Ndërsa vendet e tjera të BE janë vënë në garë për të përmbushur standardet e BE-së lidhur me energjinë e rinovueshme, Kroacia po ngadalëson zhvillimin e tyre me vendosjen e kuotave jorealiste dhe pengesave burokratike.
Me erën e fortë dhe ditët me diell, bregdeti i Mesdheut përfaqëson një pikënisje të mirë për zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme në Kroaci. Megjithatë, vendi duket se ka ngelur pas partnerëve të tij të BE-së në shfrytëzimin e këtij potenciali.
Ndërsa çështjet mjedisore fitojnë gjithmonë e më shumë vëmendje dhe çmimet e energjisë, sidomos ato të lëndëve djegëse fosile, sa vijnë dhe rriten me vështirësitë për sigurimin e tyre, BE po fokusohet përherë dhe më shumë në zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.
Pavarësisht se shumica e këtyre burimeve varen nga faktorë të jashtëm, të tillë si dielli dhe era, ato janë miqësore ndaj mjedisit dhe kanë si përparësi pavarësinë nga tregu i pasigurt i lëndëve djegëse fosile, i cili mund të shënojë çmime edhe më të larta në vitet e ardhshme.
Bazuar në këtë situatë, Komisioni Europian filloi një proces tranzicioni në sektorin e energjisë në vitin 2007 përmes hartimit të një plani veprimi për zbatimin e tij. Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës miratuan në vitin 2009 një direktivë të BE-së mbi këtë çështje në vitin 2009.
Kjo direktivë është e mirënjohur për vendosjen e standardit “20-20-20”– 20 për qind më pak emetim i gazrave serë, 20 për qind përmirësim në eficencën e energjisë dhe 20 për qind e energjisë e prodhuar nga burimet e rinovueshme – deri në vitin 2020, në të gjithë vendet e BE-së.
Atë vit, Vendimi i Komisionit Europian 2009/548/EC miratoi një format për Planet Kombëtare të Veprimt mbi Energjinë e Rinovueshme nën këtë direktivë.
Kroacia e përkrahu këtë qasje alternative përpara se të bëhej anëtare e BE-së në Korrik 2013, duke miratuar një Strategji për Zhvillimin Energjetik, e cila përshkruante se si vendi duhet të investonte në sektorin energjetik dhe drejtimin e zhvillimit të tij deri në vitin 2020.
Ministria e Ekonomisë hartoi një plan kombëtar veprimi për burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2020, i cili u miratua në vitin 2013.
Këto dokumente e detyronin Kroacinë të përmbushte standardin 20-20-20, duke premtuar prodhimin e 35 për qind të elektricitetit nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2020.
Masat e planifikuara në këtë drejtim përfshijnë zhvillim të mëtejshëm të hidrocentraleve, sidomos atyre të mëdhenj me fuqi mbi 10 MW.
Të tjera burime të rinovueshme përfshijnë erën, energjinë diellore, dallgët dhe biomasën. Me përjashtim të biomasës, të gjitha burimet varen nga faktorët e jashtëm dhe janë të variushëm, por në aspektin ekologjik ato janë më të favorshmet.
Për më shumë, biomasa dhe panelet diellore mund të përdoren lehtësisht në jetën e përditshme familjare. Nëse flasim vetëm për nevojat familjare, një investim në panele diellore prej 1,200 euro mund të prodhojë rreth 30 për qind të konsumit mesatar vjetor të elektricitetit për një familje.
Tre H-të e mëdha:
Megjithatë, problemet e mëdha nisin atëherë kur një konsumator do të kthehet njëkohësisht dhe në prodhues dhe dërgon pas në rrjet sasinë e tepërt të elektricitetit të prodhuar.
Drejtuesi i organizatës mjedisore ‘Eko Kvarner’, Vjeran Pirsic, tha se shkaku kryesor i problemeve në këtë fushë ishte numri i madh i rregulloreve dhe akteve nënligjore të miratuar nga “famëkeqet tre H-të”, siç i quan ai.
Ato janë Kompania Elektrike, HEP, Regullatori i Tregut të Energjisë, HROTE dhe Agjencia Regullatore e Enegjisë, HERA.
Sipas Pirsic, nëse dikush dëshiron të shesë tek HEP energjinë e tepërt elektrike të prodhuar nga panelet diellore, ata bien pre e ngërç administrativ. Deri vonë, dokumentacioni i kërkuar për këtë i kalonte të 60 faqet, thotë ai.
“Ti ke nevojë gjithashtu për një dokument mbi projektin kapital, i cili i vetëm kushton disa qindra euro, duke e bërë investimin shumë më të kushtueshëm,” shtoi Pirsic, duke e krahasuar ironikisht me “hapjen e një centrali bërthamor”.
Pirsic beson se grupimet e arkitektëve po punojnë për të mbajtur në fuqi këto procedura të zgjatura të dokumentimit të projektit, duke qenë se ai gjeneron të ardhura për këtë sektor që është tronditur nga kriza ekonomike.
Fakti që dokumentacioni për projektin kapital nuk ka qenë i detyrueshëm gjatë viteve të kaluara, por u vendos si i tillë vetëm më vonë, i bën më të besueshme këto dyshime.
Drejtuesi i Shoqatës Kroate të Ekspertëve për Energjinë Diellore, profesori i universitetit Ljubomir Majdandzic, bie dakord se burokracia është shumë kohë-shpenzuese dhe e kushtueshme.
“Tashmë procedura është shkurtuar pakëz, rreth 40 faqe, por sërish është shumë e gjatë. Dokumentet kërkohen nga rrethet dhe komunat, nga HEP, HROTE dhe HERA,” thotë Majdandzic për BIRN, duke pohuar se procedura mund të marrë deri në pesë muaj.
“Rreth 10 deri 15 për qind e investimit shkon vetëm për mbulimin e kostove administrative, të cilat janë shumë të kushtueshme,” tha Majdandzic.
Kërkesa për studime fizibiliteti, certifikata, njëjësime notare dhe dokumente të tjera “shkon kundër rekomandimeve të BE-së për procedura të thjeshtëzuara”, shtoi Majdandzic.
Zvogëlim i kuotës teksa rritet kërkesa:
Detyra më e rëndësishme e HROTE është të përcaktojë kuotën vjetore të energjisë elektrike në MW të krijuar nga panelet diellore që duhet të merret nga prodhuesit privatë, duke vendosur si detyrim miratimin paraprak të instalimit të sistemit të panelit diellor.
Kroacia ka përcaktuar kuotën e 12 MW për vitin 2014, e cila është më e vogël se ajo e planifikuar për vitin 2013.
Pirsic thotë se kjo është një sasi shumë e vogël energjie, e barabartë me sasinë e energjisë solare që Gjermania e prodhon brenda një dite ndërsa Belgjika brenda një jave – të dyja këto vende me shumë më pak diell se Kroacia.
Me sa duket, kjo kuotë plotësohet shumë shpejt, teksa kërkesa për panele diellore në Kroaci sa vjen dhe rritet, dhe për këtë arsye Majdandzic ngre pikëpyetje pse kuota për vitin 2014 nuk u shtua në vend që të zvogëlohej.
“Prisja që ajo të mbahej të paktën në nivele të njëjta, nëse nuk do të shtohej,” komentoi Majdancic, duke theksuar se Kroacia është vendi i fundit ndër ato të BE-së për numrin e paneleve diellore për person.
“Sllovenia ka 300 MW [energji elektrike të krijuar nga panelet diellore], ndërsa Kroacia ka 30 MW, pavarësisht se ka shumë më shumë diell se Sllovenia,” vërejti Majdandzic.
HROTE është kritikuar për zvogëlimin e kuotës së energjisë diellore për vitin 2014, në një kohë kur kërkesa dhe interesimi publik për të janë në rritje.
Në një rast, kryetari i bordit të HROTE Ivor Zupanic u përgjigj se “pavarësisht se energjia diellore është falas, transformimi i energjisë diellore në elektricitet është shumë i kushtueshëm”. Kostot për nxitjen e zhvillimit në fushën e energjisë diellore do të rrisnin faturat e energjisë elektrike për individët, paralajmëroi ai.
Jo një problem teknologjie:
Rëndësia e burimeve të rinovueshme të energjisë është një ndër temat më të diskutuara të qarqet akademike, si dhe mes publikut të gjerë.
Shumë shkencëtarë nga fusha e ingjinierisë dhe ekologjisë janë duke punuar për zhvillimin e mekanizmave të të ardhmes dhe po diskutojnë tranzicionin nga lëndët djegëse fosile tek energjia e rinovueshme.
Një prej tyre është dhe asistent profesori i Fakultetit të Inxhinjerisë mekanike dhe Arkitekturës Navale në Zagreb, Goran Krajacic.
Në një nga punimet e tij në vitin 2012, ai shkruante mbi “rolin e ruajtjes/magazinimit së energjisë në planifikimin e sistemeve të energjisë 100 përqind të rinovueshme”, në të cilin ai diskutonte mundësitë e Kroacisë për një tranzicion energjitik.
“Skenari im ishte mbi transformimin e Kroacisë në 100 për qind energji të rinovueshme deri në vitin 2050, dhe ai më pak ambicioz, në 80 për qind deri në 2035-2040,” tha Krajacic, duke shpjeguar se ai 20 përqindëshi i fundit ishte dhe ai më i vështiri për t’u arritur.
Si në shumicën e rasteve, problem kryesor janë paratë. “Kjo është një çështje ekonomike, e mundësive financiare, jo teknologjisë. Në aspektin e teknologjisë, kjo mund të arrihet dhe nesër,” tha ai.
Në punimin e tij shkencor, Krajacic ndërmori një analizë krahasuese me sistemin energjetik të Portugalisë, duke analizuar politikat dhe inovacionet. Ai rendit sistemin danez si një ndër më të avancuarit në këtë drejtim.
Danimarka është një vend pak më i vogël se Kroacia, por me një popullsi pak më të madhe. Por ajo ka gjithashtu dhe mundësi shumë më të mëdha financimi dhe si rrjedhojë ka ndërmarrë një plan shumë më ambicioz lidhur me tranzicionin nga lëndët djegëse fosile.
Duke prodhuar tashmë rreth 43 për qind të energjisë së saj nga burime të rinovueshme, Danimarka planifikon të arrijë nivelin e 70 për qindëshit deri në vitin 2020 dhe 100 për qindëshin deri në 2050, periudhë në të cilën do e braktisë një herë e mirë përdorimin e qymyrit, naftës dhe gazit.
Nga ana tjetër, i vetmi avantazh i Portugalisë në zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë është pozicioni i saj gjeografik dhe kushtet klimaterike, duke qenë se recensioni ka lënë pasoja të rënda në ekonominë e vendit.
Si një nga vendet më jugore dhe më me diell të BE-së, me shumë erë dhe fuqi ujore për shkak të Oqeanit Atlantik dhe lumit Tagus, Portugalia ka një potencial të mahnitshëm për stacione të energjisë fotovoltaike, ferma me mullinj me erë, stacione të shfrytëzimit të dallgëve dhe hidrocentrale.
Portugalia e ka nisur tranzicionin e saj energjetik në vitin 2004, duke e trefishuar potencialin e saj deri në vitin 2009 dhe duke arritur kuotën e 58.3 për qind gjatë 2013.
Nga janari i këtij viti, 91 për qind e të gjithë energjisë në përdorim në Portugali është prodhuar nga burime të rinovueshme, pavarësisht se ky ishte rezultat dhe i një moti me re dhe shihra, duke qënë se 86 për qind e saj erdhi nga hidrocentralet dhe mullinjtë e erës. Sërish, këtu ka shumë vend për optimizëm.
Pse jo dhe Kroacia?
Në punimin e tij, Krajacic nënvizon faktin se edhe Kroacia është e favorizuar nga pozita e saj gjeografike dhe klima.
“Në Kontenë e Dubrovnik-Neretva [rajoni më jugor i bregdetit] çdo banesë mund të përdorë energji ‘pozitive’ dhe të jetë e pavarur përgjatë gjithë vitit duke përdorur panelet diellore,” vëren Krajacic.
Për më shumë, ai shpjegon se kjo konte tashmë e prodhon të gjithë energjinë e saj nga burime të rinovueshme – nga hidrocentrale dhe ferma me mullinj me erë.
Sipas Krajacic, ndërsa HEP pretendon se 75 për qind e energjisë elektrike në Kroaci vjen nga burimet e rinovueshme, institucioni harron të theksojë se shumica e tij vjen nga hidrocentrale të mëdha, të cilat kanë gjithashtu pasoja për mjedisin, dhe të cilët janë ndërtuar përpara viteve ‘80.
Për më shumë, Krajacic thotë se keqperceptimi më i madh i HEP është se ky nivel është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për zhvillime të mëtejshme të burimeve të rinovueshme.
Kur vjen fjala në përdorimin e potencialit të paneleve diellore, Krajacic thotë se zonat bregdetare të Kroacisë dhe ato në afërsi të tyre mund të bëhen 100 për qind të pavarura energjetikisht në sajë të burimeve të rinovueshme.
“Çdo banesë përdor pak mijëra kWh në vit dhe i tërë ishulli i Mljet [me 1,088 banorë] ka nevojë për vetëm 10,000 metra katrorë panele diellore që të gjitha banesat të bëhen energjetikisht të pavarura,” vë në dukje Krajacic.
Kur bie fjala tek potenciali i erës, e pashfrytëzuar nga Kroacia, Krajacic shpjegon se që nga viti 2004 dhe deri pak kohë më parë, fermat e mullinjve me erë ishin të ndaluara në ishujt kroatë, me përjashtim të vetëm ato në ishullin Pag.
Vetëm pak kohë më parë ky ligj u modifikua, duke lejuar ndërtimin e tyre vetëm në fashën mbi një kilometër larg detit, në mënyrë që të ruhet e paprekur riviera dhe ishujt.
“Ky hezitim për ndërtimin e fermave të energjisë në ishuj vjen si rezultat i frikës nga mbi-ndërtimi,” thotë Krajacic, duke shtuar se nëse ato do ishin pronë e komuniteteve lokale, ato do ishin më të pranueshme nga vendasit.
Për më shumë, ndalimi i tyre që nga viti 2004 ka kufizuar në mënyrë të dukshme të ardhurat për komunitet lokale që vazhdojnë të varen vetëm nga turizmi dhe peshkimi.
Mungesa e vizionit nga HEP dhe qeveria kroate dallohet jo vetëm nga mospërdorimi i potencialit të erës dhe diellit, por gjithashtu reflektohet në Strategjinë e tyre mbi Zhvillimin Energjitik, e cila është e prapambetur sipas Krajacic dhe Pirsic, sepse bazohet në parashikimet mbi rritje të konsumit, çka nuk po ndodh në realitet.
Sipas Pirsic, Kroacisë i mungon tërësisht “një plan veprimi kombëtar për kalimin nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile në burime të energjisë së rinovueshme”. Sipas tij, çdo vend i mirëorganizuar duhet të planifikojë se si të përdorë sa më mirë potencialin e tij nga era dhe dielli.
Prioriteti i bregdetit kroat është ndërkohë zhvillimi në terma energjetik dhe infrastrukturorë, por pa dëmtuar mjedisin.
Pirsic e përshkruan këtë si një plus drejt përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, duke qënë se turistët tërhiqen më shumë nga zona të mirë-konservuara nga ana mjedisore.
“Këto burime të rinovueshme të energjisë mund të shfrytëzohen për të ‘rigjallëruar’ turizmin kroat si miqësor ndaj mjedisit,” vëren Pirsic.
Ai pretendon se rreth 60 për qind e hoteleve në bregdet vazhdojnë të përdorin naftën për ngrohjen e ujit, ose të ambienteve gjatë pranverës dhe vjeshtës.
“Një hotel në Dalmaci harxhon mbi 280 mijë euro në vit për naftën, 90 për qind të së cilës për ujë të ngrohtë dhe ngrohje,” thotë ai.
“Nëse ata investojnë gjysmat e tyre në panele diellore, investimi do iu kthehet brenda 10 viteve, duke u ofruar energji falas pas kësaj periudhe,” përfundon Pirsic.