
Ligji i ri për të drejtën e informimit, i cili u aprovua në parlament pak javë më parë, mund të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme qasjen në dokumentet dhe të dhënat zyrtare, thonë ekspertët.

Dorian Matlija, jurist në qendrën Res Publica në Tiranë, dhe autor i një komentari mbi ligjin, shprehet se projektligji i kaluar në parlament në 18 shtator do të mundësojë akses të shpejtë dhe cilësor në të dhënat dhe dokumentet zyrtare.
Matlija nënvizon që ky ligj për të drejtën e informimit për herë të parë mundëson afate të shkurtra dhe dinamike, ngritjen e një institucioni që do trajtojë ankesat dhe vendosjen e gjobave për zyrtarët që refuzojnë t’i përgjigjen kërkesave për informacion.
Ligji përfshin dhe disa koncepte të reja si rishikimin e klasifikimit të dokumenteve sekrete, marrjen e informacionit në mënyrë të pjesshme, atje kur nuk mund të jepet i plotë, dhe mbi të gjitha do të mundësojë një përdorim maksimal të teknologjisë së informacionit.
“Kjo është një armë që tani duhet ta kthejmë nga fabrikuesit i tij për ta përmirësuar atë [qeverinë],” tha Matlija.
Ligji i ri, i cili anulon ligjin për të drejtën e informimit të aprovuar në vitin 1999, u hartua nga Ministra e Drejtësisë në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur në Shqipëri, Soros.
Sipas Gent Ibrahimit, një ekspert ligjor i cili mori pjesë në procesin e hartimit të ligjit, ky i fundit fut koncepte të reja për përgjegjësinë personale në procesin e vendimmarrjes së zyrtarëve publik, çka është një risi për legjislacionin shqiptar.
“Kultura jonë ligjore është e tillë që zyrtarët zbatojnë atë çfarë përcaktohet saktë dhe ky ligj e sjell këtë,” tha Ibrahimi gjatë prezantimit të komentarit këtë të martë në Tiranë. “Sanksionet në ligj janë për herë të parë në legjislacionin shqiptare,” shtoi ai.
Ligji i detyron institucionet publike shqiptare të emërojnë një koordinator për aksesin në informim dhe krijon institucionin e komisionerit të së drejtës së informimit.
Megjithëse ligji ka përmirësime të ndjeshme nga ai paraardhës, i cili shpesh është injoruar nga institucionet shqiptare, Matlija paralajmëron se media dhe shoqëria civile nuk duhet të ulin vigjilencën dhe duhet të monitorojnë zbatimin e tij.
“Shoqëria civile jo vetëm që mund të vendosë në test institucionet me këtë ligj, por mbi të gjitha mund të ushtrojë kërkimin e llogarisë,” tha ai.
“Ky ligj me të vërtet parashikon sanksione, por në qoftë se nuk monitorohet nga shoqëria civile, atëherë, shteti mund te mos e bëj detyrën mirë,” shtoi Matlija.