Shoqata e medias thotë se lufta për lirinë e medias ‘në rrugë’ nuk është efikase, ndaj lufta duhet të vazhdojë tjetërkund.
Vukasin Obradovic, kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, NUNS, thotë se protestat publike janë një “formë e vjetruar rebelimi”, dhe se mediat tashmë duhet për të luftojnë “me armë të tjera”, duke filluar me një debat në parlament mbi kërcënim nga censura.
Pas disa protestave publike shkaktuar nga anulimi i emisionit televiziv politik “Utisak Nedelje”, gjithnjë e më shumë gazetarë janë bindur se liria e medias nuk mund të mbrohet “në rrugë”.
Në vend të kësaj, thonë ata, është e nevojshme nisja e një dialogu me institucionet shtetërore në të njëjtën kohë me fuqizimin e gazetarëve për t’i rezistuar më mirë presioneve për censurë dhe vetë-censurë.
Mediat serbe dhe organizatat ndërkombëtare, si OSBE-ja, kanë kohë që kanë dhënë alarmin për rritjen e censurës dhe vetë-censurës në Serbi.
Një valë e re pakënaqësie në mesin e gazetarëve shpërtheu kur transmetuesi kombëtar B92 vendosi të ndërpresë emisionin e debatit politik, “Utisak Nedelje”, në shtator.
B92 tha se kishte anuluar emisionin si pjesë e vendimit për t’u përqendruar më shumë në emisione argëtuese dhe programe komerciale.
Megjithatë, ideatorja dhe drejtuesja e emisionit, Olja Beçkoviç, fajësoi kryeministrin Aleksandër Vuçiç për mbylljen e programit të saj 24-vjeçar. Vuçiç mohoi çdo përfshirje në këtë çështje.
Pas vendimit të B92, gazetarë, aktivistë dhe politikanë u bashkuan në dy protesta të mbajtura para ndërtesës së stacionit televiziv.
Një sondazh i kryer nga një fondacion i shquar gjerman në shtator tregon se gazetarët mendojnë se ka një nivel të lartë të censurës dhe mungesë të objektivitetit në median serbe.
Më shumë se 90 për qind e gazetarëve të cilët morën pjesë në studim, botuar të hënën nga Konrad Adenauer Stiftung, ranë dakord se censura dhe vetë-censura ishin të pranishëm në media.
Shumica e gazetarëve, 73 për qind, ka thënë se mediat serbe nuk raportojnë në mënyrë objektive, ndërsa 95 për qind ranë dakord se raportimi mediatik nuk ishte kritik ndaj çështjeve. Nëntëdhjetë për qind thanë se media nuk ishte analitike.
Bosko Jaksiç, një gazetar dhe redaktor, beson se gazetarët duhet të fillojnë luftën në dy fronte.
Ata duhet të fillojnë një dialog me institucionet shtetërore dhe në të njëjtën kohë të fuqizojnë gazetarët për të luftuar censurën, vetë-censurën dhe shkeljen e standardeve profesionale, tha ai.
“Një mënyrë është që media të ftojë institucionet shtetërore që të fillojnë një dialog të hapur. Kjo është e rëndësishme sepse … institucionet shtetërore janë organet që duhet të vënë në zbatim transparencën mbi pronësinë e medias, e cila është një çështje e rëndësishme,” tha ai.
“Qeveria është gjithashtu ajo që po krijon atmosferën në të cilën vetë-censura rritet,” shtoi Jaksiç.
Megjithatë, ai beson se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi vetë gazetarët.
“Gazetarët kanë rolin e tyre në çdo marrëdhënie që krijohet mes shtetit dhe medias,” vuri në dukje ai. “Liria duhet të fitohet dhe shumë prej tyre [gazetarëve] nuk janë të gatshëm për këtë luftë,” vazhdoi Jaksiç.
Një problem tjetër është se profesionistët e mediave serbe janë të ndarë mes disa shoqatave dhe sindikatave duke u polarizuar.
Një mënyrë e mundshme për të fuqizuar profesionin është që gazetarët të përfshijnë norma të rrepta etike dhe të dënojnë vetë ata që i shkelin normat, thekson Jaksiç.
“Në këtë mënyrë, ne mund të formojnë një front të bashkuar që do të mund t’i rezistojë këtyre presioneve dhe që do të ketë një zë më të fuqishëm,” argumentoi ai.
NUNS ka filluar tashmë të kontaktojë institucionet shtetërore. Shoqata ka paraqitur një kërkesë për dëgjesë publike mbi lirinë e medias komitetit parlamentar të Kulturës dhe Informacionit, të mbështetur dhe nga një peticion të nënshkruar nga rreth 2,000 persona.
Kreu i shoqatës, Obradoviç, tha për BIRN-in se qëllimi I kësaj kërkese është për të hapur një debat në parlament në mënyrë që publiku të angazhohen më mirë në këtë çështje.
Gazetarët dhe ekspertët e medias thonë se publiku ka një interes të madh që media të lejohet të bëjë punën e saj lirisht dhe në mënyrë korrekte.
“Mediat e mëdha shumë shpejt do të kuptojnë vlerën e besimit të lexuesve të tyre. Ata që luajnë me këtë besim, do të humbasin,” I tha Snjezana Milivojeviç, një analiste e mediave, të përjavshmes NIN.
Ajo shtoi se ndërsa askush nuk i kundërshton të drejtat e pronarëve të mediave private, ata gjithashtu kanë dhe detyrime.
Të drejtat e pronarëve të mediave janë të kufizuara nga fakti se mediat nuk janë vetëm biznese me qëllime komerciale, por edhe institucionet publike, vuri në dukje ajo.
“Për shembull, pronarët e universitetit privat … nuk mund të lëshojnë diploma doktorature për këdo. Edhe në media ka detyrime lidhur me shërbimin publik që ato ofrojnë.”
“Natyrisht, pronarët e mediave mund të vendosin politikat e tyre të biznesit, por të drejtat e tyre mbi gazetarinë janë të kufizuara.”
“Media nuk quhet shtylla e katërt e demokracisë … sepse ajo sjell fitime për pronarët e saj, por për shkak se luan një rol të rëndësishëm shoqëror,” përfundoi ajo.