
Mungesa e fondeve për të restauruar arkivat shtetërore të Bosnjës, të cilat u dëmtuan rëndë nga një zjarr gjatë protestave të shkurtit, bën që dokumente të paçmuara të rrezikohen të humben përgjithmonë

Gjashtë muaj pasi një koktej Molotov shkaktoi një zjarr në Arkivën Shtetërore të Bosnjës, në rebelimin qytetar që goditi vendin në pranverë, disa nga dokumentet më të rëndësishme dhe më të vjetra duket se janë humbur përgjithmonë.
Një përmbledhje urdhrash zyrtarë nga sulltanët e periudhës Osmane është djegur përtej mundësisë së restaurimit krahas disa dorëshkrimeve iluministe dhe veprave filozofike të shekujve 17 e 18. Dokumente të rëndësishme të kohës kur Austro-Hungaria sundonte Bosnjën u shkrumbuan gjithashtu nga flakët.
Volumet e përfshira nga flakët përbanin letra, urdhra qeveritarë dhe të dhëna historike nga shumë shekuj. Një pjesë u dogj totalisht; disa janë ende të lexueshme.
“Unë qava në shtëpi kur pashë pamjet në televizor qava”, thotë arkivistja Sandra Biletic, duke rikujtuar ditën e protestës, “për shkak se unë e dija se çfarë gjenden brenda”.
“Është një pamje dhumë e dhimbshme për kërkuesit dhe çdokënd që vlerëson trashëgiminë,” thotë historiani Emir Filipoviç “nuk është problemi te numri i dokumenteve. Nëse një dokument humbet përtej mundësisë për t’u riparuar, kjo është një humbje e madhe për shkencën dhe kulturën.”
Vija boje, mbetje telash dhe dritash tavani tashmë mbushin korridoret e Arkivës, krahas pirgjeve me letra të shkrumbuara dhe të shkatërruara. Era e rëndë e zjarrit vijon të mbetet në ajër.
Protestat masive kundër varfërisë, korrupsionit dhe papunësisë filluan në qytetin verior të Tuzlës më 5 shkurt kur qindra punëtorë të pushuar nga puna nga shumë kompani të mëdha që qenë privatizuar dhe mbyllur dolën në rrugë.
Protestat u përhapën pas kësaj dhe u kthyen të dhunshme, gjë që solli sulme mbi ndërtesat publike në Tuzla, Zenica, Mostar dhe Sarajevë – përfshirë ndërtesën e Presidencës së Bosnjës, ku gjenden arkivat e shtetit.

Vetë zjarri vijoi për tri ditë. Detyra e parë qe zhvendosja e dosjeve nga dhomat ku kishte rënë zjarri, për shkak se tymi i pranishëm mund t’i dëmtonte dokumentet më shumë. Shumë dosje u lagën gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin.
Që ga ajo kohë, një skuadër me 19 njerëz ka punuar çdo ditë për të lexuar dhe për të hequr nga dosjet dokumentet që nuk qenë lagur dhe për t’i ndarë nga dokumentet që nuk mund të shpëtohen. Dokumentet e shpëtuara u paketuan sërish dhe u vendosën në kuti me etiketa.
Ndërkohë dokumentet e lagura u vendosën të thahen. Çdo faqe duhet të ndahet me punë të lodhshme për të shmangur rrezikun që të ngjiten apo grisen.
Me këtë ritëm, për shkak të buxhetit të vogël prej 150 mijë eurosh, restaurimi do të kërkojë pesë vjet – kohë tepër e gjatë për disa prej këtyre dokumenteve, thonë ekspertët.
Ndihmë financiare e pamjaftueshme
Një kërkesë për ndihmë iu dërgua qeverisë së Bosnjës menjëherë pas katastrofës por kjo kërkesë nuk ka marrë ende përgjigje, thotë drejtori i Arkivës, Dusan Vrzina.
“Qeveria nuk ka bërë ende asnjë premtim. Ne dërguam një raport mbi dëmet dhe po presim përgjigjet e tyre,” i tha ai Balkan Insight.
“Ne po shpresojmë që politikanët të na ndihmojnë dhe të kuptojnë rëndësinë e dokumenteve,” tha ai.

Pavarësisht dhuratave në natyrë dhe ndihmës nga organizatat ndërkombëtare, mungesa e parave, pajisjeve dhe hapësirës së punës në ndërtesën e Presidencës po pengon përpjekjet për rehabilitim.
“Problemi kryesor është hapësira. Unë mund të punoj në tavolinën time por bëhet pis,” thotë arkivistja Sandra Biletic. Ajo shtoi se për shkak se vetë Depoja Një po restaurohet, sipërfaqet e pastra ku mund të punohen janë shumë të pakta.
“Ky është mjeti ynë kyç i punës,” tha ajo duke bërë me shenjë nga një palë gërshërë.
Në procesin e të lexuarit të çdo faqeje të arkivës së dëmtuar, skuadra ka bërë disa zbulime personale interesante, gjë që theksojnë vlerën afatgjatë të arkivave për publikun.
“Unë mësova për shembull se katër bosnjakë qenë te Titaniku,” vëren Biletic. “Ka kaq shumë histori interesante këtu mbi popullin e Bosnjës.”
Një hap i vogël për të lehtësuar kushtet e mungesës së hapësirës në arkivë është bërë me ndihmën e Agjencisë Turke të Bashkëpunimit dhe Koordinimit, e cila po furnizon mobiljet për Depon Një.
Puna do të përfundojë së shpejti. Dy dhoma që kanë ende erën e bonjës së freskët do të japin më shumë hapësirë për vendosjen e dokumenteve.
Në gjashtë muajt e fundit, ekspertë kanë ardhur nga Italia, Sllovenia, Kroacia dhe vende të tjera për të ofruar rekomandime të specializuara për leximin dhe tharjen e dokumenteve.
“Këshilla qe shumë e vlefshme për shkak se herë pas here ne ndjeheshim të humbur,” thotë drejtori i Arkivës Vrzina. Ai shtoi se dhurata kanë ardhur nga Suedia, Republika e Çekisë dhe palë të tjera.
Politikanët nuk shqetësohen
Historiani Emir Filipovic, i Universitetit të Sarajevës, tha se mungesa e vullnetit politik për të mbështetur restaurimin e arkivave do të sjellë humbje të tjera të panevojshme të artefakteve të paçmueshme.
“Kërcënimi më i madh ndaj dokumenteve – shumë prej të cilave u lagën kur u fik zjarri – është krijimi i mykut,” thotë ai.
“Ai ushqehet me dokumentet dhe dëmton ato zona të dokumentit që përmbajnë bojë, duke i bërë të palexueshme dhe më të dobëta.”
Hapësira të tjera dhe para janë të nevojshme, thotë Filipovic, dhe arkivat duhet të zhvendosen gjetkë.
“Ato nuk duhet të qenë vendosur fare në ndërtesën [e Presidencës]. Çdo arkivë shteti duhet të gjendet në një ndërtesë tjetër me kushte të caktuara sa i përket nivelit të dritës, lagështirës e kështu me rradhë,” tha ai.
“Në disa shoqëri, [një zjarr] ka mjaftuar për të themeluar një ndërtesë të re dhe puna në këto raste zakonisht ka nisur brenda gjashtë muajsh nga rënia e zjarrit. Në Bosnjë, politikanët kanë prioritet tjetër,” tha ai.
Filipovic beson se mungesa e fondeve për këtë projekt është simptomatik për tendencën e përgjithshme të politikanëve për t’u përqendruar në interesat e tyre personale financiare më shumë se sa në ruajtjen e historisë së Bosnjës.
“Një nga mënyrat më të mira për të shkatërruar një popull është shkatërrimi i kulturës së tij,” tha ai. “Për mua, kjo duket sikur është një përpjekje e orkestruar për të fshirë historinë e shtetit dhe shoqërisë.”