që vetë BE-ja nuk paraqet një analizë rreth asaj që është arritur nga konferenca e parë,” thotë Borjan Jovanovski, pjesëmarrës nga Maqedonia në konferencën e parë “Speak Up”.
Pikëpamja e Brukselit
Përderisa gazetarët ballkanas janë skeptikë nëse një konferencë e re do të mund të ofrojë zgjidhje të reja për mediat e pavarura që luftojnë për të mbijetuar, Andy McGuffie, nga delegacioni i BE-së në Bosnjë, thotë se Brukseli ka qenë më aktiv sesa disa mendojnë.
Ai i ka thënë për BIRN se Brukseli ka mbështetur prej kohësh sektorin e mediave, e sidomos transmetuesit publikë.
BE-ja ka financuar projekte me vlerë 20 milionë euro në mbështetje të sistemit të transmetuesve publikë në Bosnjë dhe Hercegovinë, thotë ai.
“Komisioni Europian po ashtu ka filluar zbatimin e një projekti me vlerë prej 1.5 milionë euro në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili synon mbështetjen e lirisë së medias dhe dhënien e përgjegjësisë,” shton ai.
McGuffie shpjegon se të gjitha projektet e financuara nga BE-ja, të tilla si fondet për antarësim, përfshijnë komponentin e detyrueshëm të transparencës, për të siguruar që mediat të marrin shpjegime se si janë duke u përdorur fondet e BE-së.
Ndërkohë që disa vëzhgues të mediave në Ballkan paralajmërojnë se pritshmëria e rajonit është jorealiste. Ata thonë se zakonisht BE-ja nuk ka ndërhyrë në këtë fushë as në shtetet anëtare, madje edhe kur gjërat kanë shkuar keq.
“Nëse e merrni rastin e Hungarisë dhe reagimin e dobët të BE-së në lidhje me të … do ta kuptoni se BE-ja nuk ka instrumente të vërteta për të vepruar”, thotë Oliver Vujoviç, president i SEEMO-s, duke iu referuar kritikave të mëdha ndaj ligjeve që kishte imponuar qeveria e Hungarisë mbi mediat, për të cilat BE-ja dëshmoi se nuk ishte në gjendje t’i ndalojë.
Në mënyrë të gjashme dhe në rastin kur qeveria greke javën e kaluar papritmas mbylli transmetuesin publik të vendit, për të kursyer para, Brukseli nguroi të reagonte ose të vinte në pikëpyetje këtë masë.
Pajtimi me faktin se BE-ja nuk është aq e fuqishme sa mendojnë disa profesionistë të mediave të Ballkanit nuk do të jetë e lehtë. Gjetja e burimeve të brendshme për të trajtuar sfidat është një domosdoshmëri e profesionit.
Drasko Djuranoviç, redaktor i portalit Analitika, thotë: “Ne vetë duhet të luftojmë për lirinë tonë.”
Tamara Causidis, kryetare e Unionit të Gazetarëve të Maqedonisë, dhe një nga ata që janë ftuar të marrin pjesë në konferencën e sivjetme të “ Speak Up”, e pyetur se cilat janë pritjet e saj, përgjigjet: “Absolutisht asgjë”.
“Nuk do të shkoj atje të flas para Komisionit, për shkak se ata kanë dëgjuar vërejtjet tona disa herë tashmë,” thotë ajo.
Ajo do të shkojë në Bruksel “për të komunikuar me qytetarët e vendeve të tjera, për t’u treguar se si tregtohen parimet në komunitetin europian, dhe ndoshta ata do të mund të ushtrojnë presionin që ne nuk mundemi,” thotë ajo.
Besar Likmeta nga Tirana, Edona Peci nga Prishtina, Bojana Barlovac nga Beogradi, Boris Pavelic nga Zagrebi, Samir Kajosevic nga Podgorica, Elvira Jukic nga Sarajeva dhe Saska Cvetkovska nga Shkupi ndihmuan në këtë artikull.