Një nga fituesit e çmimit Nobel të kimisë, Stefan Hell është një shkencëtar gjerman i lindur në Rumani.
Stefan Hell, krahas shkencëtarëve amerikanë Eric Betzig dhe William Moerner, fituan të mërkurën Çmimin Nobel për zhvillimin e një mikroskopi me rezolucion super të lartë.
Falë arritjeve të tyre, mikroskopët tashmë mund të shikojnë në “botën nano,” sipas komitetit të Çmimit Nobel.
I lindur më 1962 në Arad, Rumania perëndimore, Hell u largua nga vendi më 1978 dhe u vendos në Gjermani bashkë me familjen e tij. Hell është tashmë drejtor te Instituti Max Planxk për Kiminë Biofizike në Gotingen të Gjermanisë dhe kreu i divizionit në Qendrën Kërkimore të Kancerit në Heidelberg.
Ai ka PhD nga Universiteti i Heidelbergut. Ai është edhe anëtar nderi i Akademisë së Rumanisë.
Mihnea Costoiu, ministri i Rumanisë për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor tha se çmimi qe “një lajm i madh” për Rumaninë.
“Natyrisht, Hell është produkt i shkollës dhe shkencës së Gjermanisë, por ne jemi të lumtur gjithashtu për shkak se një pjesë e kërkimit të tij është kryer në bashkëpunim me shkencëtarët e Rumanisë,” shtoi ministri.
Çmimi Nobel përbën një obsesion popullor në Rumani. Diskutimet mbi faktin se “sa larg jemi ne nga Çmimi Nobel” në këtë apo atë fushë, shfaqen herë pas here në media çdo tetor, në një kombinim të pasigurisë me krenarinë.
Deri tani, asnjë nënshtetas rumun nuk e ka fituar kurrë çmimin Nobel. Gjithsesi, ka katër nobelistë të lindur në Rumani, përfshirë Hell.
Shkencëtari amerikan George Palade fitoi çmimin Nobel në Mjekësi më 1974, Ellie Ëiesel, gjithashtu për SHBA-në, fitoi çmim Nobel për paqe më 1986 ndërsa Herta Muller e Gjermanisë mori çmimin e Letërsisë më 2009.
Siuata është e ngjashme në të gjitha vendet e Ballkanit, ku fituesit e çmimeve Nobel shpesh kanë identitete komplekse. Shkencëtari Vladimir Prelog pati lindur në Sarajevë me prindër me origjinë kroate dhe fitoi çmimin Nobel në Kimi më 1975 për punën e kryer më së shumti në Zvicër.
Leopold Ružička, shkencëtar i lindur në Kroaci fitoi çmimin Nobel në Kimi por punoi shumicën dërrmuese të jetës së tij në Zvicër.
Shkrimtari jugosllav Ivo Andric, i cili fitoi çmimin Nobel në Letërsi më 1961, pretendohet njëkohësisht nga Serbia dhe Bosnja.
Elias Canetti, gjithashtu Nobelist në Letërsi më 1981, pati lindur në Bullgari por shkroi më së shumti në gjermanisht dhe qe nënshtetas britanik kur fitoi çmimin.
Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Nënë Tereza e Kalkutës, pati lindur në vitin 1910 në Shkup, në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane, kaloi shumicën e jetës në Indi por qe shqiptare. Nënë Tereza e fitoi çmimin Nobel më 1979.
Ferid Murati, shkencëtari amerikan që fitoi çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1998 me origjinë shqiptare.