Disa qindra policë boshnjakë kryen një seri mësymjesh kudo në vend dhe arrestuan 16 persona të dyshuar për përfshirje në rekrutimin e luftëtarëve islamik për konfliktet në Siri dhe Irak.
Oficerë nga Agjencia Shtetërore Boshnjake e Hetimit dhe Mbrojtjes, SIPA, arrestuan të mërkurën rekrutuesit e dyshuar të xhihadit gjatë valës së mësymjeve në Sarajevë, Kiseljak, Zenica, Magaj, Srebrenik, Zvornik, Buzim dhe Teslic në operacionin e quajtur Damask.
“Të dyshuarit po mbahen për lidhje me financimin, organizimin dhe rekrutimin e qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës, me qëllim dërgimin në Siri dhe Irak dhe pjesëmarrjen në konfliktet e armatosura atje, duke luftuar krah grupeve dhe organizatave terroriste radikale,” tha SIPA në një deklaratë.
Disa media në Bosnje raportuan se mes të arrestuarve ishte edhe Husein Bilal Bosnic, i konsideruar si një prej drejtuesve të komunitetit Wahhabi në Bosnje-Hercegovinë, po ashtu edhe Hamdo Fojnica, i dyshuar si babai i Emrah Fojnica, i cili u raportua i vdekur së fundmi në Irak.
Emrah Fojnica është arrestuar edhe më parë për lidhje me një sulm në Ambasadën Amerikane në Sarajevë tre vite më herët, por atëherë u lirua për mungesë provash ndaj tij.
Zyra e Prokurorit të Bosnjës tha të mërkurën se forca të ndryshme vendase punuan së bashku për operacionin Damask.
“Nën mbikëqyrjen e prokurorit, disa qindra oficerë policie në terren, ndërmorën veprime në bashkëpunim me SIPA, Agjencinë e Sigurisë së Inteligjencës, Ministrinë e Brendshme të Republikës Srpska, policinë e Distriktit Brcko, Policinë Federale dhe ministritë e brendshme kantonale,” tha prokurori në një deklaratë.
“Gjithashtu në këtë rast u arrit edhe bashkëpunimi ndërkombëtar i nevojshëm,” u shtua në fjalën e prokurorit.