
Një hidrocentral i ndërtuar në lumin e Lengaricës prej kompanisë austriake Enso Hydro dhe me financim të IFC-së, kërcënon me shkatërrim kanionin e njohur, në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe rregullat mjedisore të Bankës Botërore.

Kamionët e tonazhit të rëndë dhe makineritë që gërryejnë tokën për ndërtimin e një hidrocentrali në lumin e Lengaricës në Përmet, rajon jugor i Shqipërisë pranë kufirit me Greqinë, duken si përbindësha të huaj në mes të një peisazhi natyror të paprekur.
I gjendur në zemër të parkut kombëtar Hotovë-Dangëlli, lumi çan përmes kanionin 4 kilometra të gjatë prej shkëmbinjsh gëlqerorë dhe rrethohet nga një seri burimesh me ujëra termale, të njohura për aftësitë e tyre kuruese. Një urë e shekullit të 17-të çel rrugën për tek kanioni dhe gërsheton në një hapësirë të ngushtë ansamblin e monumenteve natyrore dhe kulturore, të mbrojtura nga ligji.
Por pavarësisht vlerave të mëdha të zonës, qeveria shqiptare ka dhënë me koncesion ndërtimin e një hidrocentrali mbi lumë, për të cilin aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se do të shkatërrojë kanionin.
Hidrocentrali i vogël, i mbështetur nga krahu financiar i Bankës Botërore, Korporata Financiare Ndërkombëtare, po ndërtohet nga kompania austriake Enso Hydro, përmes një firme të hapur në Shqipëri, të quajtur Lengarica & Energy.
Dokumentet e sigurura nga BIRN dhe intervistat me ekspertë apo zyrtarë të qeverisë tregojnë se Lengarica & Energy nuk duhej në asnjë rast të ishte paisur me leje mjedisore, për shkak të ndikimit shkatërrues që ky projekt rrezikon të shkaktojë mbi kanionin e Lengaricës dhe Parkun Kombëtar të Hotovës.
Kanioni është një monument i rrallë natyror dhe ligji shqiptar i jep atij një mbrojtje të shkallës së parë.
“Projekti (hidrocentrali) do të ketë ndikim negativ mbi kanionin e Lengaricës, ku sipas ligjit shqiptar për Zonat e Mbrojtura, ai gëzon një mbrojtje të shkallës së parë ku nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi”-shpjegon Zamir Dedej, drejtues i Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri.
Kompania austriake Enso Hydro pranon se hidrocentrali po ndërtohet pranë një monumenti natyror “sensitiv”; megjithatë mohon që projekti do të ketë ndikim negativ mbi kanionin. Kompania thotë se do të përdorë vetëm ujin që rrjedh në kanion, por nuk po kryen punime brenda tij.
Enso Hydro thekson gjithashtu se ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për ndërtimin nga qeveria shqiptare dhe tanimë, është punë e autoriteteve të monitorojnë që ata po veprojnë në përputhje me këto leje.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se është një zonë sensitive,” thotë administratori i Lengarica & Energy, Wolfgang Kropfl.
“Me aq sa jemi në dijeni, projekti shtrihet në një zonë të kategorisë së dytë. Këtë na kanë raportuar autoritetet shqiptare,” shtoi ai.
Banka Botërore, e cila kontrollon 20 për qind të projektit përmes investimit të saj në Lengarica & Energy, mohon gjithashtu çdo shkelje të mundshme, duke theksuar se projekti është vlerësuar në përputhje me Standardet e Performancës Mjedisore të IFC, para se të vendosej financimi i tij.
Por qeveria e qendrës së majtë, e gjendur befas përballë një dallge protestash të grupeve mjedisore për projektin e firmosur nga paraardhësit e saj, thotë se ka krijuar një Task-Forcë për të analizuar impaktin mjedisor të projektit.
Një resort turistik shndërrohet në hidrocentral:

Kanioni i Lengaricës konsiderohet nga ekspertët si një monument natyror i rrallë për nga formimi gjeologjik, i veshur me bimësi të dendur, ku strehohen shumë specie zogjsh.
Së bashku me burimet e ujërave termale të Bënjës dhe urën e shekullit të 17 të Kadiut, kanioni ka thithur një numër gjithnjë e në rritje turistësh në Parkun Kombëtar të Hotovës, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash edhe për banorët vendas përgjatë viteve të fundit.
“Në Shqipëri, njerëzit mendojnë sot për sot dhe nuk e vrasin mendjen për të ardhmen,” ankohet Giorgio Ponti, një qytetar Italian i cili punon si koordinator i qendrës pritëse për turistët e huaj në qytetin e Përmetit.
“Qeveria shqiptare promovon zhvillimin turistik të zonës, por më pas shkon dhe ndërton një hidrocentral aty. Ky është një paradoks,” shton ai.
Projekti Lengarica mori jetë në vitin 2008, kur qeveria shqiptare i dha me koncesion të drejtën për të ndërtuar dy hidrocentrale të vegjël në lumin e Lengaricës një kompanie shqiptare modeste të quajtur Hasi Energji.
Më pas, kompania me portofol minimal, Hasi Energji filloi të shiste përmes një serie transaksionesh koncesionin tek kompania austriake Enso Hydro, e cila sapo kishte zbarkuar në Shqipëri për të eksploruar mundësitë e sistemit hidro-energjetik.
Kompania austriake është e specializuar në këtë sektor dhe përveç Shqipërisë, zotëron hidrocentrale edhe në Austri, Norvegji dhe Turqi.
Për të nisur projektin, Enso Hydro siguroi financimin e IFC dhe një banke tregtare gjermane, ndërkohë që ndërtimi në terren nisi verën e vitit 2013, pavarësisht kundërshtive të para nga grupet mjedisore lokale.
[fact title=”HEC-et rrezikojnë Parqet Kombëtare të Shqipërisë”]Lengarica nuk është hidrocentrali i vetëm që kërcënon një zonë të mbrojtur në Shqipëri.
BIRN ka zbuluar se përgjatë 8 viteve të fundit, qeveria e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Berisha lëshoi dhjetra licensa në parqe kombëtare, për të cilat ekspertët thonë se janë projekte të dobëta, ndërsa ambientalistët shqetësohen për dëmet e pariparueshme që mund t’i shkaktojnë mjedisit.
Këto projekte janë vetëm një pjesë e 435 hidrocentraleve të dhëna me koncesion në dekadën e fundit, shpesh për llogari të kompanive lokale me pak ose aspak eksperiencë në fushën e energjisë.
Vetëm 44 nga këto hidrocentrale kanë qenë të afta për të siguruar investimin, përfunduar ndërtimin dhe tani janë në procesin e prodhimit të energjisë. Procesi i lëshimit të këtyre koncesioneve është shoqëruar me akuza për korrupsion deri në shkallën më të lartë të pushtetit.
Prokuroria ka hapur dy hetime zyrtare për korrupsion apo konflikt interesi në koncesionet e hidrocentraleve, një kundër partnerit të deputetes demokrate Albana Vokshi dhe tjetri kundër kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, aktualisht kryetar i Kuvendit.
Prokuroria pushoi çështjen ndaj Vokshit, ndërsa Ilir Meta u deklarua i pafajshëm përmes një gjyqi të diskutueshëm në Gjykatën e Lartë. [Linku për lajmin e gjyqit të Metës]
Shumë kompani të vogla, simotra me Hasi Energji kanë tanimë në duar koncesione hidrocentralesh dhe janë në kërkim të investitorëve të huaj si Enso Hydro për ndërtimin e tyre. Megjithatë, ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e projekteve dhe filtrat e qeverisë që i ka miratuar ato.
Farudin Hoxha, inxhinieri i hidrocentralit më të madh në Shqipëri dhe një ndër ekspertët më të respektuar, thotë se projektet e HEC-eve kanë mangësi të mëdha.
Hoxha tregon se për projektimin e dy hidrocentraleve të vegjël, Suha 1 dhe Suha 2, ai ka harxhuar thuajse dy dekada të jetës së tij.
“Kam dëgjuar që janë miratuar leje koncesionare me dosjen bosh. Nuk mund të them me siguri se për sa kohë janë bërë projektet, por jam i bindur se asnjë prej tyre nuk ka zgjatur 20 vjet,” shton ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga ekspertët lidhet me mënyrën se si qeveria e Sali Berishës i dha këto koncesione, në mungesë të një studimi serioz mbi kapacitetet ujore të vendit.
Marjana Çoku, një zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, thotë se i gjithë procesi për lëshimin e këtyre kontratave është bërë në të mbrapsht.
“Qeveria duhej fillimisht të përcaktonte ku duhej ndërtuar dhe më pas të shqyrtonte propozimet e kompanive,” tha ajo. “E kundërta ka ndodhur”.
Pasi erdhi në pushtet në Shtator 2013, qeveria e majtë e kryeministrit Edi Rama iu rikthye projekteve për rishikim teknik, pas akuzave që kishte bërë në opozitë se shumica ishin dhënë në kushtet e konfliktit të interesit.
Si rezultat i këtij kontrolli, Ministria e Energjisë ka revokuar koncesionet e 30 hidrocentraleve për thyerje të termave të kontratës apo kohës së ndërtimit, mangësi në kapacitete teknike dhe financiare të kompanive dhe në disa raste, edhe për ndikimin e tyre negative në mjedis.
“Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit ka shkaktuar një katastrofë për sistemin energjetik në Shqipëri,” i tha ministri i energjetikës BIRN-it.
“Tani, çdokush e kupton që super-fuqia energjetike e Sali Berishës ishte në fakt kufoma energjetike me të cilën po përballemi sot,” tha ai.
[/fact]
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se fillimisht, Hasi Energji kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks vilash pranë burimeve të ujërave termale të Bënjës, dhe madje kishte aplikuar për leje ndërtimi në 2006. [Kliko për aplikimin për ndërtimin e një kompleksi vilash]
Megjithatë, kompania shqiptare ndërroi shpejt mendje dhe aplikoi për të drejtën e koncesionit për dy hidrocentrale të vegjël, Lengarica 1 dhe Lengarica 2, me kapacitet 3,700 kW dhe 2,500kW, siç thuhet në kontratën e vitit 2008.
Kur iu dha koncesioni nga Ministria e Ekonomisë, Hasi Energji zotëronte një kapital prej vetëm 100, 000 lekësh (€850), minimumi i kërkuar nga ligji për t’u regjistruar si kompani, me eksperiencë vetëm në import-eksportin e produkteve ushqimore.
Astrit Dhomaj, njëri prej ish-aksionerëve të kompanisë, thotë se ata nuk e kishin çuar kurrë ndërmend që të investonin paratë e tyre në këtë projekt.
“Ne donim të gjenim një kompani të huaj (për investimin) dhe kjo është gjithë sa bëmë,” i tha Dhromaj BIRN-it gjatë një interviste telefonike.
Në vitin 2009, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, firmosi një kontratë të dytë me Hasi Energji për të amenduar marrëveshjen koncesionare që kompania kishte marrë një vit më parë, duke reduktuar numrin e hidrocentraleve në koncesion nga dy në një, por me një kapacitet më të madh të instaluar. [Linku për marrëveshjen Ruli-Hasi]
Hidrodentrali i ri, sipas kontratës së amenduar koncesionare, do të kishte një kapacitet të instaluar prej 8,906 kW.
Me koncesionin në dorë, Hasi Energji krijoi në vitin 2011 një kompani të përbashkët me Enso Hydro të quajtur Lengarica & Energy. Fillimisht Hasi Energji i transferoi 20 % të aksioneve dhe më pas ia shiti të gjitha për 800 mijë euro.
Më 3 gusht 2011, Enso Hydro mori kontrollin e të gjitha aksioneve të Lengarica & Energji. Vlerësohet se Hasi Energji shpenzoi 15,000-20,000 mijë euro për koncesionin para se ta shiste atë tek austriakët e “Enso”.
“Ky ishte një projekt i rëndësishëm dhe unë mendoj se bëmë një pazar të mirë,” tha Dhromaj, ish-aksioneri i Hasi Energji.
Kanioni në rrezik
Pasi Enso Hydro mori kontrollin e plotë të kompanisë “Lengarica & Energy”, projekti për ndërtimin e një hidrocentrali të vetëm me kapacitet 8.9 MW eci përpara në lumin e Lengaricës.
Megjithatë, qeveria e kryeministrit Sali Berisha e shpalli zonën e Hotovë-Dangëllisë një Park Kombëtar në Dhjetor 2008, pasi kompanisë Hasi Energji i ishin aprovuar koncesioni dhe leja mjedisore.
Vendimi i qeverisë e ndau parkun në katër zona; në bërthamën qendrore, zonën për zhvillim të qëndrueshëm, zonën rekreative dhe atë për përdorim tradicional.
Paralelisht me përvetësimin e “Lengarica & Energji”, Enso Hydro përgatiti një projekt të ri për hidrocentralin.
Ky projekt përmban vendosjen e një tubi për marrjen e ujit në pjesën e sipërme të kanionit dhe devijimin e tij për 4 kilometra përmes një tuneli të gjatë nëntokësor. Para se të mbërrijë në godinën e centralit, tubacioni shtrihet edhe 3.75 kilometra të tjerë mbi tokë.
Hidrocentrali do të përdorë 8 metër kub ujë për sekondë nga prurjet totale, duke lënë vetëm 0.2 metër kub për sekondë të rrjedhë në kanion. Kompania pretendon se kjo është sasi e mjaftueshme për ruajtjen e ekosistemit.

Kur Lengarica & Energji bleu koncesionin nga Hasi Energji në 2011, iu desh të aplikonte sërish për një leje të re mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, pasi hidrocentrali shtrihej tanimë brenda kufijve të Parkut Kombëtar Hotovë-Dangëlli.
Dokumentet e sigurura nga BIRN tregojnë se aplikimi i parë për leje mjedisore i Lengarica & Energji u refuzua nga Ministria e Mjedisit më 4 Tetor 2011. [Kliko për dokumentin e refuzimit të lejes mjedisore]
Komisioni i Ministrisë së Mjedisit, i ngarkuar për vlerësimin e projektit argumentoi në aktin e refuzimit se hidrocentrali nuk ishte i realizueshëm sepse ishte brenda një Parku Kombëtar të mbrojtur nga ligji.
Komisioni gjithashtu vlerësoi se në kufinjtë e projektit ishte edhe kanioni i Lengaricës, një monument natyre i mbrojtur dhe ai nga ligji për Mjedisin.
“Implementimi i këtij projekti shkakton pasoja të konsiderueshme negative dhe dëmton kanionin, çka bie ndesh me ligjin e vitit 2002 për Zonat e Mbrojtura,” thotë Komisioni.
“Devijimi i rrjedhës së ujit do të ketë ndikim negativ edhe tek ujërat termale afër Bënjës, në fund të kanionit,” thuhet në dokument.
Komisioni vendosi që projekti nuk mund të aprovohej në “formatin e vet aktual”, pasi bie në kundërshtim me legjislacionin mjedisor.
“Hidrocentrali mund të ndërtohet vetëm nëse përdor ujin në pjesën e poshtme të kanionit; pasi ai kalon burimet e ujërave termale,” theksoi Komisioni.
Megjithatë, pasi Lengarica & Energji bëri një kërkesë të dytë për leje mjedisore dy muaj më vonë, pa asnjë ndryshim të projektit, i njëjti Komision ndërron mendje dhe aprovon ndërtimin e hidrocentralit më 21 Janar 2012. [Linku për lejen mjedisore]
Një ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, i cili foli në kushtet e anonimatit, i tha BIRN-it se lejimi i projektit erdhi pas presionit të dy deputetëve të Partisë Demokratike, asokohe në pushtet.
“Pas refuzimit, mua më pushuan direkt nga puna me urdhër të ministrit,” shtoi ish-zyrtari.
Kanioni i Lengaricës është një monument natyre i mbrojtur sipas ligjit të vitit 2002 për “Zonat e Mbrojtura” dhe gëzon mbrojtje të shkallës së parë.
Neni 5 i ligjit, në pikën 2 thotë se në zonat ku zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes ndalohet çdo lloj ndërtimi.
Por Lengarica& Energji pretendon se niveli i mbrojtjes në kanion nuk ka asnjë lidhje me projektin, pasi ata vetëm sa devijojnë ujin prej tij, por nuk kryejnë asnjë ndërtim brenda kanionit.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Lengarica & Energji mohuan çdo lloj ndikimi të paligjshëm për të siguruar lejen mjedisore.
“Nëse ishte e ndaluar, qeveria nuk duhej të na e kishte dhënë lejen mjedisore,” tha avokatja e kompanisë, Vilma Gjyshi. “Gjithsesi, tani që na është dhënë kjo leje, ne jemi në të drejtën tonë për të zhvilluar projektin,” shtoi ajo.
Wolfgang Kropfl, drejtori ekzekutiv i Lengarica & Energji insistoi se hidrocentrali shtrihet vetëm në parkun kombëtar, që gëzon mbrojtje të Kategorisë II dhe sipas ligjit shqiptar, aty lejohet ndërtimi i një hidrocentrali, pasi është lëshuar një leje mjedisore.
“Ne nuk po punojmë në kanion,” tha Kropfl. “Është apo jo nën mbrojtjen e kategorisë së parë, nuk ka lidhje me projektin, për sa kohë ne nuk kryejmë punime aty,” shtoi ai.
Megjithatë, Sokol Abazaj, i cili ka punuar si konsulent i Enso Hydro-s për zhvillimin e projektit të Lengaricës deri në 2012, i tha BIRN-it se Kropfl e dinte fare mirë që zona mbrohej me ligj, e madje kishte lobuar për ta hequr atë zonë nga Parku Kombëtar.

“Përveç gjërave të tjera, Lengarica & Energji ka kërkuar zhvendosjen e zonës nga Parku Kombëtar,” tha Abazaj. “Kjo kërkesë nuk u miratua kurrë nga institucionet shqiptare, megjithëse zoti Kropfl, në cilësinë e administratorit të Lengarica & Energji, me firmë dhe vulë të kompanisë, e ka përsëritur kërkesën më shumë se një here,” shtoi ai.
Abazaj pretendon se mosmarrëveshjet lidhur me mjedisin në Shqipëri u kthyen në një burim konflikti mes tij dhe drejtorit të Lengarica & Energji, zotit Kropfl.
“I thashë atij se Shqipëria nuk është Bangladesh dhe se këtu ka ligje dhe rregulla që nuk mund të shkelen,” tha Abazaj. “Do të dilte një ditë në media, siç edhe doli, që mund të shkaktohet një katastrofë atje,” tha ai, duke folur për projektin.
Abazaj e përshkruan zotin Kropfl si arrogant, që nuk i pëlqente të luante sipas rregullave.
[quote source=”Sokol Abazaj”]“Kropfl deklaronte se rregullat i bën ai që ka paratë dhe se shqiptarët e duan me dajak”[/quote]
“Kropfl deklaronte se rregullat i bën ai që ka paratë dhe se shqiptarët e duan me dajak,” pretendon Abazaj.
Kropfl hodhi poshtë pretendimet dhe përgojimet dhe tha se kompania nuk kishte asnjë arsye për të lobuar heqjen e zonës nga Parku Kombëtar.
“Ne si kompani nuk kemi bërë asgjë të tillë,” tha ai. “E pse na duhej të kërkonim heqjen apo të lobonim për këtë?” pyet Kropfl.
IFC i tha BIRN-it përmes një deklarate se projekti është vlerësuar në përputhje me “Kornizat e Qëndrueshmërisë së IFC, Standardet e Performancës Sociale dhe Mjedisore, të cilat promovojnë mbrojtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”.
“Sipas informacioneve të vëna në dispozicion nga kompania, projekti Lengarica” nuk bie në zonë të mbrojtur të Kategorisë 1,” tha zëdhënësi i IFC. “Tubi dhe tuneli shtrihen në kategorinë 2, porta e ujit/ centrali dhe pjesë të nënstacionit bien në Kategorinë 3”.
Sipas ligjit 8906 “Për Zonat e Mbrojtura”, gjithçka është analizuar në përputhje me Nenin 6, pika 3 a) e ligjit”,-shtoi ai.
Neni 6, pika 3 a) e ligjit thotë se aktivitetet që “ndryshojnë gjendjen natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura” nuk ndalohen, por nuk lë të kuptohet se e ka fjalën për ndërtime hidrocentralesh brenda parqeve kombëtare.
Sipas Lengarica & Energji, hidrocentrali po ndërtohet në zonat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe atij për përdorim tradicional, brenda parkut Hotovë-Dangëlli.
Gjithsesi, në vendimin e qeverisë së Dhjetorit 2008, që i jep zonës statusin e Parkut Kombëtar, theksohet se në zonën e zhvillimit të qëndrueshëm lejohet të kryhen vetëm aktivitete ekonomike me ndikim minimal mbi mjedisin.
“Në zonën e zhvillimit të qëndrueshëm, e cila shërben si hapësirë buferike për qendrën e parkut, lejohen vetëm aktivitete ekonomike sezonale (kullotë, mbledhje e bimëve medicinale apo e prodhimeve dytësore nga pylli), të cilat nuk kanë asnjë impakt në integritetin ekologjik të ekosistemit,” thuhet në vendim.
Të kontaktuar nga BIRN, Ministria e Energjetikës dhe ajo e Mjedisit thanë se janë në pritje të konkluzioneve të Task-Forcës së përbashkët të ngritur pas ankesave të komunitetit lokal dhe grupeve mjedisore.
“Do të analizojmë konkluzionet e Task-Focës për të kuptuar nëse shqetësimet e shprehura nga komuniteti dhe shoqëria civile kanë bazë reale,” thotë ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.
Duke iu shmangur shqetësimeve të shoqërisë civile, Kropfl argumenton se me devijimin e ujit nga kanioni, hidrocentrali do të mbrojë pjesën e poshtme të lumit nga përmbytjet në kohën e pikut.
“Lengarica është një lumë me dinamikë tepër të lartë dhe në disa sezone, sjell deri në 20 metër kub për sekondë. Nëse e shikon lumin, çdo vit ai merr një drejtim tjetër në pjesën e poshtme të parkut,” thotë ai. “Ngaqë është shumë dinamik, ai shkatërron vetveten,” përfundon Kropfl.
Nqs. leja mjedisore shkel ligjin, ndertimet e HEC-T duhet te nderpriten. Eksperti mjedisor qe ka bere vleresimin e ndikimit ne mjedis te demshperbleje kompanine per demin e shkaktuar.