Vladimir Putin do të përdorë vizitën e ardhshme në Serbi për të treguar vijimin e ndikimit të Rusisë në Europën Lindore, thonë ekspertët.
Serbia po përgatit qilimin e kuq për të mikpritur presidentin e Rusisë Vladimir Putin më 16 tetor, duke premtuar edhe një paradë ushtarake me përmasa të papara prej shumë dekadash.
Vizita e Putinit dhe parada bëjnë pjesë në festimet për 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi Nazist.
“Presidenti Putin po vjen si një përfaqësues i ushtrisë që mori pjesë në çlirimin e Beogradit,” tha Milovan Drecun, një nga organizatorët e paradës, duke rikujtuar rolin kyç të Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik në vitin 1944. “Ne kemi ftuar gjithashtu veteranë nga vende të tjera aleate,” shtoi ai.
Ekspertët besojnë se Putini po përdor 70 vjetorin për të konsoliduar ndikimin e Rusisë mbi Serbinë, ku qeveria po përpiqet të balancojë lidhjet tradicionale me Rusinë Sllave me aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Serbia, ndërkohë, ka axhendën e vet. Ajo dëshiron t’i dërgojë Europës një mesazh se përbën një alternativë ndaj rrugës së integrimit Europian, në mënyrë që të përmirësojë pozicionin e vet negociues me Brukselin.
Serbia është një nga vendet e pakta Europiane që nuk ka vendosur sanksione mbi Rusinë në përgjigje të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës.
Beogradi ka mbajtur një pozicion neutral në këtë mosmarrëveshje, ndërsa ka rikonfirmuar se respekton integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë sovranitetin e saj mbi Krimenë.
Putini do të vizitojë Beogradin më 16 tetor me ftesë të presidentit të Serbisë Tomislav Nikolic.
“Bisedimet me Tomislav Nikolic dhe me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vucic do të përqendrohen në çështje kyçe të bashkëpunimit dypalësh, kryesisht në tregti dhe ekonomi,” njoftoi zyra e Putinit.
Natyra e profilit të lartë të kësaj vizite ka ngritur shumë pikëpyetje mes diplomatëve. Michael Kirby, ambasadori i SHBA-së në Serbi, u ankua se qëllimi i vizitës mbetet i paqartë.
“Pse po vjen? Për të marrë pjesë në festimet për çlirimin e Beogradit? Beogradi u çlirua gjithashtu nga Ushtria e Tretë Ukrainase, si pjesë e Ushtrisë së Kuqe,” tha diplomati në mes të shtatorit.
“Nëse Putini është ftuar, a janë ftuar edhe të tjerët që morën pjesë në çlirimin [e Beogradit] të ftuar?” shtpi Kirby.
Një burim nga Bashkimi Europian i tha BIRN se çështjet kryesore të bisedimeve mes Putinit dhe Beogradit do të përfshijnë gazsjellësin e Rrymës së Jugut dhe eksportet ushqimore të Serbisë në Rusi.
Pasi Kremlini ndaloi importet e ushqimeve nga Bashkimi Europian në përgjigje të sanksioneve perëndimore, prodhuesit e Serbisë panë një mundësi të re për të vendosur produktet e tyre në tregun rus.
Gjithsesi, Brukseli paralajmëroi pas kësaj Serbinë, si një vend kandidat për në BE të mos “shfrytëzojë mundësitë e reja tregtare të krijuara nga vendosja e këture masave [ruse]”.
Brukseli ka vendosur gjithashtu nën presion Beogradin për të hequr dorë nga plani për të marrë pjesë në gazsjellësin e Rrymës së Jugut, një projekt rus për eksporte gazi.
BE-ja thotë se Rryma e Jugut nuk po ndërtohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, të cilat Serbia duhet t’i ndjekë si një vend kandidat. Brukseli dëshiron gjithashtu të ulë varësinë e Europës nga energjia e Rusisë.
Gjithsesi, një burim nga BE i tha BIRN se qeveria e Serbisë po përpiqet ende të përdorë përplasjet aktuale mes Rusisë dhe Europës për përfitime të vetat.
Vizita me siguri që do të fuqizojë popullaritetin e qeverisë mes serbëve të zakonshëm, shumica prej të cilëve e pëlqejnë Rusinë si një aleat historik. Kjo mund të përdoret edhe për të përmirësuar pozicionin negociues të Serbisë përballë BE-së.
Eksportet ushqimore do të jenë vetëm një çështje minore në axhendë, vërejti burimi nga BE. “Serbia nuk mund të prodhojë mjaftueshëm ushqime për të qenë i rëndësishëm në tregun e Rusisë,” shtoi burimi.
“Ajo që dëshiron Putini të tregojë është se pushteti i tij shtrihet edhe më tutje se sa Ukraina. Vizita e tij është demonstrimi i fuqisë së tij në Europën Juglindore. “Ai dëshiron të shohë se Rusia mund të shqetësojë Ballkanin,” shtoi burimi.
Bosko Jaksic, një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se vizita vjen në një kohë kur si Brukseli ashtu edhe Moska po i bëjnë presion Serbisë të kalojë nga ana e tyre.
“Si Rusia ashtu edhe vendet Perëndimore tashmë po përpiqen të sjellin aleatët e tyre më pranë vijës së tyre. Interesi i Rusisë tashmë është të konfirmojë ndikimin e vet mbi Europën Juglindore,” tha Jaksic për BIRN.
“Neutraliteti aktual i Serbisë mbi Ukrainën i jep përfitime Rusisë, jo BE-së,” shtoi Jaksic.
Jelena Milic, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euro-Atlantike, CEAS, një institucion kërkimor, tha se dyshonte që vizita e Putinit në Beograd qe ide e Serbisë.
“Besoj se rusët ftuan vetveten. Ata dëshirojnë të testojnë pozicionin dhe rëndësinë e tyre në Serbi,” tha Milic.
“Parada përfundimisht u shpall pasi Putini konfirmoi vizitën. Festimet janë thjeshtë një justifikim,” shtoi ajo. “Ato do të tërheqin vëmendjen nga fakti që brenda vetëm një javë, Serbia ka hedhur tri hapa të rëndësishme duke thelluar lidhjet me PErëndimin.”
Njëri erdhi më 25 shtator, kur Serbia njoftoi se do të firmosë një Plan Veprimi individual Partneriteti si pjesë e programit Partneritet për Paqe PfP mes Serbisë dhe NATO-s.
Programi PfP është hapi i parë drejt anëtarësisë në Nato.
Aleksandar Vucic, kryeministri, siguroi gjithashtu Uashingtonin për mbështetjen e tij të plotë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.
Në fund, duke u përkulur përballë presionit nga BE-ja mbi këtë çështje, më 28 shtator, Sebria siguroi edhe Paradën e parë të Krenarisë Gej në Beograd pas shumë vitesh.
“Këto tre gjëra në mënyrë domethënëse kanë distancuar më tej Serbinë nga regjimi i Rusisë,” vëren Milic.